Një restorant muze për Luçiano Pavarotin, shijuesin e përjetshëm

Jun 18, 2015 | 14:22
SHPËRNDAJE

“Një nga gjërat më të bukura të jetës është se si jemi vazhdimisht të detyruar që të ndërpresim gjithçka jemi duke bërë, për t’i kushtuar të gjithë vëmendjen tonë ushqyerjes”, thoshte Luciano Pavarotti. Për të, tenorin e madh por edhe kuzhinierin e mirë, notat muzikore shkonin gjithnjë paralelisht me ushqimin. Në Modena është ende restoranti “Europa ’92”, restoranti i ‘tij’, që donte ta kishte fare pranë vilës ku banonte. I ndante vetëm një kangjell. Ishte i gjithi shtëpi, teatër dhe kuzhinë; emiliane sigurisht.
Tani, po ato shije që ai donte të provonte nga njëri turne në tjetrin, spostohen pak më në veri. Nga 12 qershori u hap në Milano ‘Pavarotti Milano Restaurant Museum’, një restorant muze kushtuar mjeshtrit. Është një lokal thuajse i fshehur, në zemër të galerisë ‘Vittorio Emanuele’.

Është një vend ku takohen shumë mirë ushqimi dhe muzika, ashtu siç tenori donte e shijonte gjithnjë. Menyja është mjaft ‘demokratike’, mund ta provojë kushdo që i bie rruga andej; një antipastë, një pjatë e parë dhe një gotë verë për 15 euro. Të gjitha produktet tipike vijnë nga Emilia-Romagna, tokë e pasur e produkteve Dop (emërtime të mbrojtura të origjinës).
“Luciano i pëlqente shumë pastat, sidomos ato të mbushurat, tortelinit apo tortelonit. Shtëpia e tij ishte përherë e hapur për miqtë ku hanin të gjithë së bashku. Kishte për qëllim të përshtatej me jetën në të gjitha aspektet. Mendoj që do të lumturohej po t’i njihte edhe të tjerët me atë që pëlqente vetë”, kujton e shoqja, Nicoletta Mantovani. E nëse doni përmes ushqimit të ndiheni më pranë me tenorin e madh, provoni taliatelet me ragu, një pjatë që ai do të kishte zgjedhur gjithnjë me dëshirë. Po ju japim recetën më poshtë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura