Një tragjedi dashurie, Preç Zogaj rikthehet te proza me “Anjeza nuk u zgjua”

Oct 11, 2019 | 11:54
SHPËRNDAJE

Në kohërat e mundësive të panumërta, Preç Zogaj na sjell tragjedinë e shansit unik.

Dje gjate takimit
Dje gjate takimit

“Anjeza nuk u zgjua” titullohet romani më i ri i Prec Zogajt, që do të vijë së shpejti për lexuesin nga UET PRESS. Një histori dashurie që ndodh në qytetin e Lezhës mes Anjezës dhe Davidit, që, siç thotë autori, është pak e vështirë për t’u kuptuar nga brezi i ri, por për ata që i njohën vitet e diktaturës, është një histori që u përket nga pak të gjithëve. Lajmin e botimit të romanit të tij të ri, poeti, shkrimtari dhe publicisti Preç Zogaj na e rrëfeu pikërisht në të parin e një serie takimesh me shkrimtarë e aktorë, mes leximesh dhe vetërrëfimesh, përfshirë në “Tetorin e Librit”.

1

Një muaj maratonë me aktivitete që kanë për protagonist, pikërisht librin, organizuar nga Ministria e Kulturës. U bënë bashkë në këtë takim shkrimtarë e miq të autorit, si Diana Çuli, Flutura Açka, Loer Kume, etj., si edhe një grup nxënësish të gjimnazit “Petro Nini Luarasi”, të cilët i dhanë gjallëri takimit me pyetjet e tyre rreth letërsisë, tendencave të një bote gjithnjë e më globale… E pranishme në këtë takim, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, iu drejtua të rinjve me mesazhin e të lexuarit sa më shumë shqip.

“Është një vlerë që të rinjtë tanë njohin shumë gjuhë të huaja dhe kanë mundësi të lexojnë në gjuhë të huaj, por është shumë e rëndësishme të lexojnë shqip, të lexojnë autorët tanë shqiptarë. Në këtë “Tetor Libri”, ne po përpiqemi që edhe teknologjinë ta vëmë në shërbim të leximit dhe të librit, përmes nismash që qasin sa më shumë të rinjtë, siç është ajo ‘Dhuro-gjejlexo'”, tha ministrja Margariti, duke theksuar se ndryshe nga personazhet e Preç Zogajt që kishin vetëm një mundësi, të rinjtë sot kanë mundësi të pafundme, të cilat duhet t’i ndjekin për të ndriçuar jetën e tyre.

anjeza

ROMANI I RI

Në një bashkëbisedim me drejtoren e UET PRESS, Alda Bardhylin, dhe të rinjtë e “Petro Nini Luarasit”, Zogaj, duke këshilluar këta të fundit të largohen nga banaliteti i rrjeteve sociale, bëri një rrugëtim në karrierën e tij letrare duke nisur nga botimi i parë në vitin 1985, “Emrat tuaj”, për të vijuar me një mori botimesh në poezi, të cilët e veçuan si një ndër poetët më të spikatur të viteve ’80-të. Por proza është ajo që mbetet stacioni, që edhe poetët nuk mund ta shmangin.

Pas përmbledhjeve me tregime si “Shëtitorja”, Zogaj vjen me këtë roman, që sipas Bardhylit, tregon se qëndron gjithnjë më mirë në shtratin e tij realist. Libri tregon një histori dashurie të dy të rinjve lezhjanë, e pamundur si të gjitha dashuritë për shkak të mentaliteteve dhe kohës ku jetojnë, e cila përshkon edhe udhëtimin e një shoqërie drejt emancipimit të saj. Duket se ky është udhëtimi i Zogajt e i të gjithëve ne, që vjen përmes përshkrimeve që vetëm letërsia mund t’i japë.

Por ashtu si në librat e letërsisë së madhe, edhe në këtë roman një grua vdes. “Nuk e kisha për qëllim që personazhi duhet të na lërë, por ishte si vijim logjik i gjithë episodeve të jetës dhe të historisë që ajo përjeton”, u shpreh Zogaj, duke ndarë me të pranishmit disa nga “sekretet” dhe karakterin vetjak të krijimit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura