Një nga figurat më të shquara të historisë, Iljaz pashë Dibra, pse luftoi për të ndaluar copëzimin e Shqipërisë

Apr 2, 2021 | 14:49
SHPËRNDAJE

Iljaz_Pasha_Dibra

Kanë kaluar shumë vite, por koha nuk i fshin dot nga historia figurat e shquara të kombit; njerëz që lanë gjurmë në kujtesën kombëtare.

Një prej tyre ishe edhe Iljaz Pashë Dibra (Çoku), që edhe mbiemrin e mori nga krahina, të cilën e deshi dhe luftoi. Iljaz Pashë Dibra është një ndër luftëtarët e shquar për mbrojtjen territoriale të Shqipërisë dhe një ndër organizatorët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kësaj ngjarje madhore në historinë shqiptare, që rriti vetëdijen shqiptare dhe i hapi udhë pavarësimit të vendit. Iljaz Pashë Dibra lindi në Kllobisht të Dibrës.

U bë i njohur me pjesëmarrjen aktive në luftën e Gjoricës së Dibrës kundër Hajredin Pashës, në vitin 1844.

Asokohe, Hajredin Pasha kishte kërkuar nga malësorët dhe popullata e Dibrës me rrethinë që të zbatoheshin kudo reformat e Tanzimatit, të vitit 1839. I njohur si autoritet me ndikim në popull dhe dishepull shpirtëror i figurave historike që kishin ngritur krye kundër Portës së Lartë si Ali Pashë Tepelena, Zenel Gjoleka, Tafil Buzi e të tjerë, Iljaz Pashë Dibra në vitin 1861 udhëhoqi forcat dibrane kundër përpjekjeve malaziase për të shtënë në dorë viset shqiptare të Shkodrës.

Është i njohur aktiviteti i tij për mbrojtjen e viseve shqiptare nga pretendimet sllave, por edhe përpjekja për të krijuar shtetin shqiptar të Katër Vilajeve që përfshinin territoret shqiptare në Ballkan.

Iljaz Pashë Dibra, së bashku me Avdyl Frashërin, Ymer Prizrenin, Sylejman Vokshin e të tjerë ishte ndër nismëtarët për themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Skicë nga Lidhja e Prizrenit

Më 10 qershor të vitit 1878, Iljaz Dibra kryesoi Kuvendin e Përgjithshëm që çoi në themelimin e Lidhjes dhe u zgjodh kryetar i parë saj. Më pas u tërhoq në Dibër dhe atje kryesoi Kuvendin e Dibrës të 1 nëntorit të vitit 1878.

Ky kuvend kombëtar i shqiptarëve miratoi rezolutën, në të cilën kërkohej krijimi i vilajetit autonom shqiptar. Iljaz Dibra ishte njëri nga të 14 anëtarët e delegacionit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të cilët kishin paraparë t’i drejtoheshin Sulltanit me kërkesë për autonominë e Shqipërisë.

Ai ka kryesuar edhe Kuvendin e Dytë të Dibrës, më 20 tetor të vitit 1880. Pavarësisht situatës së komplikuar që po kalonte Shqipëria, Iljaz Pashë Dibra mbrojti idealet e tij deri në fund dhe luftoi për tërësinë territoriale të Shqipërisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura