Një partner mjekësor jo i zakontë

Mar 26, 2015 | 12:34
SHPËRNDAJE

ISUF KALO

   Kjo që do tregoj, më befasoi herën e parë. Më pas m’u bë dëshirë që të përsëritej. Dhe, kur nuk ndodh, ndiej që më mungon. Për ata që nuk më njohin, unë jam mjek endokrinolog, por shumë nga qytetarët e pacientët më njohin si “mjeku i diabetit”.
Unë banoj pranë Medresesë dhe klinikën “Blue Medical Center” ku konsultoj, e kam fare afër, në Rrugën Bardhyl, nga ku meqë distanca me shtëpinë është e shkurtër, e përshkoj çdo mëngjes e mbrëmje gjithmonë në këmbë.
Një konsultë e paparashikuar
Një pasdite, tek po kthehesha nga klinika, më doli papritur, disa metra përpara meje, një burrë i ri mbi 30 vjeç, me veshje të vjetër e të çrregullt, i parruar, i cili me mirësjellje më kërkoi me një gisht lart të ndalesha një minutë për një pyetje.
– Doktor, më fal, – tha ai me nxitim për të mos më humbur kohë – kam vetëm një pyetje. Kam nënën me diabet, merr kokrra dhe insulinë, a duhet t’i marrë kokrrat para apo pas buke? – Cilat lloj janë ato?- i thashë unë – si quhen, ç’ngjyrë kanë, sepse ka shumë lloje. – Ta pyes nënën,- tha ai,- se nuk e di mirë. Dhe iku pa përgjigje duke më falënderuar shumë herë.
Pas dy ditësh, në mëngjes, teksa ai ishte brenda një dyqani, doli me vrap siç duket, më pa që po kaloja, qëndroi para meje dhe m’u lut përsëri të qëndroja një minutë. Natyrisht u ndala. Prita të më thoshte emrin apo ngjyrën e kokrrave të diabetit që merrte e ëma, por ai më pyet diçka tjetër gjithmonë për të ëmën.
– Doktor, më fal, vetëm një pyetje: A mund të provoj t’i jap nënës një ëmbëlsirë? Ishte kohë feste. E pashë me kuriozitet. Kishte mirësi në zërin e butë të tij. Dukej se donte shumë që nëna me diabet ta provonte ëmbëlsirën. Pyetja më tingëlloi me shumë si lutje. Pa hezitim pranova.
-Asgjë e tmerrshme nuk do i ndodhë nënës,- i thashë-, nga një prishje e tillë e vetme e dietës. Atij i qeshi e gjithë fytyra. Ishte prapë i parruar, me veshje gjithmonë të çrregullt e flokët të pakrehur.
Sapo desha të kthehesha te pyetja e mëparshme e tabletave kur ai befas u largua, duke përsëritur shumë herë në mënyrë të tepruar: Faleminderit, faleminderit shumë doktor, shumë faleminderit.
Të nesërmen, nuk e di nëse po më priste apo meqë më pa më doli përsëri përpara me të njëjtën mirësjellje
-Doktor, – tha, – të lutem vetëm një gjë. T’ia jap një copë ëmbëlsirë nënës apo vetëm gjysmën? – Besoj se gjithkush, me të drejtë, duke kuptuar që kish të bënte me një “të lajthitur”, do ish bezdisur e ndofta nuk do denjonte as t’i përgjigjej. Por pyetja lidhej me sëmundjen konkrete dhe të ngjashme si ajo bëjnë jo pa arsye dhe të sëmurë të tjerë.
– Vetëm gjysmën, – i thashë unë prerazi – si e mesme e artë, por edhe për ta kënaqur e qetësuar atë. Ndërkohë isha bëra i ndërgjegjshëm për diagnozën që i krijonte obsesionin dhe çrregullonte mënyrën jo të zakontë të sjelljes së tij.
-Ashtu?- tha ai si i pezmatuar. – Domethënë bëhet keq me ja dhanë të tërën? Po – i thashë unë për të mos e zgjatur e për ta larguar nga ai fiksim. Ai u ngrys në fytyrë. Po pastaj i bindur, më zë të ulët tha: Mirë, doktor! Faleminderit shumë!
Miqësi apo bezdi
Kështu, takimet tona u përsëritën herë pas here spontanisht në rrugë për të njëjtën temë. Sapo e shihja nga larg, e dija që do më dilte e do më ndalonte për një pyetje “lidhur sëmundjen e nënës”; Çka, ndonëse e pafajshme, kur përsëritej, dukej pa dyshim edhe bezdi, edhe qesharake.
 Ai çuditërisht nuk më kërkoi asnjëherë ta vizitoja nënën, as t’i jepja recetë. “Konsulta” jonë e rrugës nuk zgjaste më shumë se një minutë. Por mjaftonte ta bënte atë të lumtur. Kurse mua nuk më kushtonte ndonjë gjë. Një herë i thashë vetë ma sill ose të vij unë ta shoh nënën (natyrisht, në rastin e tij nuk bëhej fjalë për pagesë). Ai nuk di pse e evitoi përgjigjen. I ofrova numrin tim të telefonit të shtëpisë dhe të celularit, me lejen të më kontaktonte sa herë që të donte… Fundja, sado e çuditshme si fare të panjohur nga afër me njëri-tjetrin, takimet e rrugës dhe problemi i përbashkët na bëri të silleshim mes nesh si dy si miq. Por ai nuk kishte telefon as në shtëpi e as celular. Prandaj më pa si i përhumbur e tha si pëshpërimë: Faleminderit doktor, faleminderit shumë!
Më pas kam hamendësuar se ndofta kujdesi për të ëmën qe shndërruar në fiksim, por edhe në qëllim të vullnetshëm ose jo për të, si një vepër e dobishme ekskluzive, që instinktivisht ai kryente, e cila ndofta e bënte krenar, i jepte kuptim e sodisfaksion qenies së tij… Prandaj nuk i ndërhyra më tej seç ai vetë më kërkonte në atë “monopol” të tij.
Partner i çuditshëm
 Herën e fundit, prej së cilës mora edhe shkas të ulem e ta shkruaj këtë histori, ai më doli si zakonisht përpara, por me fytyrë të vrerosur e të lodhur ndofta nga pagjumësia. Siç thashë, nuk dija dhe ende nuk di asgjë për të si person apo jetën e tij. Nuk e di nëse ata të dy jetojnë të vetëm nënë e bir apo bashkëjetojnë edhe me familjarë të tjerë. Nuk di me ç’të ardhura jetojnë, por nuk do shumë mend të kuptohet që jetojnë në varfëri. Madje, nuk di as se si quhet ai, as nëse është në punë apo invalid dhe a merr apo ajo mjekim për çka duket që ai vuan edhe vetë.
 Ai, pasi m’u lut si gjithnjë, edhe këtë herë të ndalesha “vetëm për një çast”, më tha me mimikë e me gjeste të shqetësuara të duarve dhe me sytë e fiksuar e vështrim të panikosur: – Doktor, mbrëmë nuk di pse nëna m’u rrëzua në dysheme. E kam ngritur me zor në krahët e mi. Dhe i dhashë ujë me sheqer që u përmend (këtë, siç tha, e paskej dëgjuar  nga unë) – A bona gabim me sheqerin? – pyeti ai i trembur. Pastaj papritur shtoi: Mos e ka nga insulina?
E pashë i habitur. Madje me admirim. Veprimi dhe pyetja e tij kishin shumë sens nga ana mjekësore. Ke bërë shumë mirë dhe ke të drejtë i thashë: duhet ulur doza e insulinës. – Ashtu? – tha,- domethënë ta ul? Nuk i thashë që ai e kishte shpëtuar nënën e vet pa ndihmën e askujt. Kishte vepruar si partner i yni.
Simbioza dhe solidariteti i këtyre dy të sëmurëve, nënë e bir, me diagnoza të ndryshme, të lidhur aq ngushtë me njëri-tjetrin për përballimin e tyre, ishte e pamundur ta ndaja nëse buronte vetëm nga sëmundja nga nevoja e mbijetesës apo më shumë nga dhimbsuria mes tyre si ndjenjë fisnike njerëzore.
Trekëndëshi i lakmuar
Atë çast kuptova se në fakt ne tashmë ishim tre veta kundra diabetit: ai si familjar, unë si mjek dhe e sëmura për të cilën po flisnim dhe shqetësoheshim në mungesë të saj. Tekstet e sëmundjes së diabetit insistojnë që eficienca e partneritetit dhe bashkëpunimit brenda këtij trekëndëshi është determinues për suksesin apo dështimin e mjekimit. Madje, jo vetëm i diabetit, por për të gjitha sëmundjet kronike të pashëruara dot definitivisht gjatë gjithë jetës. Familjarët e  kujdesshëm, bashkë me vetë të sëmurët, janë partnerët tanë më të vyer.
Qëndruam pak sekonda aty në rrugë duke u parë sy në sy. Por, kur matesha t’i jepja këshillat, ai befas falënderoi dhe u largua. Atë çast u kujtova se asnjëherë ai nuk pat harruar të më falënderonte. Mbeta ca kohë ashtu pa fjalë. Ishim ai dhe unë, dy persona aq të ndryshëm nga fati dhe rrugëtimi jonë në jetë. Na bashkonte sëmundja e një njeriu shumë të dashur për të e krejt të panjohur për mua. Ose, më saktë, preokupimi i përbashkët në dy mënyra të ndryshme kujdesi për të. Ai i atij shpirtëror e afeksional, kurse i imi teknokratik profesional.
Ai ishte partneri që kërkoi dhe ofroi i pari bashkëpunim. Pa dije, e  pa kushtet e duhura të jetesës e as të shëndetit, vetëm me instinktin apo me dëshirën e guximin për të ndihmuar, ai bëri e bën çdo ditë për të sëmurën gjithçka varet prej tij. Sa të tillë janë tek ne, madje në gjendje e kushte shumë më të mira sesa të tij, të gatshëm t’i mbështesin të sëmurët kronikë, ta mbajnë në krahë njeriun e dashur apo edhe të panjohur, siç mbajti dhe shpëtoi nënën miku im i ri?
Një çast meditimi
Pa dyshim ishte tej mase prekës preokupimi dhe përkushtimi i tij për nënën, duke qenë edhe ai vetë i sëmurë, çka nuancat e simptomat e sjelljes ia dëshmonin. U largova mendueshëm. Ai nuk e dinte që më shumë se ai nga unë, mësova unë prej tij. Unë i dhashë ca përgjigje e këshilla librash, kurse ai më dha mësime të zemrës e të jetës. Më i çmuari i tyre qe ai për dashurinë njerëzore, e cila jo domosdo paskej lidhje me shkollimin, me intelektin dhe paranë. Prandaj, nuk druhem të pranoj se pashë tek ajo sjellje e “lajthitur” e tij diçka të bukur. Dhe mësova se ato çka quajmë ne mjekët në libra “sëmundje të mendjes”, nuk arritkan dot gjithmonë të cenojnë ndjenja delikate dhe fisnike brenda zemrave, të tilla si solidariteti e dhimbsuria njerëzore e sidomos për atë më të shenjtën: nënën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura