Një person vdes në çdo 107 sekonda/ SHBA regjistron shifra rekord të infektuarish me Covid

Oct 31, 2020 | 18:22
SHPËRNDAJE

Shtetet e Bashkuara prijnë për nga numri i rasteve me COVID-19 në botë me rreth 9 milionë të infektuar. Ndërkohë të dhënat tregojnë se të premten u regjistrua numër rekord prej 100 mijë rastesh të reja brenda një dite.

covid shba

Në shtete si Uiskonsin autoritetet u kërkuan qytetarëve të ndihmojnë në parandalimin e përhapjes së virusit.

“Duhet të ndërmarrim veprime të rëndësishme e kolektive. Duhet të qëndrojmë në shtëpi. Shmangni kontaktin me njerëzit që nuk jetoni”, tha Andrea Palm I Departamentit të Shërbimeve Shëndetësore në Uiskonsin.

“70 nga 72 qarqet e shtetit tonë kanë nivele shumë të larta të sëmundjes. Spitalet janë të mbingarkuara. Dje, një në pesë spitale në Uiskonsin raportoi shkurtim kritik të stafit”, tha Julie Willems Van Dijk, e Departamentit të Shërbimeve Shëndetësore në Uiskonsin.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins në çdo 1.2 sekonda një amerikan rezulton pozitiv ndërsa një vdes çdo 107 sekonda.

Vendi i dytë më i prekur në botë është India që të enjten raportoi mbi 8 milionë raste prej fillimit të pandemisë. Ministria e shëndetit tha se ka një rritje prej 50 mijë infektimesh të reja ditore.

“Arritëm në 8 milionë infektime sepse njerëzit nuk po respektojnë distancimin fizik. Po ashtu, njerëzit nuk po i lajnë shpesh duart. Kemi shumë pacientë që vijnë pa një maskë në spitale dhe nuk u shmangen turmave”, tha Dr. Pankaj Yadav nga një spital nëDistriktin Moradabad.

Ekspertët bëjnë thirrje për kujdes ndërsa paralajmërojnë një valë të dytë të pandemisë.

“Nuk duhet ta ulim vigjilencën, sepse mund të vuajmë një valë të dytë. Ajo që kemi mësuar nga sëmundjet SARS dhe MERS, vala e dytë është më e rrezikshmja”, këshillon Prasanna Kumar T, Pulmologe në Spitalin MS Ramaiah.

Brazili është vendi i tretë më i goditur pas SHBA-së dhe Indisë, por zë vendin e dytë në botë për nga numri i viktimave me COVID-19.

Presidenti brazilian Jair Bolsonaro kritikoi vendet që rikthyen masat e izolimit me qëllim bllokimin e përhapjes së mëtejshme të virusit. Ndërsa numri I vdekjeve rritet, Brazili është kthyer në vendin kyç të testimit të vaksinës kundër koronavirusit si dhe ka miratuar provat klinike të fazës të fundit për katër vaksina./VOA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura