Një propozim i paturpshëm

SHPËRNDAJE

Enno-Bozdo

ENNO BOZDO

Në një takim-koktejl, në praninë e 200 biznesmenëve të mëdhenj të vendit, Edi Rama bëri thirrje për krijimin fondit të veçantë të “Shqipërisë Solidare”. Ai propozoi që 2% e dividendit të të pranishëmve të shkojë për financime të projekteve në zbutje të varfërisë, pabarazisë dhe hendekut të madh ekonomik dhe social të krijuar në Shqipëri, veçanërisht në vitet e fundit.

Edi Rama ua serviri këtë ide të pranishmëve biznesmenë, duke u kujtuar atyre se ai i njihte dhe i mbante parasysh sakrificat e tyre si dhe kontributin e tyre të madh në ekonomi dhe shoqëri. “Për fat të keq, – theksoi Kryeministri, segmente politiko-populiste ju etiketojnë si oligarkë dhe grabitqarë, po unë e di se sa shumë keni sakrifikuar, për të mbërritur këtu ku jeni”. Pak a shumë, ky,ishte edhe thelbi i mesazhit të Kryeministrit për biznesin e pranishëm në takim.

Së pari, nuk ka absolutisht asgjë për t’u kritikuar në idenë që ata, të cilët përfitojnë më shumë nga mundësitë që jeta apo shoqëria u ka dhënë, të kontribuojnë gjithashtu më shumë për shoqërinë, vullnetarisht, nëpërmjet bamirësisë apo filantropisë. Në këtë kontekst, Edi Rama ka të drejtë kur flet për “një ide që i ka ardhur koha”, apo ndryshe kur kërkon të nxisë solidaritetin njerëzor dhe shoqëror, tipar ky që përgjithësisht është prezent në çdo shoqëri të zhvilluar apo në zhvillim, siç është rasti i Shqipërisë.

Së dyti, edhe pse si rregull, filantropia apo bamirësia është e brendshme dhe buron nga formimi i individit dhe jo nga detyrimi, dhe se ajo nuk realizohet dot me kërkesa personale, qofshin këto edhe kërkesa të Kryeministrit, përsëri politika mbetet një instrument që duhet ushtruar në raste të tilla, aq më tepër kur qëllimi i saj, (d.m.th. qëllimi i Edi Ramës) duket në pamje të parë, i ndershëm.

Së treti, për të qenë të paanshëm deri në fund, na duhet të pohojmë se çdo vend i këtij rruzulli, pavarësisht pasurisë së tij, përballet me pabarazi dhe varfëri dhe se buxheti i qeverisë pothuajse asnjëherë nuk mjafton për të zgjidhur përfundimisht pabarazinë dhe varfërinë sociale.

Pra, në të gjitha rastet, nuk mund t‘i kërkohet një qeverie, ose më mirë asnjë qeverie, që të përballet e vetme me këto probleme. Shoqëritë e zhvilluara kanë shpikur instrumente të ndryshme, mes tyre filantropia, për të shëruar “plagët”, që vetë sistemi politikoekonomik krijon. Historia, gjithashtu, na mëson se kur vjen fjala tek edukimi, varfëria, papunësia, hendeku pasuror apo kulturor social, filantropia e individit dhe jo rishpërndarja e shtetit kanë dhënë zgjidhje më të qëndrueshme dhe më afatgjata sesa buxheti i përvitshëm social i akorduar nga qeveria.

I rendita argumentet e mësipërme, sepse besoj se një ide e vlefshme duhet konsideruar si e tillë dhe nuk duhet stigmatizuar, pavarësisht se ajo vjen si propozim i kundërshtarit politik.

Por, referenca ndaj filantropisë dhe bamirësisë, veçanërisht për politikanët (si Edi Rama) që luajnë me këtë ide, që marrin përsipër ta propozojnë këtë publikisht, është një veprim që implikon shumë. Mbi të gjitha, ajo implikon personin që e propozon këtë. Implikon Edi Ramën si Kryeministër, si figurë publike dhe pa dyshim si karakter njerëzor.

Me pak fjalë, që “ideja që i ka ardhur koha” të krijojë moment dhe te rezonojë siç duhet, propozuesi duhet të tregojë më vepra se ai, brenda mundësive të tij si Kryeministër, ka bërë gjithçka që ka pasur në dorë për të ndihmuar në lehtësimin e problemit të varfërisë dhe pabarazisë. Ai duhet të demonstrojë, siç edhe vetë ka premtuar përpara se të vinte në pushtet, që ka bërë gjithçka që hendeku midis të pasurve dhe të varfërve të zvogëlohet dhe se ka vënë në zbatim politika të tilla sociale, të cilat kanë ndihmuar sadopak në zgjidhjen e këtij problemi të mprehtë e të rëndë shoqëror.

Së pari, për fat të keq, Edi Rama do të mbahet mend si Kryeministri që përjashtoi disa dhjetëra mijëra familje nga ndihma ekonomike, bazuar në një sistem grabitqar dhe abuzues, që opinionit publik iu shit si reformë e Bankës Botërore. Raste të panumërta ku mijëra familje janë përballë urisë kronike, ku nuk kanë asnjë mundësi të zgjidhin ushqimin bazik, faturat e energjisë elektrike apo ilaçet e domosdoshme, janë denoncuar shpesh nga opozita dhe media. Shqipëria është sot ndoshta i vetmi vend në botë, që shënon vetëvrasje për pamundësi të pagesës së energjisë elektrike. Kryeministri e di këtë fakt! Reagimi i tij ka qenë përbuzës ndaj këtyre të mjerëve!

Sikur e gjitha kjo të mos mjaftonte, Kryeministri etiketon vazhdimisht shqiptarët si përtacë, dembelë, si njerëz që zgjedhin varfërinë, sepse nuk duan të shkollohen e të marrin profesion. “Punë ka, por s`ka specialistë”, ishte edhe është refreni i preferuar i Kryeministrit. Stigmatizimi i varfërisë si sëmundje që kap vetëm mjeranët, shtresat e ulëta të shoqërisë, është thelbi i mesazheve publike të Kryeministrit prej shumë kohësh. Mesazhe të tilla nuk përcjellin as edhe një gram dhembshuri apo solidaritet social.

Së dyti, fondet buxhetore për arsimin, shëndetësinë dhe përkrahjen sociale janë thuajse në nivelin e 6 viteve më parë. Ato për arsimin në të vërtetë janë ulur. Madje, po të llogarisësh efektin e inflacionit, rezulton se këto fonde janë edhe më të ulëta se 6 vite më parë. E pra, zgjidhja afatgjatë e problemit të varfërisë dhe të pabarazisë kalon nëpërmjet edukimit dhe përkrahjes sociale. Për një Kryeministër që ka premtuar shumë dhe që shfaqet si individ që ka përzemër solidaritetin social, këto shifra dhe fakte janë tronditëse dhe zhbëjnë plotësisht imazhin e politikanit (aq më tepër të majtë), që ka për zemër solidaritetin social.

Së treti, duke marrë shkas nga mesazhi që Edi Rama u përcolli biznesmenëve, ku u shfaq thuajse i drobitur nga fakti se segmente politike-populiste etiketojnë pa të drejtë biznesin e madh si “grabitqarë”, “oligarkë”, si shtresa që nuk kontribuon në ekonomi dhe shoqëri, por vetëm e rrjep atë.

Kjo ndjenjë nuk është e rastësishme. Ka një të vërtetë këtu. Dhe e vërteta është se ai që e ka provokuar këtë ndjenjë, është vetë personalisht Edi Rama. Sepse ai e ka ndarë biznesin në të “nënës” dhe të “njerkës”. Në miq, shokë dhe të tjerët që ngrohen në diell. Duke financuar miqtë e tij të ngushtë, jo më shumë se dhjetë apo dymbëdhjetë syresh, me projekte megakorruptive qindra milionë eurosh nëpërmjet skemës PPP, ka krijuar perceptimin tek opinion publik se të gjithë biznesmenët janë njësoj të korruptuar, hajdutë dhe se të gjithë që punojnë dhe fitojnë në këtë vend, i kanë shitur shpirtin shejtanit!

Por jo vetëm kaq. Sot, transparenca dhe korrektësia e sistemit elektronik të prokurimit publik është asgjësuar. Për të fituar një prokurim apo tender, duhet patjetër të dorëzosh paradhënie 20%, ndryshe je i mbaruar. Madje, dihet fituesi i tenderit ende pa u hapur gara. Dhe biznesmenët, edhe ata që Edi Rama kishte mbledhur për të përcjellë mesazhin e “Shqipërisë Solidare”, janë të detyruar t`i përshtaten realitetit, ndryshe nuk mund të mbijetojnë. Dhe siç edhe vetë Edi Rama thotë, është sistemi që prish njerëzit dhe jo e anasjella.

Nuk e di se çfarë halli mund të ketë Edi Rama kur detyrohet të flasë për Shqipërinë solidare, kur ai vetë është simbol i antisolidaritetit shoqëror, i provokimit social dhe arrogancës së pushtetit. Nuk ia njoh hallin, por e di që e ka shumë të madh derisa detyrohet të krijojë butafori të tilla për të përmirësuar imazhin e vetes. Sepse ajo shfaqje aty ishte vetëm për të dhe jo për njeri tjetër!

Në mesazhet e dhëna përpara biznesit, Edi Rama e ka ditur që “zëri me figurën” stonojnë plotësisht. Që mesazhi dhe ai vetë shkojnë në drejtime të kundërta. E ka ditur që është ironike dhe qesharake t`i shtrish dorën biznesit pasi i ke hedhur lakun në fyt dhe po i asfikson ngadalë. Është ironike dhe qesharake t`i dalësh në krah biznesit, pasi e ke rrënuar me taksa dhe e ke shembur me abuzivitetin e makinerisë shtetërore që drejton.

Ndoshta sondazhet i dalin shumë keq, ndoshta mund të ketë arsye të tjera të panjohura për ne, por gjithsesi të bëhesh qesharak kërkon guxim dhe kurajë. Edi Ramës nuk i munguan këto atë ditë!

Te lidhura


Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.