Një përgjigje korrekte për një ftesë pa sens

Dec 9, 2017 | 22:35
SHPËRNDAJE

PREÇ ZOGAJ/

Si një shakaxhi i dashuruar me shakanë e vet, Edi Rama ka ngulmuar disa herë pardje dhe dje të ftojë kreun e opozitës, Lulzim Basha, të ulen për një pakt për kryeprokurorin e përkohshëm dhe për gjëra të tjera “përtej”, siç shkruante Rama. Ftesa është fasadë përzier me hilera apo dreqnina, që është kuptimi bazë, për të mos thënë kuptimi i vetëm, që ka Rama për politikën.

zogaj

Po të ishte ndryshe, pra po të ishte një ftesë e sinqertë, e motivuar nga nevoja për të zhbllokuar ndonjë gjë që nuk zhbllokohet pa opozitën, zoti Rama do t’i drejtohej shefit të opozitës me letër, me lajmës, ose edhe me një telefonatë. Njihet botërisht dobia e formave diskrete të komunikimit që testojnë dhe shtrojnë rrugën për takime dhe marrëveshje politike të nivelit të lartë. Por Rama nuk ka këtë hall. Qëllimi i tij është të hapet lajmi, të bëhet zhurma, të duket njeri i dialogut, të vetëpërkëdhelet, të tallet, sikur “i mbyt” të gjithë me dialog, të provokojë përgjigjen negative të shefit të opozitës. Që e di se në rrethanat aktuale do të jetë negative edhe po të mos e teprojë, por i duhet e bujshme, e tillë që të mund lajë duart për atë që ka ndërmend të bëjë.

Ndaj i drejtohet Bashës majë krahut, me rrjete sociale, me media, me tamtame. Përveçse e pasinqertë, ftesa e dytë është e pahijshme, me nota fyese për marrësin, por edhe autodemaskuese për dërguesin. “Eja të flasim shqip për Shqipërinë”! Ç’kuptim ka kjo, përveçse t’i bëjë jehonë nga pozitat e mendjemadhësisë slengut të investuar nga vetë Rama për shefin e opozitës si holandez, e tjerë, e tjerë. A mund të imagjinohet që Kryeministri i Anglisë t’i drejtohet shefit të opozitës “eja të flasim anglisht për Anglinë”, apo Kryeministri hungarez shefit të opozitës hungareze “eja të flasim hungarisht për Hungarinë”?

Kjo mund të imagjinohet, po aq sa ç’mund të imagjinohen kryeministrat e vendeve europiane duke iu drejtuar çdo ditë “mirëmëngjes”, me mentalitetin e vëllait të madh të Oruellit, nënshtetasve të tyre. Do të krijohej ilaritet i madh politik dhe revoltë e madhe në shpirtrat e njerëzve të lirë. Por Rama nuk ka frikë ta trajtojë Shqipërinë si një “tokë pa kontinent” me sjelljet e tij. Përveçse e pasinqertë dhe e pahijshme, ftesa është edhe pa sens politik.

Së pari, sepse është shumë i freskët dhe në fuqi efekti i thyerjes së marrëveshjes Rama-Basha të 18 qershorit, të hartuar dhe të kërkuar nga SHBA. Marrëveshja u bë për të ndaluar shitjeblerjen e votës dhe përfshirjen e grupeve kriminale në fushatë.

Por, votat u blenë masivisht dhe grupet kriminale vepruan si forca elektorale komplementare ose të integruara në shtabet e partisë së zotit Rama. Kemi shkruar e argumentuar shpesh për këtë çështje të njohur nga gjithë shqiptarët dhe nga shumë prej partnerëve ndërkombëtarë. Për t’u kthyer te tema e ditës, një dialog i ri mes Bashës dhe Ramës në kushtet e shkeljes së marrëveshjes së 18 qershorit do të kishte sens vetëm nëse do të shtronte për diskutim dhe zgjidhje çështjen e kthimit të legjitimitetit të qeverisë dhe qeverisjes.

Marrëveshja që do të përligjte një tryezë të tillë do të duhej të parashikonte hedhjen nga Rama të mandateve të blera, krijimin e një qeverie të zgjedhjeve të lira, organizimin e zgjedhjeve të parakohshme me një Kod Zgjedhor të reformuar. Çdo pretendim për një dialog të ri të ngritur mbi harrimin e plojës zgjedhore të 25 qershorit është në mos naivitet, një megalomani e skajshme.

Së dyti, sepse përmbushja e detyrave të integrimit europian është detyrë ekskluzive e qeverisë. Me përjashtim të rastit kur kërkohet të votohet ndonjë ligj që kërkon tre të pestat apo dy të tretat. Por edhe në këtë rast nuk ka nevojë për të bërë show. Gjuha gjendet në Parlament në angazhimin e ndërsjellë të palëve për të mos penguar votimin e ligjeve të integrimit. Për të tjerat, siç janë fjala vjen, lufta kundër krimit dhe drogës, mjaftojnë ligjet dhe institucionet.

Tryezat politike nuk do të shërbenin për gjë tjetër, veçse për t’i bërë makijazh qeverisë dhe për të kastruar opozitën. Integrimi nuk humbet asgjë, por vetëm fiton nga një opozitë e fortë dhe ballore në raport me qeverinë. Ajo që dëgjojmë të thuhet rëndom, sikur opozita po pengon integrimin, është një spekulim i trashë për të justifikuar dështimet e qeverisë.

Edhe po të shtrihet përdhe opozita me gjithë votuesit e saj para godinës së Parlamentit Europian, nuk do ta pengonte dot asnjë milimetër dhe asnjë sekondë procesin e integrimit, nëse qeveria i kryen në kohë detyrat e saj. Në vendet ish-komuniste ka pasur opozita që kanë qenë në parim kundër hyrjes së vendit të tyre në Europë dhe përsëri nuk e kanë penguar dot procesin sa kohë që qeveria dhe shumica e qytetarëve kanë punuar për integrimin.

Aq më pak mund ta pengojë opozita shqiptare, që mban rekordet e arritjeve integruese euroatlantike të vendit gjatë njëzet e gjashtë viteve të hapjes. Së treti, pavarësisht nevojës për bonsens dhe konsensus, zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm të përkohshëm është më mirë të ndjekë rrugën ligjore sesa të kalojë në ingranazhet e marrëveshjeve politike. Fryma e marrëveshjes fare mirë mund të përcillet dhe sendërtohet përmes deputetëve, si dëshirë dhe si vullnet i palëve për të zgjedhur një kryeprokuror me integritet të lartë dhe të paanshëm, që të mbulohet me sa më shumë vota. Nuk ka nevojë për tryezë.

Por ka urgjencë për krijimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për t’i hapur rrugë zgjedhjes së Kryeprokurorit sipas Kushtetutës së re, krijimit të SPAK-ut dhe Byrosë së Hetimeve. Pra, këtyre institucioneve të shumëpritura që ngrihen për t’i dhënë fund gangrenës së pandëshkueshmërisë në nivele të larta në Shqipëri. Duke shtyrë dhe duke marrë sërish angazhime për zbatimin e shpejtë të Reformës në Drejtësi, përgjigjja e Bashës ishte korrekte për publikun në radhë të parë. Pastaj edhe për Ramën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura