Një standard: Veliaj të pushohet si Shukriu!

Aug 26, 2016 | 13:20
SHPËRNDAJE
Akil Kraja
Akil Kraja

NGA AKIL KRAJA

Këshilli i Ministrave duhet të zbatojë të njëjtin standard për Erion Veliajn ashtu siç bëri me Shukri Xhelilin, duke vënë në jetë nenin 115 të Kushtetutës, ose çdo mekanizëm të ngjashëm  nga Kushtetuta e re, për ta shkarkuar nga detyra në vijim të thellimit të skandalit që po ndjek vdekjen e 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj.

Moszbatimi i së njëjtës praktikë do të cenonte rëndë moralin dhe besimin publik, duke konsoliduar praktikën e dy standardeve – një për individët periferikë, dhe një për të paprekshmit e Tiranës.

Po kështu, mbajtja në detyrë e Erion Veliajt do të përbënte një devijim të ri amoral të Rilindjes, duke e cilësuar më të rëndë kërkimin e favoreve seksuale për një vend pune, sesa skllavërimin (deri në vdekje) të dhjetëra fëmijëve të pafajshëm të punësuar në të zezë.

Me pak fjalë, brekët e grisura të Shukriut vlejnë më shumë para ligjit (dhe nenit 115 të Kushtetutës) se librat që Arditi kërkoi të blinte me jetën e tij. Shukri Xhelili nuk paraqet asnjë ndryshim nga Erion Veliaj.

Të dy kërkojnë të nxjerrin përfitime personale, qofshin ato të natyrës fizike ose materiale, nëpërmjet fuqive që u jep posti i Kryetarit të Bashkisë. A ka ngjashmëri mes punësimit me mik të një vajze “bukuroshe” pa eksperiencën e duhur nga Bashkia e Dibrës dhe kontraktimit, po me mik, të një kompanie “vrasëse” nga Bashkia Tiranë? Përdorim fjalën mik, pasi në dijeninë tonë të derimëtanishme, rezulton që kompania “3R”, e kontraktuar nga Erion Veliaj, është (1) e lidhur me kryetarin e PS të Peqinit (2), person me të shkuar penale dhe (3) pa asnjë eksperiencë në fushën e menaxhimit të mbetjeve, (4) dhe që punësonte në të zezë dhjetëra individë pa asnjë kontroll nga Bashkia Tiranë, (5) ndër ta me dhjetëra fëmijë minorenë, (6) pa respektuar normat më jetike të sigurisë, (7) që rezultuan në vdekjen e 17- vjeçarit Ardit Gjoklaj.

Të rikujtojmë faktet. Shukri Xhelili u shkarkua me vendim të Këshillit të Ministrave nga pozicioni i tij si i zgjedhur në krye të Bashkisë Dibër, pas bërjes publike të disa video-përgjimeve ku ai dukej se kërkonte favore seksuale në këmbim të vendit të punës.

Neni 115 i Kushtetutës (para ndryshimeve) thoshte se “Organi i zgjedhur drejtpërdrejt i njësisë qeverisëse vendore mund të shpërndahet ose të shkarkohet nga Këshilli i Ministrave për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve”.

Dhe pse nuk kishte asnjë vendim të një gjykate, dhe Shukri Xhelili mund të përfitonte ende nga “prezumimi i pafajësisë”, Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë shkarkimit të tij nga Këshilli i Ministrave vetë, duke u bazuar në videot e bëra publike.

Rasti Veliaj paraqet të njëjtat trajta me rastin Shukriu: ekzistojnë sot disa video-dëshmi nga të punësuar direkt nga kompania “3R”, nga familjarë të viktimës, por dhe nga mediat ku shihet krah më krah administratori i kompanisë “3R” dhe Veliaj.

Dhe, mbi të gjitha, gjendet trupi i pajetë i Arditit si dëshmia më makabre e çmimit të etjes së pangopur korruptive të personit që firmosi përzgjedhjen “me mik” të kompanisë “3R” për menaxhimin e landfillit të Bashkisë Tiranë.

A vlejnë brekët e Shukriut më shumë se jeta e një 17-vjeçari të pafajshëm? Po jetojmë kohë rilindje, kohë makabre…

*Anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura