Një pyetje e munguar për Thaçin

Sep 8, 2018 | 12:40
SHPËRNDAJE

ISLAM LAUKA*

islam lauka

Parmbrëmë, në emisionin “Opinion” të televizionit “Klan”, pak orë para takimit me homologun serb Vuçiç, atëherë kur pritej, të paktën, një transparencë minimale mbi përmbajtjen e bisedimeve Kosovë-Serbi, Presidenti Thaçi e bëri edhe më të dendur mjegullën rreth kësaj çështjeje. Ai ripërsëriti qëndrimet e deklaruara prej tij, në sa e sa konferenca shtypi: jo ndarje, jo shkëmbim territoresh, por vetëm korrigjim kufijsh dhe, si rezultat i këtij korrigjimi – bashkimi, në tërësi, i Luginës së Preshevës me Kosovën. Pyetjes së gazetarit Blendi Fevziu, përse do ta nënshkruante Serbia marrëveshjen përfundimtare me Kosovën, pra, çfarë do të marrë ajo në këmbim të Luginës, Thaçi iu kundërpërgjigj, “Ti ke kasavetin e Serbisë?”

Kjo është një metodë tipike e autokratëve dinakë siç është Presidenti rus Putin, për t’iu bishtnuar pyetjeve të drejtuara, duke sulmuar me akuza të pabaza vetë intervistuesin.

Partitë politike, elitat intelektuale, shoqëria shqiptare, në përgjithësi, nuk duan që të lihen në terr informativ, sidomos tani që po diskutohen çështje kaq jetike, si territori. Ato nuk e kanë kasavetin e Serbisë, por janë të interesuara që të dinë çfarë do të marrin dhe çfarë do të japin, para se të nënshkruhet marrëveshja përfundimtare me Serbinë. Shqiptarët duhet të njihen, paraprakisht, me çmimin, të dinë koston, sa kushton kjo marrëveshje. Që kushton shumë, këtë e di më mirë se kushdo, Thaçi, sepse e ka thënë e stërthënë, me muaj të tërë, nëpërmjet togfjalëshit, “kompromis i dhimbshëm”.

Në qoftë se, siç deklaron ai, nuk do të ketë ndarje, as shkëmbim territoresh; nëse Mitrovica, Trepça dhe Ujmani do të mbeten në përbërje të Kosovës; nëse asaj do t’i bashkëngjitet Lugina e Preshevës, nëse, në fund të këtij procesi, do të njihet nga Serbia, si shtet i pavarur dhe sovran, atëherë, ky do të ishte “kompromisi më i lumtur” për të gjithë shqiptarët dhe Hashim Thaçi do të duhej, menjëherë, të shpallej hero kombëtar dhe, njëlloj si Skënderbeut, t’i ngriheshin monumente, në përkujtim të veprës së tij heroike, në Tiranë, Prishtinë, Tetovë, Preshevë dhe Ulqin.

Në këtë rast, do të ishte plotësisht i justifikueshëm parashikimi i Vuçiçit për “kompromis të dhimbshëm” të Beogradit, sepse e fituara, në mënyrë krejtësisht të qartë dhe të pakundërshtueshme, do të ishte Kosova, ndërsa, e humbura, në mënyrë krejtësisht të qartë dhe të pakundërshtueshme e këtij procesi, pa diskutim, do të ishte Serbia. I pajustifikueshëm do të mbetej shqetësimi i Thaçit, sepse përbën paradoks fakti që ruajtja e integritetit territorial të shtetit dhe zgjerimi i tij me 3 komuna, aktualisht në përbërje të Serbisë, por të banuara nga shqiptarët dhe të njohura, historikisht, si territore të tyre, të konsiderohen prej tij si “kompromis i dhimbshëm”. Pyetja e munguar mbrëmë ishte: Për çfarë dhimbjeje flet Thaçi? Apo, ku i dhemb konkretisht atij? Dhe më tej, në emër të kujt flet Hashim Thaçi?

*Ish-ambasador i Shqipërisë në Prishtinë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura