Një vakt kujtese, Shpend Bengu ‘servir’ Tiranën e një shekulli në pikturë

Jul 27, 2020 | 9:05
SHPËRNDAJE

ANILA DEDAJ/ Pranë “Pazarit të Ri”, në rrugën “Jani Vreto”, rrëfehet një shekull Tirane përmes pikturës.

116070288_987588861676487_7305125054655304785_n

Banesa nr. 6 e çiftit të artistëve Marina Grabovari dhe Selim Ishmaku bëhet në ditët e fundit të korrikut strehëza mikpritëse për më shumë se 90 artistë të tri gjeneratave, që tregojnë kryeqytetin përmes momenteve të veçanta transformimesh, celebrimesh e përçudnimesh me në fokus arkitekturën. Artisti Shpend Bengu, ideatori dhe realizuesi i këtij rrugëtimi në “Tiranën e tre karantinave”, e merr iniciativën në një moment kritik prej pandemisë, duke risjellë Tiranën e vjetër, që rrezikon të mbetet vetëm në letër.

Skenografi Shaqir Veseli krijon një atmosferë të ngrohtë. Mes gjelbërimit, pikturat “çelin” Tiranën ndër vite, në sfondin e zi… gati si sytha, që me një dorë përkujdesjeje, do të kishin degëzuar edhe jashtë nostalgjisë. Inxhinieri dhe interier dizajni, Andi Papastefani, e bën takimin me kryeqytetin në 85 vite më meditativ, duke i dhënë publikut mundësinë “të çmallet” dhe me etërit e pikturës, e të njihet me pasardhësit e mundshëm.

Një ekspozitë që ofron edhe një vakt mesazhesh të pedagogut për studentët. Bengu shkund pesimizmin që i ka mbërthyer artistët e rinj, veçanërisht gjatë izolimit prej pandemisë, dhe u tregon se me vullnet të mirë kapaciteti individual i artistit kapërcen çdo monolog burokratik zyrash e çdo iniciativë të vakët me ekspozita që përsërisin vetveten, duke mos lënë shenjë te publiku. Ekspozita e Bengut, mbi të gjitha, lufton harresën, duke evidentuar thesare kulturore të ngritura në shtetin e ri shqiptar që ende si kish mbushur tri dekada jetë, Shqipërinë në diktaturën e stuhive ideologjike, apo në tranzicionin e viteve ’90 që zgjatet edhe në ditët e sotme.

116134271_987588775009829_4445210305687346202_n

Në një kënd të veçantë, në hyrje të galerisë së improvizuar, ai vendos punimet e të ashtuquajturit brez të dixhitalit, ku bie veçmas në sy perceptimi i artistes Besa Mati për Tiranën, jetësuar përmes teknologjisë. “Janë punime të realizuara veç me lapsa e penela dixhitalë, por ideja ime ishte që të krijoja një lloj afrie, njohjeje të këtij brezi me fillimet e artit viziv shqiptar”, tregon Bengu.

Kështu, pranë të rinjve qëndrojnë stoikë themeluesit e pikturës shqiptare, ose pjesa e “Panteonit”, siç Bengu pëlqen ta quajë. Sipas rregullit “një artist, një vepër”, pikturat vijnë të renditura në rend kronologjik sipas moshës së artistëve. Prej vitit të kobshëm 1945, Abdurrahim Buza vjen me ish-Xhaminë e Madhe (ka qenë pranë monumentit “Partizani i panjohur”) mes flakëve. Vepra e Sadik Kacelit risjell traditat tiranase të shpalosura me krenari në Parisin e viteve ’30, kur takonte piktorët Pablo Picasso apo Henri Matisse. Për të treguar edhe këto takime të piktorëve shqiptarë me botën perëndimore, si dhe formimin e tyre jashtë, artistja e re Merlina Bufi i sjell portretet e Kacelit dhe atë të Salvador Dalisë “të përzierë” në një imazh të vetëm “S.S”, që thyen konturet “e izolimit” të artit të atyre viteve. Me Ibrahim Kodrën takohemi përmes “Ekslibris”, një dhuratë bërë publicistit Mustafa Greblleshi, e që tani e trashëgon familja e tij.

116422641_987588915009815_1752379578569735657_n

Një moment mjaft i veçantë është ai dy brezave të artistëve, atë e bir, në një vizatim. Kujtim Buza fikson të atin teksa vizaton shtëpinë e fundit të Fshatit të Vjetër Sauk, gjurmët e të cilit, siç tregon Bengu, u fashitën fare pak kohë pas këtij “momentumi”. Kështu, vepra të tjera të artistëve si Hasan Reçit, Nexhmendin Zajmi, Fadil Pëllumbi, Namik Prizreni etj. i hapin shtegun gjeneratës së dytë me përfaqësues si Naxhi Bakalli, Arben Basha, Ardian Devolli etj. “Këtu është Tirana e vjetër dhe ajo e reja”, tregon artisti.

“LANA BLU” DHE SHNDËRRIMI I TIRANËS PAS ’90-ËS

Shpend Bengut i lexohen emocionet mes lumturisë për pritjen që iu bë idesë së tij nga kolegë dashamirës të artit, përgjegjësisë ndaj veprave që i janë besuar, dhe përgjigjen pozitive të publikut, që pret radhën për “të shëtitur” Tiranën e një shekulli.

Një nismë që vuri në lëvizje të gjithë familjarët e tij, edhe në emër të dashurisë për kryeqytetin. Diku pikasim të birin, Rein, që memorizon këtë ekspozitë “zgjimi” përmes fotografisë (së bashku me fotografin Fatmir Carkanji). “Lana Blu” është punimi që Bengu ka zgjedhur për të ekspozuar një kohë që mbërthen vitin 1991 të ndryshimeve, në një imazh disi të zymtë mes blusë, të zezës e një ndriçimi të zbehtë që duket sikur fsheh misterin e së ardhmes.

“Është ura e Bulevardit ku mblidheshim gjatë rinisë. Asokohe thuajse njiheshim të gjithë, por pas viteve ’90 Tirana sikur nuk ishte më e jona. U shndërrua në një tjetër qytet”, tregon artisti. Ndonëse sipas Bengut “nuk mund t’i biesh ndesh zhvillimit të qytetit”, copëzat e Tiranës së vjetër që shfletojmë në banesën kryeqytetase përmes pikturave vijnë gati qortuese për humbjen e identitetit.

Zëvendësimi i arkitekturës së vjetër, kishat, vilat, ndërtesat e vjetra që bien si shi meteorësh dhe i kapin në befasi banorët edhe në këtë periudhë pandemie për t’i lënë hapësirë “përparimit e të resë”, të kujton atë çka ndodhi me poezinë e këngës “Një djep në barrikadë” të kënduar nga zonja e banesës nr. 6, këngëtarja Marina Grabovari. Ishte edicioni XXI i Festivalit të Radio Televizionit Shqiptar, nata finale, kur papritmas në tekstin e këngës ndodh një ndryshim vendimtar. Emri i Qemal Stafës në tekst zëvendësohet me atë të Enver Hoxhës, sepse komunizmi, diktatura, kishte marrë një fytyrë të re imponuese… po ashtu në emër të përparimit.

ARTET NË PËRQAFIM PËR TIRANËN

Për Tiranën padyshim që ky ishte “koncerti pamor” (siç e quan Bengu me humor) më domethënës gjatë post-karantinës.

“Ishte kjo dëshira ime, t’i dhuroja diçka qytetit tim”, tregon Bengu. Një nismë në të cilën ai përfshiu krahas piktorëve edhe muzikantë, shkrimtarë, poetë e regjisorë. Kështu, kineasti Dhimitër Anagnosti solli një Tiranë përmes një dokumentari, ndërsa librat e publicistit Bedri Alimehmeti, Mustafa Greblleshit, Vaso Toles, Krenar Zejnos e të tjerë, që rrëfejnë kryeqytetin, ngjallën kërshërinë e vizitorëve. Përmes filmimeve të arkivave austriake, dhe të tjera të mundësuara nga Muzeu i Holokaustit dhe ai i Spilberg-ut, Bengu u mundësoi vizitorëve pamje të rralla të Tiranës në vitin 1914, 6 vite para se të shpallej kryeqytet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura