“Një pjesë e madhe e buxhetit do të shkojë tek Piramida”/ Nga shkollat te terrenet sportive, cilat janë projektet për Tiranën në 2021-shin

Nov 25, 2020 | 14:36
SHPËRNDAJE

Rindërtimi i shkollave, transformimi i piramidës në një akademi inovacioni dhe financimi i start up-eve për të rinjtë do të jenë disa nga prioritetet e bashkisë vitin e ardhshëm.

Erion

Deklarata u bë nga kryebashkiaku Veliaj gjatë dëgjesave publike me 10 të rinj të organizatave të ndryshme për projekt-buxhetin e vitit 2021. Sipas Veliajt pas hedhjes së themeleve për shkollën “Sami Frashëri” do të vijojë puna edhe për ndërtimin e 17 shkollave të reja.

“Jemi një vit nga tërmeti shkatërrues i nëntorit, i cili  na tregoi se shkollat e bëra në vitet ‘60-’70 ishin vetëm një tërmet larg, duke filluar nga shkolla ime e vjetër, ‘Sami Frashëri;’, që nuk do bëhet në Paskuqan, por aty ku ka qenë, e tashmë janë hedhur themelet për t’u ringritur dy herë më e madhe, për të pritur fluksin me 1500 nxënës, si një nga shkollat më të kërkuara të Tiranës. Përtej histerisë që ngrihet për çdo projekt, ‘Samiu’ është vetëm njëra nga 17 shkollat e reja që po bëjmë, bashkë me qeverinë, me projektin e rindërtimit të shkollave prej tërmetit. Ndërkohë, kishim një proces të nisur me 17 shkolla të tjera, në partneritet 50 me 50 në buxhet”, tha Veliaj.

Puna do të vijojë edhe me shtimin e terreneve sportive. “Do të vazhdojmë me terrenet sportive. Kemi filluar me palestrat në natyrë, duke qenë se gjithmonë e më shumë gjëra do të bëhen në natyrë. Liqeni i Farkës pothuajse po mbaron konturin e vet, duam të jetë një park i dytë. Shumë nga shkollat tona po i inkurajojmë të dalin në park, ish-shkolla ime e vjetër ‘20 Dhjetori’ fare mirë mund të përdori tani parkun ‘Rinia’, një tjetër produkt i histerisë kolektive, por që ja ku është sot, një bizhu në qendër të Tiranës”, tha ai.

Një vëmendje të veçantë në buxhetin e ri i kushtohet edhe transformimit të Piramidës, për ta kthyer në qendrën më të madhe të inovacionit, ku të rinjtë dhe të rejat do të mësojnë gjuhën e kodimit. “Është bërë rrethimi i Piramidës, aty do të fillojnë punimet për ta kthyer në një qendër të madhe rinore. Megjithatë, tek ‘Arena Kombëtare’ filluam kurset e Tumo-s për moshat 12-18 vjeç. Kurse, për moshën më të madhe hapëm Akademinë e Zhvillimit të Softuerëve, te Protik-u pas Kryeministrisë, që janë kurse më të specializuara. Një pjesë e madhe e buxhetit tonë për këtë vit do të shkojë tek Piramida. Një pjesë do të financohet këtë vit, pjesa tjetër do të financohet në 2022-shin”, sqaroi Veliaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura