Një propozim-zgjidhje për PD-në

Sep 21, 2018 | 19:07
SHPËRNDAJE

ERMAL HASIMJA

ERMAL HASIMJA

Shkurt: PD-ja e sotme nuk ka asnjë shpresë për të marrë pushtetin e për të ndryshuar vendin. Ajo nuk ngjall asnjë shpresë as për antikorrupsionin, as për antikomunizmin, as për aftësinë për qeverisje. Përtej militantëve të patundur, ajo nuk bind më askënd. E kam fjalën për gjithë PD-në: jo vetëm Basha, por edhe kundërshtarët e tij,

Për të kuptuar kapacitetin e këtyre të fundit, mjafton të shohim rezultatin e luftës së tyre: e vetmja shpresë mbetet rizgjimi i Berishës. E kuptueshme në një parti ku gjithë protagonistët janë njësoj si Basha, të katapultuar në PD nga vetë Berisha.

PD-ja ka qenë diçka tjetër dhe duhet të jetë diçka tjetër.

Si mund të ishte një zgjidhje e mundshme pragmatike? Duke qenë se as Basha dhe as kundërshtarët e tij nuk do të mund t’i japin drejtim duelit, e vetmja zgjidhje mbetet kompromisi. Teknikisht mund të paraqitej kështu: PD-ja shndërrohet në një parti e stilit amerikan me një statut të ngjashëm me atë të SFIDE-s në zgjedhjet e fundit. Kryetari i partisë ka thjesht funksione administrative, por jo funksione drejtuese politike, ndërsa udhëheqësinë e partisë e merr në dorë një personazh i pranuar me kompromis nga të dyja palët dhe sidomos me pëlqim nga opinioni publik. Ky personazh do të ishte edhe Kryeministri i ardhshëm. Basha dhe kundërshtarët e tij mbeten në raportin aktual të forcave, por me dallimin që asnjëra palë nuk ka monopolin e pushtetit. Përkundrazi, me detyrimin e bashkëpunimit. Mosrespektimi i produktit të këtij kompromisi do të thoshte automatikisht dalje përfundimtare nga loja të cilësdo palë që ngre krye, jo thjesht për shkak të marrëveshjes, por mbi të gjitha për shkak të peshës që do të mund të merrte ky drejtues politik në sytë e opinionit publik. Në kushtet e sotme, një opozitë normale do të fitonte zgjedhjet edhe po të kandidonte me Nastradinin. Por opozita është më keq se kaq. As Basha e as kundërshtarët e tij nuk ngjallin asnjë shpresë e besim tek ajo pjesë e elektoratit gri që nuk ka ikur ende në Gjermani.

Një zgjidhje e tillë i heq Bashës mundësinë e të qenit Kryeministër. Por le të jemi realistë: kjo mundësi është pranë zeros, gjithsesi. Zgjidhja në fjalë i jep atij mundësinë të mbijetojë në kuadër të një pushteti shumëkokësh në PD, në të cilin ai, për shkak të pozicionit, nga i cili e nis lojën, do të kishte një rol vendimtar, pa qenë sundues.

Kjo është pjesa e parë e zgjidhjes. Nuk mjafton vetëm kavardisja e brendshme e PDsë. Duhet edhe pastrimi. Sepse PD-ja mund të fitojë vetëm nëse qytetarët e vendit bëhen aksionarë të saj. Për këtë duhen disa vendime të dhimbshme, por të domosdoshme:

1. Një veting i brendshëm i PD-së me qëllim spastrimin nga radhët e saj të cilitdo, që nuk justifikon pasurinë ose ka pasur histori korrupsioni në të shkuarën. PD-ja është pothuajse po aq e krimbur sa PS-ja me personazhe të tillë. Ky proces do të ishte një mënyrë e mirë për të pastruar partinë pa ngjallur pakënaqësinë tipike politike. Përtej strategjive kamikaze të Bashës le të kujtojmë se kryengritja në PD ushqehej e ushqehet më tepër nga largimi prej protagonizmit sesa nga humbja e vlerave morale të partisë. PD iku nga pushteti nën muzikën e korrupsionit e vjedhjes, ndërkohë që as Basha e as kundërshtarët e tij nuk e kanë denoncuar ndonjëherë këtë problem.

donjëherë këtë problem. 2. Shmangia e tundimit të bashkëpunimit me LSI-në dhe me parti të vogla klienteliste. Me këto parti, PD-ja mund të marrë votat e tyre, por do të humbë votat e elektoratit gri. Madje, në kushtet aktuale të vendit, nuk është çudi që të merrte edhe plot vota të majta. Mund të ketë bashkëpunim opozitar me partitë e tjera, por jo koalicion.

3. Kërkimin e garancive të forta për futjen në zgjedhje për të shmangur blerjen e votës.

Farsat me hapje partie nuk kanë më asnjë efekt. Ndoshta afrojnë oportunistë të vjetër që janë mërzitur më herët me partinë, por jo besimtarë të vërtetë, në vlerat me të cilat u ngjiz PD.

Sa është probabiliteti që kjo zgjidhje të realizohet. Shumë i vogël. Basha synon të kapet me dhëmbë pas pushtetit të kryetarit, pavarësisht dështimeve drejt të cilave po drejtohet. Kundërshtarët e tij në PD kanë mbetur në dorë të Berishës. Kurse ata që mbështesin shpirtërisht vlerat fillestare të partisë, nëse ka ende prej tyre, nuk i kanë sytë nga partia e as nga Shqipëria.

Por ndoshta ka mbetur ende pak racionalitet në mendjet e atyre që po marrin në qafë opozitën më të fortë potenciale

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura