Një rrëfyestore për…

Dec 25, 2016 | 12:00
SHPËRNDAJE

tupjaEDMOND TUPJA

Për çfarë? Po sigurisht për t’u rrëfyer, për çfarë tjetër, o lexuesi im i përjavshëm! Veçse kujdes, për t’u rrëfyer sipas ritit të fesë së krishterë, duke u futur në qelën e rrëfimit, d.m.th. për t’iu rrëfyer priftit, pra, për t’i treguar atij mëkatet që ke bërë apo ka menduar të bësh dhe duke u paraqitur i penduar e duke kërkuar falje për ato. Ndoshta në këtë periudhë të vitit, d.m.th. në atmosferën e Krishtlindjeve, rrëfimi i mëkateve për njerëzit e të gjitha feve, por edhe për ata që nuk besojnë apo besojnë herë pas here, apo që një ditë besojnë e tjetrën jo, ose që besojnë por nuk shkojnë në kishë, ose që nuk besojnë e megjithatë shkojnë në kishë, si edhe për ata që janë agnostikë, rrëfimi i tyre, pra, do të ishte një lloj terapie e dobishme, sepse pendimi dhe të kërkuarit falje e pastron njeriun, e bën sadopak më të besueshëm, më të mirë.

Oh, njeriu i sotëm, pra, ai i kohëve moderne (nganjëherë më shumë moderne sesa duhet e mundet) nuk është e thënë të rrëfehet vetëm në kishë, te prifti, duke u futur në rrëfyestore, sepse priftit po i bëjnë konkurrencë psikologët, psikiatrit dhe psikanalistët. Në rregull, e saktësuam për çfarë duhet një rrëfyestore, por pyetja që shtrohet, të paktën për mua dhe disa prej të ngjashmeve të mi, jo vetëm në fund të vitit, por edhe në çdo periudhë të tij, është: një rrëfyestore për kë? Përgjigjja duket e krejtësisht e lehtë: Për kë? Po për njerëzit, ta pret mendja, pse, për kafshët?

Kjo përgjigje duket krejt e thjeshtë dhe e natyrshme, por, po ta mendosh thellë, nuk është edhe aq e tillë, pra, e thjeshtë dhe e natyrshme, besomëni. Si kështu? Po në qoftë se njeriu sillet si kafshë, shtazë e bishë njëkohësisht, si i bëhet? Në qoftë se ai tregohet i egër si tigri, i pabesë si gjarpri, i pamëshirshëm si peshkaqeni, ose i egër, i pabesë dhe i pamëshirshëm njëherazi, pra, si diktator, tiran, despot apo satrap i përbindshëm, ndonëse me emrin latin homo sapiens, a nuk do të kishte edhe ai, veçanërisht ai, mëkate për të rrëfyer?

Pasi e shoshita thellë këtë përgjigje me miqtë e mi të mençur e të përhershëm Aqif Qifa, Françesk Armadhi e Vangjel Lezeti, arrita në përfundimin se edhe gjallesa homo albanicus duhet të gjejë mënyrën për t’u rrëfyer në mos për të kërkuar mirëfilli falje, të paktën për t’u distancuar nga… vetvetja! Mirëpo, ky përfundim nxori në pah një tjetër problem: Sipas cilës radhës duhet të futen shqiptarët në rrëfyestoren jo vetëm të priftit, jo vetëm në kabinetin e psikologut, e psikiatrit apo të psikanalistit, por sidomos, kryesisht e në veçanti në rrëfyestoren e ndërgjegjes së tyre individuale e kolektive në e paçin deri diku një të tillë? Pra, cili do të futet i pari në këtë rrëfyestore, ai varfanjaku, i skamuri, i dobëti, i pambrojturi, i pafuqishmi, i humburi, i pamunduri, fatkeqi apo, në të kundërt, i Fuqishmi, Pasaniku, Bosi, Shefi, Kryetari, Nënkryetari, i Madhi, Zëvendësi i të Madhit,

Njëshi, me njëqind a një mijë vende bosh nga prapa dhe pas atij Dyshi, ndoshta edhe Treshi? Po ata që na kanë qeverisur, na qeverisin e do të na qeverisin, përfshirë deputetët e shumicës e të opozitës, gjykatësit e prokurorët, ushtarakët e lartë dhe kryepolicët, klerikët e lartë të të gjitha feve, a do të jenë vallë të parët apo të fundit që do të mësyjnë triumfalisht drejt rrëfyestoreve mikpritëse deri në mallëngjim metafizik e në dalldi dialektike?

Sido që të ndodhë, nuk besoj se do të ketë aq shumë njerëz në radhë sa të jetë e nevojshme, oh, ç’po them kështu, jo, jo e nevojshme, por e domosdoshme, e pashmangshme, tmerrësisht e ngutshme, që të importohen me përparësi të rrufeshme rrë- fyestore nga tërë vendet e krishtera në Veri, Jug, Lindje e Perëndim të Shqipërisë sonë tmerrësisht demokratike. Së fundi, po vetë priftërinjtë te kush do të rrëfehen? Nuk di ç’të them, por…, por… më duket se e gjeta, po, po e gjeta. Ata do të rrëfehen… do të rrëfehen te… te… Babagjyshi i Vitit të Ri!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura