Një nga kryeveprat e Jane Austen vjen në shqip: Në dashuri me Emën

Nov 24, 2014 | 14:22
SHPËRNDAJE

Emën mund ta duash, por edhe mund ta urresh. Ta duash sepse ajo dëshiron t’i shohë të gjithë të lumtur, por edhe ta shohësh vëngër, sepse fut “hundët” në punët e të tjerëve. Herë-herë ajo është një shkesë e përkryer, por ndodh që nuhatja e saj edhe gabon.. Vajza që nuk e ndjente të nevojshme të lidhej pas një mashkulli, do të përfundojë edhe vetë nën kambanat e kishës. “Ema”, romani i katërt, i botuar më 1815-n nga Jane Austen, i konsideruar si kulmi i gjenisë së autores, tashmë është edhe në shqip, fal përkthimit të Ledia Dushit dhe shtëpisë botuese “Pegi”. “Ema” është një libër që, qysh prej botimit të parë nuk ka dalë asnjëherë nga moda. Ai ka njohur disa vënie kinematografike, interpretuar nga aktore si Gwyneth Paltrow, Kate Beckinsale apo Romola Garai, të ndjekura edhe nga shikuesi shqiptar.
Ema Udhauz është e bukur, e pasur dhe inteligjente. Ajo është e kënaqur me jetën e saj dhe nuk e ndien nevojën e dashurisë apo të martesës. Megjithatë, asgjë nuk e tërheq Emën më shumë sesa ndërhyrja në dashuritë e të tjerëve. Ema, e rritur me një respekt të lartë për vlerat e saj, është kaq e sigurt në bindjet e veta, saqë është e verbër ndaj opinioneve të të tjerëve. Historia është një komedi gabimesh, ku Ema duke u munduar të zgjidhë çështjen e martesës së një shoqeje, e cila nuk gjendet në të njëjtin status social apo ekonomik si ajo vetë, në të vërtetë rrezikon të shkatërrojë mundësinë e vetme që të dyja kanë për të qenë të lumtura.

Kritika  
“Ema është shembulli më i përkryer i romanit në të cilin protagonistja pashtershmërisht i jep formë ngjarjeve, siç bën përroi me bregu”.  
Edith Wharton  
 
“Ja një grua, në fillim të shekullit XIX, që shkruante pa urrejtje, pa hidhërim, pa frikë, pa ngritur zërin, pa predikuar. E teksa lexoja “Antonio e Kleopatra”, mendoja se ishte e njëjta gjendje në të cilën shkruante Shakespeare. Ndoshta, kur krahasojnë Shakespeare-in me Jane Austen-in, disa kritikë duan të thonë se që të dy kishin arritur të shuanin çdolloj pengese në mendjen e tyre…   
Virginia Woolf te “Një dhomë për vete”  

Ema është një personazh jashtëzakonisht tërheqës, një grua tek e cila lexuesi kthehet sërish e sërish për shkak të intimitetit joshës të mendimeve të saj, një lidhje e fshehtë që gërshetohet me mësimin se njohja e vetvetes përbën mister, se vaniteti është burimi i dhembjes më të madhe dhe se nënvetëdija është një mjet i pabesë e i papërsosur në drejtimin e psikikës. Ndoshta keni vërejtje se Ema është grua dhe snobe, por nga ana tjetër, ajo i bën vazhdimisht thirrje natyrës së mirë të lexuesit.  
“The Guardian”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura