Një Shqipëri si Luljeta

Dec 6, 2019 | 10:00
SHPËRNDAJE

ILIR ÇUMANI Ilir-Cumani

Sikur të takoheshim me vetveten sy për sy, do t’putheshim, apo kishim për t’u pështy…?”. Këto vargje– kumti të poetit kosovar Azem Shkreli, m’u kujtuan aty për aty tek po shikoja në media, qysh në orët e para të tërmetit në agun e 26 nëntorit, dy burra të përvuajtur prej dhimbjes, të cilët, edhe pse nuk njiheshin më parë, i zgjasnin duart njëri-tjetrit duke u parë në sy.

Njëri ishte specialist i Forcave të Emergjencës Civile nga Serbia, dhe tjetri specialist i trupave të Emergjencës Civile nga Kosova. Së bashku me kolegët e shumtë ndërkombëtarë, kishin mbërritur me urgjencë në Thumanë për të ndihmuar vendin tonë në shmangien e pasojave të tërmetit. Të dy ata ishin vënë në rresht pranë njëri-tjetrit dhe dorë më dorë transportonin inertet, duke i larguar nga pirgu i frikshëm i mbetjeve prej rrënojave të tmerrit. Në portretet e tyre shikoje jo vetëm heroizëm dhe vetëmohim, por edhe ankth e shpresë për të shpëtuar sa më shumë jetë të kërcënuara nga kthetrat e vdekjes. Ajo skenë epike që shfaqej në sytë e të gjithë botës, përcillte respekt dhe admirim, lot, dhimbje e solidaritet, por edhe një mesazh të madh për jetën, duke lënë pas të shkuarën në emër të së tashmes dhe së ardhmes. Dy njerëz që në kohë të ndryshme të historisë janë parë si dy armiq të përbetuar, tashmë ndodheshin në një tjetër situatë, në një tjetër realitet, ballazi, aq afër me njëritjetrin, duke u parë sy ndër sy dhe duke përcjellë në këtë mënyrë mesazhin më të madh e më kuptimplotë të paqes. Dhe ky çast erdhi pikërisht tani, kur tragjedia dhe lëngata e një kombi, përtej përmasave të dhimbjes njerëzore, apelon dhe mund të bashkojë në një solidaritet të mahnitshëm njerëz nga nacionalitete të ndryshme të ardhur nga e gjithë bota, për t’u bërë një trup i vetëm kundër fatkeqësisë më të madhe të natyrës. Ato çaste dhe orë tragjike kombëtare bënë bashkë një kosovar dhe një serb, i vendosën ata përballë një sprove të madhe të paqësimit dhe betejës së përbashkët për jetën. Një skenë e denjë filmike për të merituar çmimin “Oscar”, kur historia dhe përvoja na mëson sesi paqja triumfon mbi luftën, jeta mbi vdekjen, e mira mbi të keqen, dashuria mbi urrejtjen, e tashmja dhe e ardhmja mbi të shkuarën. Pasojat mizore të tërmetit të 26 nëntorit nuk ka asnjë dyshim që janë serioze. Dëmet gjithashtu janë të pallogaritshme për një vend të varfër si Shqipëria. Kemi dhjetëra humbje të jetëve të pafajshme njerëzore, qindra e qindra të plagosur dhe dëme të konsiderueshme materiale. Mbi të gjitha, sot po përballemi me një dramë kolektive në shkallë kombëtare. Njerëzve të prekur drejtpërsëdrejti nga fatkeqësia u janë dëmtuar pronat, bizneset, shtëpitë, mijëra e mijëra vetë, gra, pleq e fëmijë kanë mbetur në qiell të hapur, të pastrehë në këtë dimër të ftohtë. Atyre u është vrarë shpresa dhe tashmë nuk e dinë se kush do të jetë e ardhmja e tyre. Ashtu si ata, e gjithë shoqëria në përgjithësi po përjeton sot pasojat e rënda psikologjike posttraumatike. Kjo është sfida më e madhe, përpos rikuperimit të dëmeve, pasi ka të bëjë me nevojën e një betejë dhe energjie potenciale të shumëfishtë në përballimin me sukses e me dinjitet të gjithë këtyre pasojave. Por, më e rëndësishme është se tash duhet të dimë të administrojmë mirë situatën, në të cilën ndodhemi, duke shmangur së pari gjuhën e drunjtë, retorikën e panevojshme, betejën e pandershme politike që provokon konfliktin social. Njerëzit duan të ndiejnë dorën e ngrohtë të shtetit dhe të shoqërisë, sigurinë dhe vijueshmërinë për normalizimin e gjendjes, duke bashkëvepruar e bashkërenduar të gjitha hapat dhe veprimet përmes hallkave të pushtetit lokal dhe atij qendror, me synimin për të minimizuar dhe rikuperuar sa të jetë e mundur pasojat dhe dëmet. E gjitha kjo kërkon një ndërveprim të kujdesshëm dhe efikas operacional në mënyrë kapilare mes gjithë aktorëve institucionalë politikëbërës dhe atyre të ligjzbatues. Lypset një solidaritet i gjerë social në funksion të paqes dhe sigurisë. Kjo duhet të reflektohet dhe të nxitet së pari nga ata që kanë mandatin e qeverisjes për administrimin e vendit, të cilët janë të parët që duhet të japin shembullin për garantimin e paqes sociale dhe sigurimin e një konsensusi të gjerë për organizimin dhe marrjen e një plani të gjerë masash për shfrytëzimin e të gjitha resurseve dhe kapaciteteve në rikuperimin e pasojave të tërmetit, përmes bashkëpunimit dhe ndërveprimit me të gjithë aktorët institucionalë, qeveritarë dhe joqeveritarë. Deri tani kemi parë se ka një organizim sporadik e fluid jo shumë eficient në administrimin e gjendjes nga qeveria dhe strukturat e pushtetit lokal, nga të gjitha institucionet dhe organizmat e Emergjencës Kombëtare Civile, ngase, me sa duket, ato u gjendën të papërgatitura dhe të brishta përballë një situate të tillë të jashtëzakonshme. Për këtë po diskutohet shumë, me keqdashje ose pa keqdashje, por në një kohë të trishtë e të gabuar, pasi nuk është momenti të drejtojmë gishtin te shkaktarët e kësaj katrahure, ku pa dyshim, pas kësaj që ndodhi, do të ketë përgjegjës dhe fajtor. Tashmë, ajo që vendi dhe njerëzit kanë nevojë sot, është qetësia dhe maturia për miradministrimin e krizës dhe kthimin e gjendjes në normalitet. Është koha të shohim njëri-tjetrin në sy dhe t’i japim dorën e ndihmës atij që është në nevojë. Vendi ynë sot ka nevojë për qetësi, urti, kompromis, tolerancë dhe maturi. Ka nevojë për shpresë dhe optimizëm, për njerëz të mirë e të zot, por mbi të gjitha, ka nevojë për profesionistë e teknicienë të kualitetit të lartë. I kemi ende në mes tonë, edhe pse shumica e kanë braktisur Shqipërinë pa dëshirë, jo se nuk e deshën vendin e tyre, porse Atdheu nuk mundi t’u ofrojë pjesën që u takon. Pas një stuhie e rrebeshi, gjithmonë ka një ditë me diell që do të na ngrohë në tokën e përbashkët. Por që të kemi sa më shumë ditë të tilla në jetët tona, na duhet të kemi një tjetër Shqipëri…(!!!) Një Shqipëri më të dashur, më të dhembshur, më bujare, më të paqtë e më të begatë për të gjithë shqiptarët. Duam një Shqipëri ku secili prej nesh t’i japë më të mirën tonë dhe jo t’i marrim gjithçka asaj. U desh të ndodhte gjëma, që shqiptarët, veçanërisht brezi i ri i sotëm, të njohë një copëz nga Shqipëria që do të donim të gjithë ta kishim, por që fatkeqësisht ende nuk e kemi atë model të Shqipërisë së vërtetë, të munguar për plot 30 vjet në këtë tranzicion kaotik. Përmes intervistave në disa ekrane të ndryshme televizive, shqiptarët kanë parë dhe kanë kuptuar se ka edhe një tjetër Shqipëri më të mirë nga ajo që kemi parë deri më tani. Është Shqipëria e njerëzve të mençur e të ditur, të përulur, të urtë e modestë deri në madhështi. Është Shqipëria e pa bujë, e padukshme, e patrukuar nga kozmetika dhe falsiteti i kohëve që jetojmë. Njëra prej tyre është edhe Luljeta Bozo. Ajo mban mbi supe afro tetë dekada jetë e sërish shndrit si një rubin me imazhin e saj rrëzëllues e të praruar, duke përcjell jo vetëm paq e dashuri (sa nevojë kemi veçanërisht sot), por edhe një energji pozitive të pashoq, mençuri, bujari, fisnikëri, besim e siguri në atë që thotë. Kujtesa fantastike dhe artikulimi që bën në publik me fjalët e përzgjedhura e të kursyera, të shqiptuara pastër e bukur e me shumë kujdes, janë të admirueshme, mbresëlënëse. Ato e kanë eklipsuar protagonizmin, retorikën dhe propagandën e despotëve të pushtetit, duhinë e pizevengëve të mllefosur, kakofoninë inflacioniste parazitare të gjithologëve opinionbërës, mërinë dhe cinizmin e pavend që gëlon skutave të thashethemnajave konspirative në këtë kohë gazepi, ku, në fakt, duhet të na udhëheqë arsyeja, vetëpërmbajtja, pendesa, toleranca dhe ajo që është më kryesorja, solidariteti, aq shumë i nevojshëm në këto çaste të vështira për të përballuar sa më lehtë pasojat e rënda të pabesisë që na ofroi natyra. Mendimet dhe opinionet e saj, transmetojnë qartësisht jo vetëm bagazhin e madh dhe përvojën e një jete të tërë studimore, shkencore e akademike si inxhiniere e ndërtimit në fushën e shkencës gjeoteknike, por, edhe pasionin dhe kompetencën profesionale si mësimdhënëse e pedagoge, të cilat i mban ende gjallë duke i pasuruar dita-ditës me njohuritë më të reja të shkencës dhe zhvillimet që ndodhin kudo në botë. Ajo është një profesioniste e shquar e kalibrit botëror, mban tituj e grada shkencore dhe është autore e 35 librave me punime dhe qindra artikuj studimorë të botuar brenda dhe jashtë vendit në fushën e studimeve të gjeoteknikës. Tek-tuk e kemi parë të jetë e pranishme kohët e fundit në disa ekrane dhe rrjete sociale, veçanërisht në këto kohë të trishta që po kalon vendi. Përtej modestisë që e karakterizon atë dhe brezin nga vjen, duket se e ndjen si një përgjegjësi të domosdoshme të përballet denjësisht me dije dhe argumente me atë pjesë artifice, që sot përfaqëson mediokritetin, sharlatanizmin dhe inkompetencën në çdo fushë të jetës sonë. Tek e dëgjon profesoreshë Luljetën, ndien se ajo është e pranishme te të gjithë ne, të njohur dhe të panjohurit e saj. Duket sikur flet me zërin tonë të pafuqishëm, që shpeshherë bie në vesh të shurdhër dhe nuk dëgjohet atje ku duhet, sepse neglizhohet dhe injorohet nga paaftësia dhe arroganca shtetërore e zhytur nga krimi dhe korrupsioni administrativ. Ajo është e bindur se çfarë ka ndodhur, nuk lidhet vetëm me forcat e errëta të natyrës, por më së shumti edhe me mëkatin njerëzor dhe abuzivitetin. Edhe pse është e ndërgjegjshme për katrahurën dhe dëmet e pallogaritshme në kaosin urban të vendit tonë, që kanë ardhur përmes abuzimeve, paligjshmërisë dhe korrupsionit në fushën e ndërtimeve dhe kanalizimeve pa kriter, me qetësinë dhe dashamirësinë e një zonje fisnike, arsyeton, konstaton, argumenton dhe sugjeron, duke vendosur gishtin mbi plagë për gjërat sesi mund të rregullohen në përputhje me rregullat e gjeoteknikës dhe ligjet e natyrës. Ndërsa për ata që e privuan profesoreshën e nderuar, duke e nxjerrë në pension në kohën kur ishte në kulmin dhe energjitë e saj të pashtershme për të kontribuar për vendin në fushën e inxhinierisë, ajo hesht dhe nuk mban asnjë mllef, nuk shan, nuk mallkon. Dëshira e saj e vetme është që të promovohen sa më shumë njerëz të mençur e të ditur, teknicienë dhe profesionistë nga më të zotët që ka vendi. E nëse një ditë kjo do të ndodhë, me siguri nesër do të kemi një tjetër Shqipëri si Luljeta!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura