Një nismë si “këngët e pakëndueme” të Migjenit

Dec 9, 2021 | 8:00
SHPËRNDAJE

NGA PËLLUMB NAKOPellumb Nako

Në përgjithësi, në vendin tonë është kthyer thuajse në një traditë që çdo nismë institucionale realisht e vlefshme, ende pa nisur, ende pa u vënë në provë, prodhon automatikisht me shumicë kundërshtarë e skeptikë. Kundërshtitë, mosbesimi, marrin kaq hov saqë jo rrallë shëmbëllejnë si dy pika uji me “këngët e pakëndueme” të Migjenit, ku institucioni nismëtar kthehet në djepin dhe në varrin e tyre duke lënë reformën në mes. Për hir të së vërtetës, këtë fat tragjik nuk e kanë asnjëherë nismat e mbetura vetëm në kufijtë e propagandës, thjesht për faktin se ato nuk kanë sesi vdesin pasi nuk kanë lindur kurrë.

Nëse në këto dekada të fundit, në polici është ndërmarrë ndonjë nismë me një sfond mjaft të rëndësishëm për shëndetin e organizatës, në dukje e thjeshtë, por materialisht e goditur në shenjë, ajo e ndërmarrë së fundmi nga lidershipi i Policisë për testin e drogës në radhët e gjithë punonjësve të Policisë, mbetet realisht serioze dhe me këmbë në tokë. Një nismë kjo, që nëse do të çohet deri në fund, do të kthehet në mekanizëm të fuqishëm në pastrimin e radhëve të Policisë së Shtetit. Sigurisht, vetëm në një komponent, sepse pastrimi i radhëve të Policisë ka mjaft fenomene të tjera aspak në përputhje me deontologjinë policore, as me ligjin.

Le të kujtojmë këtu vetingun legjendar të Policisë me shtytjet e pafundme të afatit të fillimit, pastaj atij të mbarimit dhe që nuk dihet sesi filloi, por dihet mirë që nuk mbaroi kurrë. Le të kujtojmë ndryshimet ligjore që u bënë për këtë qëllim, propagandën në shqip e në gjuhë të huaj nga moria e zëvendësministrave, garancitë e tyre dhënë publikisht dhe ndërkombëtarisht se vetingu do ta pastronte Policinë dhe sot dalin e flasin para kamerave për arritje e suksese sikur të mos ketë ndodhur gjë. Me fjalë të tjera, sot që flasim, askush nuk di të thotë nëse do të vazhdojë dhe si do të vazhdojë vetingu. Askush nuk e di se përse ndali. Por të gjithë e dinë se një ligj i hartuar në Kuvend, pastaj i ndryshuar, nuk u zbatua. Kurse ditët e fundit dihet se lidershipi i Policisë nuk priti se çfarë rruge do të marrë vetingu, por mori një nismë tjetër, më të thjeshtë, me mjaft efekte pozitive, siç është testi i drogës për punonjësit e Policisë.

Rezultatet e para që u publikuan në media ishin inkurajuese. Por nuk vazhdoi shumë. Nuk e di sesa e vërtetë është, por në media u tha se nisma do të pezullohej për një moment për shkak të pasaktësisë së analizave që dilnin pas testit. Nisma për testin e drogës, krejt ndryshe nga vetingu në Polici, është shëmbëlltyrë tipike e “këngëve të pakëndueme” të Migjenit. Ende në hapat dhe rezultatet e para filluan edhe goditjet mediatike. Të paktë ishin ata që e përkrahën nismën si pozitive.

Të shumtë ata që hodhën dyshime, vendosën pikëpyetje e pikëçuditëse pa u përqendruar tek pozitiviteti i nismës duke bërë edhe kritikat e mundshme për ta kthyer këtë operacion në një akt më të qartë dhe në fund të suksesshëm. Fillimisht u hodh ideja se laboratorët ku do të kryheshin analizat ishin zgjedhur pa transparencë. Për përzgjedhjen e tyre nuk ishin bërë publike procedurat. Gjithë hijet e dyshimit mbuluan Policinë pa u kujdesur askush që tehun e shpatës ta drejtonte edhe mbi laboratorët e autorizuar profesionalisht ku një palë e nxjerr një punonjës policie të pastër, dhe një palë tjetër përdorues.

Apo një laborator nxjerr përdorues një individ për shkak të përdorimit të ilaçeve për sëmundje kronike. Askush nuk mendoi sesi ekzistojnë laboratorë të tillë që bëjnë të tilla gabime dhe që me konkluzionet e tyre kanë në dorë jetën profesionale të një punonjësi Policie apo edhe fajësinë e një përdoruesi, por iu sulën nismës.

Më pas filluan komente e zakonshme me natyrën e adhuruar të konspiracionit ku aludohej se testet e antidrogës ishin një aksion i kamufluar për të spastruar Policinë nga policët 50-vjeçarë dhe jo për të pastruar organizatën nga përdoruesit e drogës që mesa duket janë të moshës së re. Mosha nuk mund të jetë kriter në këtë rast. Aksioni i ndërmarrë mbetet pozitiv dhe duhet të vazhdojë, mjaft të korrigjohet ndonjë pasaktësi si dhe të përmirësohet komunikimi me publikun në mënyrë që edhe një nismë realisht pozitive të mos ketë fatin e këngëve të Migjenit.

© Panorama.al

Te lidhura