Një muaj pas sherrit në publik, Flori dhe Stine bëjnë pakt të heshtur për pajtim

Jan 15, 2016 | 16:18
SHPËRNDAJE

Një muaj pasi dy kantautorët, Flori Mumajesi dhe Ernest Duka (Stine), u bënë objekt lajmesh për përplasjen fizike në Pallatin e Kongreseve në përfundim të votimeve, duket se gjakrat janë ftohur mes dy kolegëve.

Ndërkohë që në rrjetet sociale ka bërë xhiron një foto e Florit, ku duket qartë se i ka ngelur shenjë në ballë pas goditjes që mori gjatë sherrit, ka qenë Stine ai që me anë të një statusi ka shpjeguar me fjalë diplomatike situatën aktuale mes tyre, duke e konsideruar skandalin thjesht një “incident”.

image92

“Përshëndetje miq! Duke marrë shkas nga ditët e para të këtij viti të ri, desha t’ju uroj përzemërsisht, dhe të sqaroj një situatë të vitit, ku e hodhëm pas me të mirat dhe jo të mirat e tij. Ju detyrohem një sqarim për incidentin e ‘Këngës Magjike’.

Siç e kam thënë edhe në “DWM”, janë komentuar lloj e lloj versionesh duke vënë në pah vlerat apo antivlerat e njërit apo tjetrit. Jam dhe jemi ndryshe, pa pasur nevojë për incidente të kësaj natyre. Ne jemi artistë, njëkohësisht edhe shembuj të kulturës dhe artit, sjelljes, mënyrës dhe se si jetojmë etj.

Kështu që le të qëndrojmë të tillë deri në fund. Kam ecur prej vitesh dhe kam arritur bashkë me mbështetjen tuaj aty ku duhet. Gjej rastin t’ju falënderoj për çdo përkrahje dhe çdo mbështetje tuajën”, ishte statusi i tij, i pari për këtë vit të ri, por i dyti që kur ndodhi sherri.

4

Nga ana tjetër, Flori Mumajesi nuk ka dhënë asnjë sqarim të tillë publik, duke e lënë këtë çështje në dorë të drejtësisë. Por shihet qartë tashmë se dy artistët kanë bërë një pakt të heshtur për pajtim, duke e lënë në harresë sherrin që ndodhi në parkingun e Pallatit të Kongreseve në dhjetor.

Një muaj më parë, pa u shpallur ende fituesi i “Këngës Magjike”, Flori Mumajesi po dilte nga Pallati i Kongreseve, por u ndoq pas nga Stine, i cili pas disa batutash, u tha se e goditi kantautorin me një send të fortë në fytyrë, që ishte gota që Flori kishte në dorë.

Pas kësaj, Mumajesi u largua për në spital me makinë dhe denoncoi ngjarjen te forcat blu që shërbejnë në urgjencën e QSUT-së. Stine u dorëzua në komisariat, por pas dëshmisë ku mohoi ta kishte qëlluar Florin, duke e cilësuar si “vetëplagosje”, u la në gjendje të lirë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura