Një paketë alternative për përballimin e krizës së energjisë

Oct 14, 2021 | 9:19
SHPËRNDAJE

arben-malaj-1

ARBEN MALAJ

Përballë kësaj krize Rama theksoi se “plani ynë i kundërveprimit ndaj krizës energjetike ka tri pika: 1- Garantimin e furnizimit të pandërprerë; 2- Mbrojtjen e familjeve dhe biznesit të vogël nga rritja e çmimit të energjisë elektrike dhe 3- Garantimin e fondit të nevojshëm likuid për ndërveprimin me tregun e energjisë elektrike – ku garancia sovrane do të jetë e ripërtërishme, në vlerën 100 mln euro për kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike në fund të këtij viti dhe 100 mln euro në fillim të vitit tjetër, për të siguruar pikën një dhe dy.

Ndoshta një paketë alternative mund të ndihmojë një debat profesional që kostot e krizës të jenë sa më të menaxhueshme dhe që subvencionet të mos financohen nga rritja e borxhit. Në rastin e paketës qeveritare, kostot e mbrojtjes sociale dhe burimet e financimit nuk bëhen publike. Të gjitha qeveritë e tjera e fillojnë komunikimin publik jo duke injektuar panik, por duke sqaruar numrin e përfituesve, madhësinë e përfitimit mujor, kohëzgjatjen, shumën totale të nevojshme për paketat antikrizë dhe burimet alternative të mbulimit të tyre. Qeveria deklaron se nuk do të ketë rritje çmimi për konsumatorët dhe bizneset, por çdo përjashtim nga rritja e çmimeve është rritje e subvencioneve, prandaj kjo nuk e fsheh detyrimin për transparencë se sa miliarda lekë borxh apo taksa te rritura do të kushtojë mbrojtja sociale nga kriza e energjisë.

Paketa alternative ka po tri kolona ku mbështetet: (i) Mbrojtje sociale e qartë, e shpejtë dhe efektive e shtresave në nevojë dhe biznesin e vogël; (ii) Jo garantim 100% të furnizimit me energji kur çmimet po rriten frikshëm, por bonuse të dpd financiare për çdo individ, familje dhe konsumator të energjisë që kursen dhe ul konsumin e energjisë, duke ulur kështu subvencionet/borxhet dhe presionin për rritje të taksave; dhe (iii) Jo më pak se 75% e 200 milionë eurove të borxhit të rritur nga kriza e energjisë të financohet/përballohet nga reduktimi i shpenzimeve, investime dhe ristrukturimi i buxhetit të vitit 2022 dhe buxhetit afatmesëm 2022-2026. Shkurtimet dhe rialokimet të bëhen jo thjesht nga kompanitë publike në sektorin e energjisë, por sidomos edhe nga çdo njësi buxhetore e buxhetit të shtetit.

Garantimi i furnizimit 100% me energji me çmime në rritje disashifrore nuk është një politikë e mençur dhe as efektive.

Detyrimi moral e politik i qeveritarëve është mbrojtja nga rritja e shpejtë dhe shumë e lartë çmimeve, e cila ul qoftë edhe për periudha afatshkurtra të ardhurat e disponueshme të shtresave në nevojë, por edhe të klasës së mesme.

Objektivi nr. 1 i qeverisë nuk duhet të jetë furnizimi 100% me energji, sepse kjo ka kostoshumë të rënda direkt dhe indirekt mbi konsumatorët dhe taksapaguesit në trajtë rritjeje borxhi, që jo vonë mund të imponohet në rritje të taksave.

Si mund të ulet kostoja e subvencioneve? Një nga parimet kryesore se si njerëzit marrin vendime të mira në jetë është se ata veprojnë pozitivisht kur lehtësohen për të bërë atë që është e detyrueshme sesa kur ndëshkohen.

Ne duhet të synojmë politika publike lehtësuese me stimuj materialë për konsumatorët jo vetëm privatë që gjatë krizave ta kursejnë në maksimum çdo kWh energjie.

Kjo mund të synohet duke i paguar çdo individi dhe familjeje një bonus si të ardhur të drejtpërdrejtë në faturën mujore të dritave për sasinë e energjisë së kursyer. Kjo shumë të financohet nga “subvencioni i papërdorur” për importe energjie me rritje të frikshme të çmimit/subvencionit.

Strategjia e qeverisë për të përmirësuar mirëqeverisje edhe në menaxhimin e krizave duhet të bazohet në avantazhet dhe aplikimin e IT, si Big Date (të dhëna statistikore sa më të detajuara dhe sa më afatgjata) dhe analizës së këtyre të dhënave (Data Analysis).

Parime se individët reagojnë më mirë ndaj lehtësirave ndihmon përmirësimin e hartimit, implementimit dhe përcjelljen pa vonesa te shtresat më të prekura nga krizat e politikave të mbrojtjes, kohezionit dhe solidaritetit social.

Vende të ndryshme në kriza të ndryshme e kanë përdorur këtë parim kryesor në ekonomi të profesorit George Mankië (https:// en.wikipedia.org/wiki/Greg_Mankië), parimin se individët reagojnë pozitivisht ndaj lehtësive.

Ky parim është përdorur nga disa qeveri së fundmi edhe për nxitjen e mbajtjes së maskave. Shqipëria me UNDP-në e përdorën pas vitit 1997 për mbledhjen e armëve në projektin “Armë për zhvillim”

Draft-ideja/propozimi konkrete përfshin:

1. Bazuar në konsumin mesatar mujor të familjeve dhe konsumatorëve të tjerë, një pjesë e vlerës së subvencionit për mosimportet e energjisë t’iu paguhet konsumatorëve që ulin konsumin në periudhat e krizave;

2. Burimi i financimit për përfituesin do të jetë zvogëlimi i subvencioneve që qeveria nuk përdor për çdo kWh që nuk do të importojë.

3. Ulja e importeve te subvencionuara ka efekte pozitive në zvogëlimin e të gjitha kostove indirekte të humbjeve teknike dhe jo teknikave nga importi te konsumatori përfundimtar, ulet sasia e përgjithshme e importeve.

4. Efekti pozitiv i shpërblimeve mund të ndikojë pozitivisht në sjelljen e konsumatoreve pasi të nxitur nga përfitimet e prekshme çdo muaj, përdorimi me kursim i çdo malli dhe shërbimi mund të kthehet në një sjellje të përhershme të konsumatorit. Kjo mund të arrihet vetëm kur ata e kanë marrë këtë përfitim direkt në faturën e dritave – jo si një ulje e faturës, por si një e ardhur nga kursimi i saj edhe përpara aplikimit të TVSH-së, – gjë që e ul faturën në përgjithësi, por edhe sqaron përfitimin e kursimit të energjisë.

5. Ulja e importeve ul sasinë e valutave që dalin nga ekonomia jonë – ndihmon që të reduktohet zvogëlimi i burimeve të zhvillimit pasi deficiti i lartë tregtar ka këtë efekt negativ në zvogëlimin e burimeve financiare të rritjes edhe në moderimin e luhatjeve të kurseve të këmbimit;

6. Përfitimi i drejtpërdrejtë që merr çdo individ dhe familje në faturën e energjisë, por edhe çdo konsumator tjetër, përfundimisht mbron dhe rrit të ardhurat e disponueshme veçanërisht të individëve dhe familjeve pasi zbut rritjen e kostove të jetesës për mallra kritike, si energjia, uji, ushqimet dhe strehimi.

7. Bonuset reduktojnë përmasat e krizave dhe lehtësojnë rikthimin te rritja pasi ndihmat sociale përdoren më shpejt, n.q.s jo vetëm qeveritarët nuk krijojnë panik, pa qartësi dhe pa siguri për të ardhmen, pasi të varfrit tremben dhe nuk i përdorin paratë e mbrojtjes sociale. Kjo ndodhi gjatë pandemisë edhe në disa vende të zhvilluara.

8. Reduktimi i subvencioneve zvogëlon barrën mbi kompanitë dhe buxhetin, zvogëlon rrezikun e borxheve edhe më të rënda që mund të imponojnë rritje të taksave apo shkurtim të sforcuar të skemave dhe fondeve të mbrojtjes sociale. Përvojat afatgjata tregojnë se kur ndërtohen paketat antikrizë, 33% e korrektimit fiskal/uljes së deficit dhe borxhit imponohet në rritje të të ardhurave/taksave dhe 67% në shkurtim të shpenzimeve.

Për këtë situatë kritike konkrete shuma e bonusit/incentivimi mund të veprojmë bazuar në mesataret e përafërta të konsumit mujor të çdo konsumatori të energjisë.

Ndërsa në perspektivën afatmesme dhe afatgjatë duhet të ndërtojmë një sistem të statistikave makro, mikro, sektoriale dhe nënsektoriale, që na ndihmojnë të hartojmë më mirë dhe të përcjellin më shpejt politikat financiare, monetare dhe sektoriale në ekonominë tonë reale, ku rreziqet nga paqartësitë, pasiguritë dhe paniku edhe qeveritar nuk vrasin numra statistikorë, por jetë.

Shqipëria duhet të qeveriset në aleancë me shkencën, jo me padijen, arrogancën dhe babëzitjen. Shqipëria duhet të qeveriset jo nëpërmjet gjobave dhe burgosjeve selektive. Qeveritë duhet që të parandalojnë dhe lehtësojnë efektet e krizave, të cilat po bëhen disa herë më të shpeshta dhe më të rënda dhe mund të mbivendosen me krizën e keqqeverisjes dhe krizën e mungesës së integritetit dhe kredibilitetit të politikanëve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura