Një roman nga Vanessa Diffenbaugh, botuar nga “Dudaj”

Dec 15, 2014 | 15:49
SHPËRNDAJE

Vanessa Diffenbaugh
Gjuha e fshehtë e luleve
Roman
Përktheu: Adrian Beshaj
Nr. faqe: 356
Çmimi: 1100 lekë
Në botën e fshehtë të luleve

Kur duam të japim një mesazh, ndodh ta bëjmë këtë edhe përmes luleve. Jo vetëm ngjyrat e tyre kanë domethënie. “Gjuha e fshehtë e luleve” i Vanessa Diffenbaugh, ardhur në shqip nga shtëpia botuese “Dudaj”, nën përkthimin e Adrian Beshajt, na fut në një botë të panjohur aromash, ngjyrash, domethëniesh. Viktoria ka frikë nga kontakti fizik. Ka frikë nga fjalët, nga fjalët e saj dhe ato të të tjerëve. Por sidomos ka frikë të dashurojë dhe të lejojë ta dashurojnë. Ka vetëm një vend ku frika e saj tretet në heshtje dhe në paqe: ai është kopshti i saj i fshehtë në lulishten publike të Portero Hill-it në San Francisko. Pikërisht nëpërmjet gjuhës së luleve, Viktoria shpreh emocionet e saj më të thella. Livanda për mosbesimin, carangthi për mizantropinë, trëndafili i bardhë për vetminë. Sepse Viktoria nuk ka pasur një jetë të lehtë. E braktisur që në djep, e ka kaluar fëmijërinë duke u hedhur sa te njëra familje birësuese te një tjetër. Deri në takimin dramatik dhe tronditës me Elizabetën, e vetmja nënë e vërtetë që ka pasur ndonjëherë, gruaja që ia mësoi gjuhën e fshehtë të luleve. Dhe tani, pikërisht falë kësaj dhuntie magjike, ka marrë në dorë jetën e saj: tashmë është tetëmbëdhjetë vjeçe dhe punon si luleshitëse. Lulet e saj janë ndër më të kërkuarat në qytet, dhurojnë lumturi dhe shërojnë shpirtin. Por Viktoria nuk e ka gjetur ende lulen që është në gjendje të përthajë plagën e saj….
“Gjuha e fshehtë e luleve” është një fenomen editorial. I kërkuar nga të gjithë botuesit, është shitur në njëzet e shtatë vende me ankande luftarake dhe shifra rekord. Për të shkruar “Gjuha e fshehtë e luleve”, Vanessa Diffenbough u frymëzua nga përvoja e saj si nënë birësuese. Pasi studio shkrim krijues në Stanford, mbajti kurse arti dhe shkrimi për adoleshentët e lagjeve të varfra. Ajo dhe i shoqi kanë tre fëmijë dhe jetojnë në Kembrixh, në Masaçusets. “Gjuha e fshehtë e luleve” është romani i saj i parë.

Nuk kam besim si livanda.
Mbrohem si rododendri.
Jam e vetmuar si trëndafili i bardhë
dhe kam frikë.
Dhe kur kam frikë, zëri im janë lulet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura