Ndërtimi pa leje i merr frymën kullës së Inglizit

Jun 11, 2014 | 13:26
SHPËRNDAJE

Godina 2-katëshe, pa leje, e ngritur vetëm një metër larg Sahatit të Inglizit në Shkodër (pamja para dhe pas)
Prej një viti ka nisur ngritja e një godine dykatëshe

Bashkia e qytetit ka pezulluar punimet, s’dihet se ç’do ndodhë me ndërtesën e lënë përgjysmë

Prej një viti në një shesh, rreth një metër larg ndërtesës ku ndodhet Kulla e Sahatit të Inglizit, ka filluar të ndërtohet një ndërtesë dykatëshe.
Ende pa u ngritur e plotë, ajo duket se po i merr frymën njërës prej ndërtesave historike në qendër të Shkodrës. Burime nga Bashkia Shkodër thonë se ajo ndërtese në të cilën aktualisht janë disa njësi tregtare, nuk disponon leje ndërtimi nga ky institucion. Ka zëra që objekti është në listën e objekteve që pritet të legalizohen, por asgjë nuk është zyrtare. Megjithëse themelet dhe hekurat e kolonave mbi katin e dytë të lënë të kuptosh se objekti është menduar për një ndërtesë të lartë, duket se presioni nga ana e Bashkisë e ka frenuar vazhdimin e mëtejshëm të punimeve në ndërtesën, e cila ka ngritur vetëm dy kate. Një veprim i tillë ka ngjallur indinjatën e shumë qytetarëve shkodranë, të cilët u kanë bërë thirrje institucioneve shtetërore që të ndërhyjnë për ta prishur një shëmti të tillë. Ky rast është bërë objekt polemikash edhe në rrjetet sociale. Së fundmi ka qenë arkitekti Artan Shkreli, që ka denoncuar këtë rast në rrjetin social facebook, duke e quajtur ngritjen e kësaj ndërtese një krim. “Një KRIM po ndodh në SHKODËR… krim i paralajmëruar, KULLA’ INGLIZIT – Qyteti kësaj here duhet të reagojë…”, shkruan Shkreli, duke mbledhur shumë komente mbi këtë rast. Gjer tani, me gjithë reagimet qytetare, institucionet janë mjaftuar vetëm me pezullimin e punimeve, por se si do të vejë halli i tij, askush nuk e di.
Kulla e Inglizit
Në qendër të qytetit të Shkodrës, përballë Hotel Rozafës, ndodhet e vetmja ndërtesë historike, që ka qëndruar në këmbë. Kjo ndërtesë, me pamjen e një kështjelle, njihet nga populli i Shkodrës si “Sahati i Inglizit”, që ka marrë këtë emër për hir të ndërtuesit të saj. Kulla e sahatit, siç emërtohet ndryshe, së bashku me shtëpinë ngjitur, i takon periudhës së aristokracisë mesjetare dhe është ndërtuar me fondet e lordit anglez Paget, i ardhur në qytetin e Shkodrës rreth çerekut të fundit të shekullit 19. “Sahati i Inglizit”, i parë që prej së largu, ka tërhequr gjithmonë vëmendjen e çdo vizitori që ka ardhur në këtë qytet, duke ngjallur dëshirën dhe kureshtjen e tyre për njohjen e historikut të kësaj ndërtese të bukur, historike, tipike e kohës së feudalizmit. Kureshtja e tyre fillonte që me emërtimin e saj dhe deri me ardhjen, interesat e lordit anglez në Shkodër dhe pse e kishte ndërtuar në formë të tillë. Ndërkohë që deri në vitin 1990 në këtë ndërtesë ishte i vendosur muzeu historik i qytetit. Pas këtij viti, ndërtesa iu kthye ish-pronarit dhe aktualisht sot shërben si bar-kafe.
Gërmimet në histori tregojnë se lordi Paget kishte ardhur në Shqipëri i ngarkuar edhe me mision politiko-fetar, si agjent për përhapjen e protestantizmit në vendin tonë dhe me qendër në Shkodër. Këtë e tregon edhe mënyra e ndërtimit të shtëpisë, ku sallonin e madh e përshtati në stilin oriental, me tavan të daltuar, me trapazan dhe ndarje të tjera, në mënyrë të tillë që të shërbente më vonë si faltore, të ngjashme me ato të kishave e kapelave protestante, ndërsa kullën ngjitur e ndërtoi me qëllimin që të shërbente për të rënë kambana në orarin e liturgjisë. Me sa duket, ai kishte marrë iniciativën e ngritjes së një kishe anglikane në qytetin e Shkodrës. Pasi përfundoi shtëpinë dhe kullën e i bëri të përshtatshme për faltore, ai filloi propagandën fetare. Por shkodranët me humor tregojnë se për sa kohë që ai qëndroi në Shkodër, arriti të bëjë protestant vetëm një person. Kjo nismë e lordit hasi në qëndresën e klerit katolik shkodran. Protestat e tyre çuan në ndërhyrjen e qeverisë osmane, e cila e detyroi atë që t’i përdorte këto ndërtesa vetëm për qëllime vetjake. Kështu, në vend të kumonave, që do të vendoste aty, ai solli një sahat të madh me tri fusha dhe i vendosi në faqet e sipërme të kullës për t’u parë nga larg. Sot orët e “inglizit” nuk janë më aty ku i ka vënë i zoti e ku shkodranët e vjetër i kanë parë për herë të fundit pak më shumë se 50 vjet më parë. Thuhet se gjatë kohës së diktaturës orët e inglizit përfunduan në Jug, në Kalanë e Gjirokastrës. Në këtë periudhë kjo kullë u përdor si pikë vrojtimi për zjarre, sepse prej andej dukej i gjithë qyteti.

Godina 2-katëshe, pa leje, e ngritur vetëm një metër larg Sahatit të Inglizit në Shkodër (pamja para dhe pas)

Kulla e Inglizit në qendër të Shkodrës, para ngritjes së godinës 2-katëshe

RITVAN DIBRA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura