VIDEO- “Një pritje kaq njerëzore e shqiptare”/ Gjeniu i letrave shqipe, Ismail Kadare merr titullin “Qytetar Nderi” i Fierit

May 27, 2021 | 17:21
SHPËRNDAJE

Shkrimtari Ismail Kadare është vlerësuar me titullin “Qytetar Nderi” i Fierit, në një aktivitet zhvilluar në nder të tij, me rastin e 85 – vjetorit të lindjes, me ftesë të Fondacionit Harpa dhe mbështetje të Bashkisë së qytetit.

Gjeniu i letërsisë shqiptare u vlerësua me motivacionin e jashtëzakonshëm që i ka dhënë ndër vite letërsisë shqipe dhe për promovimin e saj në nivelet më të larta të kulturës botërore.

Për kontributin e jashtëzakonshëm që i ka dhënë ndër vite letërsisë shqipe dhe për promovimin e saj në nivelet më të larta të kulturës botërore. Me angazhimin dhe talentin e tij, i ka dhënë vlerë mendimit të spikatur dhe cilësor, duke lartësuar në arenën ndërkombëtare identitetit shqiptar”.

Ishte kreu i Bashkisë së Fier, Armando Subashi që ia dorëzoi këtë titull shkrimtarit me famë botërore.

Vetë shkrimtari Ismail Kadare në fjalën përshëndetëse teksa ka marrë vlerësimin nga kryetari Subashi është shprehur i kënaqur dhe shumë i vlerësuar nga ky gjest i Bashkisë Fier dhe mikpritja fierake.

Zoti kryetar i Bashkisë, të dashur qytetarë të Fierit, do t’ju them dy fjalë shumë të përdorura dhe që tingëllojnë ndoshta banale. Jam i lumtur që jam midis jush. Besojeni se për shkrimtarin, dashuria dhe mirëkuptimi i lexuesve është gjithmonë i shtrenjtë, shumë i shtrenjtë. Ndaj ju falënderoj nga zemra për këtë pritje, kaq të bukur, kaq të ngrohtë dhe kaq njerëzore dhe kaq shqiptare. Ju lumtë! Ju lumtë të gjithëve!”, tha Kadare.

Drejtuesja e Fondacionit Harpa, shkrimtarja Majlinda Rama, ndër të tjera u shpreh se ardhja e Kadaresë në Fier është një ngjarje historike për këtë qytet, pasi ai është shkrimtari që i dha identitet letërsisë kombëtare.

Ceremonia e vlerësimit u organizua në formën e një konference ku referuan emra të shquar të letrave dhe kritikës shqipe si: akademiku Ali Aliu, Prof.Dr. Sadik Bejko, Prof.Dr. Klara Kodra, botuesi Bujar Hudhri etj. Në këtë aktivitet ishte e pranishme edhe Alda Bardhyli, Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.

Referatet rreth krijimtarisë dhe karrierës së suksesshme të Kadaresë u përcollën me interpretimin brilant të aktorit të shquar Timo Flloko dhe aktorët e teatrit Bylis. Kujtojmë që ky vit (2021) është shpallur “Viti Kadare”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura