Një përgjigje e munguar për Nikos Dendias dhe qeverinë shqiptare

May 25, 2022 | 8:00
SHPËRNDAJE

HYQMET ZANEHYQMET ZANE

Me të drejtën e Zotit dhe me ndjeshmërinë e një njeriu që është patriot, një mik (jo çam) më telefonoi në mëngjesin e së martës duke më bërë “përgjegjës” që asnjë çam apo edhe unë nuk shkrova një fjalë për vizitën dhe ato çfarë tha ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias, në mes të Tiranës dhe përballë ministres së Jashtme, Olta Xhaçka, dhe Kryeministrit Edi Rama. U preka vërtet, u ndjeva “fajtor” sepse as unë nuk shkrova diçka në lidhje me ato që tha ministri i radhës i Greqisë.

Ku ta kërkoj fajin, kush është e drejta ime dhe e drejta e atyre që pretendojnë se na përfaqësojnë si Shoqatë Çamëria dhe si deputetë në Parlamentin Shqiptar për të folur dhe protestuar për padrejtësitë që llomotit një grek dhe heshtja shqiptare?

Nuk dua të shfajësoj veten, por si bir i një çami, ish-internuar në kampet e Gjermanisë nga Janina dhe që u kthye dhe nuk u lejua të shkonte në shtëpinë e tij në Filat se mund ta vrisnin siç i thanë bashkëqytetarët e tij se çamët i përzunë se ishin “bashkëpunëtorë me nazistët”, edhe pse ky ishte antifashist???!!! Ku ta kërkoj të drejtën time, veç faktit që si publicist kam shkruar e folur sa jam lodhur, kam botuar libra dhe kam diskutuar, por nuk kam as median time, as televizorin tim që të bëj patriotin e madh. Po ku janë ata që marrin votat e çamëve, bëhen deputetë dhe heshtin për turpin e tyre dhe bëjnë interesantin me retorika. Ne çamët përdorim një fjalë për këtë lloj soj “edepsëzë” që nuk njohin dhe nuk kanë njohje për të drejtën e historisë, të stërgjyshërve në prejardhjen e tyre dhe në amanetin që kanë lënë brez pas brezi.

Shumë ngjarje kanë ndodhur në harkun kohor të një viti pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021 edhe në planin kombëtar dhe atë të Çamërisë, dhe nuk kemi ndjerë asnjë qëndrim dhe asnjë prononcim nga Shoqata Çamëria në Tiranë. Si anëtar i këshillit kombëtar të Shoqatës Çamëria që nga 10 janari 1991, sot ndihem i përjashtuar nga e drejta e përfaqësimit. Nuk e di se kush ma ka hequr, sepse nuk di se cili është kryetari dhe kush po na i bën çorap punët mes nesh? Cila është ajo dorë e zezë që ka bërë të heshtet dhe të përjashtohet axhenda e kërkesave që kanë shqiptarët e Çamërisë për të drejtat e tyre të nëpërkëmbura dhe të shkelura padrejtësisht?

Thuhen e çfarë nuk thuhet se çfarë kanë bërë ca njerëz në emër të çamëve deri sa arritëm këtu ku jemi që në një ditë të bukur në mes të Tiranës një ministër grek thotë se “janë çështje inekzistente”, kur u përmend fjala çam. Megjithëse m’u duk si një dakordësi e parapërgatitur se çfarë do të thoshte ministria jonë e Jashtme dhe se si do të përgjigjej ministri grek i Jashtëm. Kështu ka ndodhur sa herë ka ardhur çdo zyrtar i lartë grek në Shqipëri, ka folur nën zë me zyrtarët e Tiranës, përjashto këtu ish-Kryeministrin Aleksandër Meksi që ia tha në sy dhe e detyroi të pranonte ekzistencën e çështjes çame dhe të drejtat e tyre ish-kryeministrit Micotaqis në atë kohë.

Në fakt, kjo mosekzistencë ka nisur brenda qeverisjes shqiptare, se janë këta që janë që kanë shitur çdo gjë pasuri e ndere, kanë shitur toka dhe çështjet kombëtare me bashkëpunime me antishqiptarët dhe nuk kanë se si i thonë një ministri grek se cila është e drejta dhe cila është ekzistenca. Sepse me porosi e dakordësi me qeverinë greke kanë hequr fjalën “Çamëri” nga tekstet shkollore.

Megjithëse kam të drejtën të them se çështja çame ekziston sepse ekzistojnë shqiptarët e Çamërisë që u dëbuan me dhunë, me zjarr e me hekur, me vrasje e masakra si krime kundër njerëzimit nga bandat e andartëve të qeverisë greke me Napoelon Zervën në krye që pas Luftës II Botërore dhe që u emërua ministër i Brendshëm i qeverisë greke dhe ka monumente nderimi për gjenocidin që bëri në Çamëri. Ajo telefonatë e atij miku e patrioti në mëngjes herët m’u duk sikur më tha “ku jeni o çamër, ju ka mbetur gjak ndër deje, jeni apo nuk jeni ju trashëgimtarë të baballarëve dhe gjyshërve tuaj”? U turpërova edhe pse e di që nuk kam reshtur së shkruari dhe protestuari ndaj grekëve për të drejtën time.

Një çam i devotshëm u shpreh se problemi nuk qëndron tek grekët, por tek shqiptarët, qëndron tek klasa politike dhe koninukturat ndërkombëtare.

Shumë e drejtë analiza e një intelektuali, por çështja qëndron brenda nesh, brenda vetë çamëve, se këto që i ka bërë një dorë e zezë kauzës së Çamërisë, janë tanimë pas 78 vjetësh më të rënda se krimet që na bëri Napoleon Zerva. Them kështu se ajo që bëri ai kriminel lufte me ndihmën e britanikëve në atë kohë ishte strategji e megalo’idesë greke të 1840-s, kurse kjo që po ndodh sot me heshtjen dhe inekzistencën e Shoqatës Çamëria është vepër e një strategjie që një dorë e zezë me mandat deputeti në Parlamentin Shqiptar që e mban veten për çam, është strategjia e heshtjes, e shuarjes dhe e inekzistencës.

Për ministren e Jashtme Olta Xhaçka, togfjalëshi “çështja çame” apo e “drejta e çamëve” është thjesht një shprehje gjuhësore, se ajo nuk e di fare se cila është kauza e ekzistencës së Çamërisë që nga lashtësia e deri në ditët e sotme. Se edhe ajo dosje që u përgatit në vitet e para të demokracisë nga një diplomat çam, u zhduk sepse ajo dora e shtrirë e “miqësisë” greke është e shtrirë në institucionet e shtetit shqiptar.

Ndoshta kur të bëhet kësmet të hyjmë në Europë, nuk do të jetë ministër i Jashtëm i Greqisë Nikos Dendias, por do të ketë një Greqi që gjithnjë do të mbajë mbi kokat e shqiptarëve shpatën e goditjes së pabesë ndaj Shqipërisë që u copëtua në 6 pjesë dhe sot kemi mbetur vetëm 1/3 e tërësisë të Shqipërisë Etnike.

Në këtë rast do të citoja George Fred Uilliams (ish-ambasador i Amerikës në Greqi) që në Boston, më 17 nëntor 1915 u shpreh “…Nuk vij të flas si mik i njerëzisë, por vij si mik dhe adhuronjës i racës shqiptare. E dua Shqipërinë, i dua burrat e Shqipërisë, siç dua Amerikën, siç dua burrat që i kanë dhënë lirinë Amerikës. Shqipëria do të jetë e lirë. Shqipëria i ka dhënë pesë imperatorë Romës dhe gjaku i shqipeve ka forcuar kombet e tjerë. E lashë Shqipërinë në vuajtje dhe të mbytur në gjak nga faji i Europës, e cila tani po lan gjynahet e saj. Unë protestova kundër paudhësisë së Europës, kundrejt Shqipërisë, lashë vendin tim zyrtar dhe ju siguroj, që unë besoj sa ajo ditë që unë protestova për Shqipërinë, është dita më e lumtur e jetës sime… Tregtia e Amerikës duhet të jetë e lirë për kombin shqiptar, që është vëllai i kombit amerikan. Unë jam gati për çdo shërbim për lirinë dhe shpëtimin e Shqipërisë, edhe me jetën time”.

Ky mesazh amerikan vlen edhe për shqiptarët e sotëm po aq sa edhe për ata që quhen çamë në Parlamentin shqiptar, nëse vërtet e duan Çamërinë dhe kombin shqiptar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura