“Një stinë me Proustin”, botohen kujtimet e shokut të fëmijërisë

Jul 28, 2016 | 12:48
SHPËRNDAJE

I thjeshtë, njerëzor dhe larg jetës mondane, ky është Prousti, i cili zbulohet përmes kujtimeve të mikut të tij të fëmijërisë. “Një stinë me Prustin”, titullohet libri me kujtime nga René Peter, përkthyer nga origjinali nga Fotaq Andrea, i cili sapo është hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Onufri”.

Marcel Proust
Marcel Proust

Një libër që hedh dritë mbi jetën e panjohur të një prej shkrimtarëve më të mëdhenj të shek. XX, që bëri epokë me shtatëvëllimshin “Në kërkim të kohës së humbur”. René Peter, mjek, pedagog, historian dhe autor biografish, është njohur që në fëmijëri me Marcel Proustin, duke qenë se baballarët e tyre u përkisnin elitës së mjekëve. Me vonë, ata humbën kontaktet, përreth dhjetë vjet, kur pas suksesit të shfaqjes “Chiffon” të Peterit, më 1904, Proust i rivendosi kontaktet me të përmes Reynaldo Hahn.

Dhe kështu, pas vdekjes së nënës së tij, në fillim të verës të 1906, Marcel Proust u zhvendos në Hotel Des Reservoirs, në Versajë, ndërkohë që Peter banonte vetëm disa hapa më tej, në Boulevard Du Roi. Por më pas jeta i ndau përsëri. Miqësia e Rene Peterit do t’i jetë shumë e çmuar në këtë periudhë, çka dëshmohet edhe nga letërkëmbimi mes të dyve. Është e kuptueshme që miqësia e Peterit është e sinqertë dhe e painteres, plot admirim dhe dhembshuri që nuk janë të shtirura.

nje stine me prust

Për më shumë se pesë muaj, përmes bisedave të përditshme, dy miqtë sillnin kujtime, komentonin kohën, e tashme, thurnin plane për të ardhmen. I shkruar në vitin 1947, libri është një tutje-tëhu mes Prustit të panjohur të vitit 1906 dhe shkrimtarit të nderuar që do të bëhej më pas. Rene Peter nuk e fsheh preferencën për të parin.

Plot nostalgji, tregimi i tij na zbulon një Proust të thjeshtë dhe human, larg jetës mondane dhe ekseset që janë të zakonshme në biografitë e tij. “Duke botuar këtë dorëshkrim, shpresoj se lexuesve do t’u duket, ashtu si dhe mua, një gëzim i dyfishtë që ta njohin më mirë Marcel Proustin, para legjendës e lavdisë, dhe të shohin të ringjallur këtë atmosferë sharmante dhe të shpenguar të vitit 1906, që pas do ta errësonte lufta”, shkruan Dominique Brachet, i cili ka zbuluar kujtimet gjyshit në formë dorëshkrimi, në vitin 2004.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura