Një përmendore për Fatos Krasniqin dhe eprorët e tij në Hagë

Sep 26, 2022 | 7:50
SHPËRNDAJE

HAMDI V.THAÇI

hamdi-thaci

Një shkrimtar, një studiues nga jugu i Shqipërisë, Gjirokastra, ka botuar këto ditë një monografi për heroin e UÇK-së nga Drenasi i Kosovës. “Fatos Krasniqi, kur binin trimat”, libri më i fundit i Fitim Caushit, është në vetvete një përmendore jo vetëm për djaloshin 25-vjeçar që u vra një ditë shtatori në ballin e betejave me pushtuesit serb, por më shumë se kaq.

Është një përmendore për brezin e luftëtarëve të UCCK-së që me gjakun dhe kontributin e tyre i hapën rrugën lirisë dhe pavarësisë së Kosovës martire. Interesimit se kush është dëshmori Fatos Krasniqi, autori i librit i përgjigjet me një pedanteri të rrallë dhe me plot fakte që e bëjnë monografinë jo vetëm të lexohet me një frymë, por ta njohë nga afër historinë e Fatosit, nga fëmijëria, mosha rinore, pjekuria, jeta ushtarake deri në flijimin e tij.

Vetë subjekti, jeta dhe vepra e dëshmorit Fatos Krasniqi të preokupon, të bënë për vete, të forcon e të trimëron, të bënë ta lakmosh, madje edhe flijimin e dëshmorit, lakmi kjo që shprehet përmes deklaratave të bashkëluftëtarëve të tij, të cilët luftuan bashkërisht, por siç del nga të dhënat e tyre, që autori i ka mbledhur me kujdes, nuk e patën fatin e tij të flijohen. Fitim Caushi, ashtu si e do rendi për një libër të mirë, ka filluar me trungun familjar të Fatosit. Familja është faktori numër një i formimit të një personaliteti. Libri shpalos bukur se familja e Fatosit, brez pas brezi e djalë pas djali, kishte qenë në armiqësi me pushtuesit e atdheut.

Kjo frymë luftarake dhe atdhedashëse, që ishte kultivuar në këtë familje patriotike, te Fatosi ishte ngritur edhe në një shkallë më të lartë se brezat paraprakë, pra, në shkallën e flijimit. Brezi i Fatosit pati një frymë të re të luftës për liri – frymën luftarake të Adem Jasharit. Edhe në këtë monografi, autori me një kujdes të veçantë e çmon veprimtarinë e Adem Jasharit dhe rolin e tij për themelimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ushtarë i së cilës ishte edhe dëshmori Fatos Krasniqi.

Pra, pas edukatës familjare dhe frymëzimit patriotik që kishte marrë Fatosi në familjen e tij, nga gjyshi, babai i burgosur disa herë, nga rrethi familjar në fshatin e tij të lindjes, te personalitetet e shquara si Jakup Krasniqi, Shaban Shala, Ferat Shala etj., ndërsa idol i luftës për liri, për Fatosin, ishte Adem Jashari. Sakaq, për të mbetën të dashur e të respektuar martirët dhe të pathyeshmit Fehmi Lladrovci, Mujë Krasniqi, Bedri Shala etj., emra këta që ishin frymëzim për Fatosin dhe bashkëmoshataret e tij.

Fatosi nuk e kishte vështirë t’i donte dhe t’i simpatizonte këta trima, sepse një të tillë e kishte në shtëpi, babain, Sherifin, i cili një jetë të tërë ia kishte kushtuar çështjes së atdheut, por tash kur formohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Fatosi gjeti rrugën, e cila e çoi drejt përjetësisë në një shkallë të lartë të vetëdijesimit, se pa gjak nuk fitohet liria. Kam lexuar shumë për luftëtarë të periudhave të ndryshme historike, për dëshmorë të luftërave çlirimtare, për njerëzit që janë flijuar për idealin kombëtar, për ata që sikur e kanë parandierë flijimin dhe kanë shkuar drejt tij pa frikë. Të tillët asnjëherë nuk do të kuptohen prej të gjallëve. Ata kanë një shkallë më të lartë të vetëdijes për lirinë, për atdheun, për kombin. Këto vlerësime autori i ka nxjerrë, ndoshta me pahir, por unë i kam veçuar gjatë leximit të librit, kur Fatosi i thotë vëllait “shko ti se unë do bëhem ushtar, se edhe nëse vritem e kam djalin.

Dhe rasti tjetër kur i thotë bashkëshortes, Vjollcës, se unë po luftoj dhe nëse vritem, lirinë do ta gëzoj Albini, djali, atëherë trevjeçar dhe moshatarët e tij. Pra, dëshmorët, nëse arrin ose jo ta shprehin gojarisht këtë, ata qëndrojnë në një shkallë mbi njerëzit e zakonshëm. Në këtë kontekst dua ta citoj një gjeneral amerikan nga Lufta e Dytë Botërore, i cili shkurt thotë: “Vetëm ata që nuk i fërgohen vdekjes jetojnë”. I tillë ishte edhe Fatos Krasniqi. Autori librin nuk e ka ndarë në kapituj, por për lexuesin, vetë përmbajtja përcakton kapitujt.

Kështu në vijim autori shkruan për jetën e Fatosit si ushtar i UÇK-s në njësitin “Pëllumbi”, i cili ishte nën komandën e Ferat Shalës, luftëtar i orëve të para të UÇK-së. Duke qenë ushtar i këtij njësiti, Fatosi kishte marrë pjesë në të gjitha luftërat që ky njësit zhvilloi, nga prilli i vitit 1998, kur në aksin rrugor Gjergjicë – Balincë, u sulmuan forcat serbe dhe iu pamundësua atyre qarkullimi i lirë në vijën rrugore Prishtinë-Pejë. Lufta në Gjergjicë i parapriu Luftës në Grykën e Llapushnikut, e cila përfundimisht u mbyll nga UÇK dhe ndaloi, e pamundësoi, lidhjen e ushtrisë okupatore serbe nga Rrafshi i Kosovës me Rrafshin e Dukagjinit.

Njësiti “Pëllumbi” vepronte në një zonë shumë të gjerë, nga Kjeva deri në Kamaran dhe nga Fushtica e Poshtme e në veri deri në Baicë dhe Grykas. Në gjithë këtë hapësirë ku vepronte “Pëllumbi”, në betejat më të rrezikshme e gjejmë Fatosin me shokët e tij të idealit. Fatosi me zhdërvjelltësinë dhe përkushtimin e tij për luftë kundër okupatorit serb, një kohë ishte i angazhuar në njësitë elitë të UÇK-s, në Policinë Ushtarake. Aty i rastisi të njihet dhe të bashkëpunojë edhe me krerët më të lartë të UÇK-s, duke filluar me Azem Sylajn, Jakup Krasniqin, Shaban Shalën, Fatmir Limajn, Hashim Thaçin, Mujë Krasniqin, Fehmi Lladrovcin etj. Kur ishte flijuar Fehmi Lladrovci, Fatosi sikur donte ta imitonte atë në luftime dhe në flijim.

Autori, z. Fitim Çaushi, me kujdes i ka mbledhur kujtimet dhe vlerësimet nga personalitete të çmuara të UÇK-s, nga bashkëluftëtarët dhe nga familjarët, deri të fëmijët e Fatosit, Albini që kishte mbet pa babanë në moshën tri vjeçare dhe Herolindën, e lindur pas rënies së Fatosit në altarin e lirisë. Të gjitha kujtimet e shokëve, komandantëve dhe familjarëve të Fatosit më kanë bërë përshtypje të veçantë, siç më ka bërë përshtypje përkushtimi i autorit rreth mbledhjes së gjithë këtij nektari, nga i cili ka dalë biografia e shkëlqyer e dëshmorit Fatos Krasniqi.

Autorit nuk i është nevojitur të përdorë figura stilistike, sepse asnjë figurë letrare nuk mund të krahasohet me veprën dhe flijimin e dëshmorit, të paraqitur ashtu realisht, siç ka jetuar, vepruar dhe si është flijuar Fatosi. Një kapitull i tërë është në këtë libër nga krijuesit që në vargje e përshkruajnë jetën dhe heroizmin e Fatosit. Mjaft domethënëse janë fjalët e Herolindes, vajzës së Fatos Krasniqit, e cila për monografinë e babait, të cilin nuk e ka takuar asnjëherë fizikisht, më ka lënë përshtypjen më të thellë dhe me ka bërë të përlotëm më se shumti.

Kjo ndër të tjera shkruan: “…Të gjitha të drejtat që kisha edhe unë si fëmijët e tjerë, të rritem me ngrohtësinë dhe dashurinë e babait, armiku m’i mori ende pa ardhur në jetë. Isha fëmijë dhe aq diapazon dijesh që kisha, me zbrazëtirën e mungesën që ndjeja në shpirt, të fajësoja për rrugën që more e më le. Por teksa rritesha e zhvillohesha fizikisht e mendërisht, teksa dëgjoja se gjyshërit, nëna, axhallarët, halla, të afërm e shokët tuaj flisnin me aq admirim për ty, me aq krenari që kishin fatin të njihnin një njeri e një trim si puna jote, tek sa dëgjoja të thureshin vargje e këngë e të këndohej lavdi, ndjenja ime e krenarisë filloi të rritej e të mposhtë dhimbjen.

Babë, ti je krenaria ime më e madhe, je shembulli më i mirë, je arsyeja që mbaj kokën lart, je motivi e qëllimi im, që të vazhdojë përpara, vetëm që një ditë, edhe unë të bëjë të ndihesh krenar për bijën tënde, ashtu si me bërë ti të jem. Të dua dhe të përqafoj, nga toka në qiell, unë bija jote Herolinda!”. E mora këtë citat nga libri i z. Fitim Çaushit, sepse rasti i Herolindes dhe Herolindave tjera në qenien e kombit tonë, është fenomen, që rrallë mund të gjendet të ndonjë popull tjetër.

Prandaj edhe unë iu them Albinit dhe Herolindes, mbarë familjes së z. Sherif Krasniqit dhe mbarë farefisit, miqve, bashkëluftëtarëve dhe gjithë shqiptarëve se, përkundër dhimbjes për Fatosin që na mungon fizikisht, mbajeni kokën lartë. Ai vetes i siguroi titullin më të lartë që mund ta merrte dikush – “Dëshmor i Kombit”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura