Një risi nga politika e të rinjve

Aug 14, 2020 | 10:20
SHPËRNDAJE

FATBARDH KADILLI 

kadilli

Një spot i të rinjve të Foru mit Demokrat të Sarandës ishte lajmi më i mirë nga politika në javën që shkoi. Kaloi pa u vënë re, ose nuk u kuptua. Nuk mori as vëmendjen që i takonte nga strukturat komunikuese të PD-së. Meritonte të ishte promovuar nga faqja e PD-së, pse jo edhe e Bashës.

Spoti ishte një ftesë e ndjerë: “Ju presim në Sarandë”. Zakonisht, spote të tilla bën ministria apo agjencia e turizmit. Por, kësaj here këtë ftesë e bënë të rinjtë e opozitës. Duket si diçka përmbys nga realitetet politike shtampe. Në fakt, është një risi. Këta të rinj, para se të jenë demokratë, janë qytetarë të angazhuar. Para se të jenë opozitarë, janë qytetarë që duan zgjidhje. Nuk ka munguar angazhimi i tyre në opozitë me qeverisjen. Nuk kanë munguar as në protestat e ashpra, nuk kanë abstenuar, madje kanë mbështetur aksionet radikale të opozitës. Por, ata provuan që janë më shumë se aq. Janë më shumë se refuzim, rezistencë, protestë. Provuan se janë qytetarë dhe performojnë politikë qytetare. Thellësisht e ndryshme nga tradita. Nuk mjafton që opozitat të edukojnë të rinj aktivë dhe militantë të ardhshëm. Opozitat duhet të shërbejnë. Pa u denatyruar në misionin e tyre, opozitat shërbejnë me propozim për politika të ndryshme nga qeveria. Të rinjtë e forumeve kanë shërbyer politikisht duke promovuar ofertën e opozitës për qeverisjen e nesërme. Por këta të rinj sarandjotë shkuan edhe më tej. Shërbyen si të ishin përgjegjës për sot. Turizmi në Sarandë vuan nga bllokimi, vuan nga punimet në sezon të papërshtatshëm, vuan nga tatimorët dhe inspektorët që i mbytën me gjoba, vuan varfërinë, rënien ekonomike, pakësimin e kërkesës së brendshme. Ndaj këtyre vështirësive, ndaj kësaj krize, të rinjtë demokratë sarandjotë kanë bërë më të mirën e tyre. Kanë bërë ftesë që më shumë shqiptarë të zbulojnë bukuritë e qytetit, bukuritë e natyrës, pasuritë historike, aventurën e turizmit. Ata kanë shërbyer për çdo operator turistik pa dallim. Ndryshe nga nëpunësit e shtetit që bredhin nëpër hotele, restorante si gjobaxhinj, këta të rinj opozitarë ndihmojnë. Ata bëjnë atë që nuk bën shteti. Ndihmojnë të lehtësohet kriza.

Kjo është sjellje ndryshe në politikë. Shpesh, politika fërkon duart dhe bën llogari cinike për krizat. Por, nga krizat askush nuk fiton. Kriza i varfëron të gjithë. Politika që gjallon mbi krizën nuk shpërblehet nga besimi dhe vota. Politika që propozon, politika që shërben, shpërblehet me besim dhe me votë. Kjo është risia e Forumit Rinor Demokrat të Sarandës. Këtë duhet ta shohim të gjithë si një shembull që ndoshta nuk do ta ndryshojë modelin e të berit politikë, por, më e pakta, do ta pasurojë atë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura