Një vaksinë antikorrupsion?

Apr 4, 2021 | 12:14
SHPËRNDAJE

EDMOND TUPJA

Edmond-Tupja

Që kur u shfaq krejt e paftuar, në shtetin e sotëm ramesk me brekushe e atlete nëpër këmbë, pandemia me pantallona të padukshme e pantofla të pazhurmshme, teksa vëreja paralelisht edhe thellimin e thepisur të korrupsionit të pamëshirshëm në gjirin erëgjiriz të qeverisë shterpë shqiptare, dëshirova me gjithë shpirt  që të shpikej sa më shpejt ndonjë vaksinë, e cila ta pastronte shoqërinë tonë të molepsur njëkohësisht si nga pandemia, ashtu edhe nga korrupsioni.

Mjerisht, kjo dëshirë m’u realizua përgjysmë: Sot popullsia shqiptare po vaksinohet sipas grupmoshave me lloj-lloj vaksinash të prodhuara në lloj-lloj vendesh që na vijnë nga lloj-lloj vendesh të tjera falë njohjeve publike apo private të Edi Ramës ende kryeministër, ndër të cilat disa syresh ende të paçertifikuara nga OBSH-ja apo nga EMA.

Mirëpo, të paktën deri më sot, nuk ka asnjë lajm, qoftë edhe të rremë, për ndonjë vaksinë kundër korrupsionit në Shqipërinë tonë zhelane, pavarësisht përpjekjeve të përbindshme të Edi Ramës ende kryeministër për t’i bindur Shtetet e Bashkuara të Amerikës si edhe Bashkimin Europian se në Shqipëri korrupsionin galopant luftohet e mund të eliminohet krejtësisht vetëm me një vaksinë çudibërëse.

Edi Rama ende kryeministër ka zbuluar, falë punës së Inteligjencës Shqiptare, se një vaksinë antikorrupsion ekzistuaka tashmë në vendet e sapopërmendura. Sidoqoftë, me sa bën të ditur agjensia ndërplanetare me emrin e parfumuar FuT-JaP-OrdhëS, Edi Rama ende kryeministër është i mendimit që nëse kjo vaksinë i dhurohet popullit të tij para zgjedhjeve të 25 prillit, atë duhet ta bëjnë të parët lypësit, të papunët, pensionistët, qentë e macet e shesheve, rrugëve, rrugicave, si edhe kumritë, pëllumba e harabelat, natyrisht e logjikisht pa përjashtuar mizat, mushkonjat, morrat, pleshtat e tartabiqet; nga ana tjetër, nëse vaksina në fjalë u dhurohet shqiptarëve pas zgjedhjeve të 25 prillit, atëherë atë duhet ta bëjnë detyrimisht gjithë anëtarët dhe drejtuesit e PD-së, LSI-së, PR-së e të partive të tjera sot opozitare sidomos nëse këto i fitojnë zgjedhjet në fjalë dhe hipin në pushtet.

Mirëpo, sipas një tjetër agjensie ndërplanetare me emrin e parfumuar FuT-JaF-EndëS, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si edhe Bashkimi Europian, ngulin këmbë deri në rrëzë të kofshës se, pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve të 25 prillit, të parët që duhet ta bëjnë vaksinën antikorrupsion janë pushtetarët e sotëm, pra vetë Edi Rama ende kryeministër, ministrushët e ministreshat e tij të djeshme e të sotme, të ndjekur nga miqtë e tyre oligarkë (shkronjave “g” dhe “k” u ndalohet të këmbejnë vendet), narkotrafikantë, gjykatës e prokurorë, sekserë e të tjerë pehlivanë të të gjitha llojeve, natyrave, rangjeve e rrengjeve të mundshme e të imagjinueshme.

Për fat të keq, një agjensi e tretë ndërplanetare me emrin e parfumuar FuT-JaM-UtiT paralajmëron se vaksina antikorrupsion mund të shkaktojë tek i sapovaksinuari, nëse ky ka qenë sadopak i korruptuar për një periudhë të paktën mbi dhjetëvjeçare në majë të pushtetit vendor dhe/apo qendror, mund të shkaktojë, pra, tek ai alergji të shoqëruara pashmangësisht me ndërrime vendesh midis organeve të trupit, kryesisht të trurit me zorrën e trashë ose të syve me herdhet; po kështu edhe tek e sapovaksionuara, nëse kjo ka qenë sadopak e korruptuar për një periudhë të paktën katërvjeçare në krye të një ministrie, mund shfaqen alergji të të njëjtit tip, veçse jo me pasojë këmbime vendesh të të njëjtave organe si tek mashkulli, por kryesisht të vaginës me gojën dhe të veshëve me gjinjtë.

Si përfundim, skuadra aktuale ( pa ndonjë germë tjetër midis germave “u” dhe “a”) e Edi Ramës, ende kryeministër, ka akoma kohë të mendohet mirë nëse do të vendosë apo jo ta bëjë vaksinën antikorrupsion, pavarësisht pasojave të saj tmerrësisht rrëqethëse. Megjithatë, e bën apo nuk e bën ajo vaksinën në fjalë, shqiptarët e sotëm po e kuptojnë çdo ditë e më mirë se, siç shprehej intelektuali francez Gérard Poulouin në vitin 2013, në Shqipëri “ekziston një përbindësh të cilin ne e dënojmë, po që mund të na magjepsë, ne, njerëzit e tjerë, ky është përbindëshi që bën kërdinë në fushën e politikës, që nuk pranon të ketë kufij në të ushtruarit e pushtetit. Ne përshëndesim disfatën e tij” më 25 prill, do të shtoja unë edhe në emrin tuaj, të nderuara lexuese dhe lexues të nderuar të kësaj rubrike.

© Panorama.al

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.