Një muaj pas ardhjes në Shqipëri, afganët: Kemi nisur procedurat për në SHBA/ Banorët e zonës: Shëtisin në çdo cep të qytetit, nuk na shqetësojnë

Oct 14, 2021 | 14:19
SHPËRNDAJE

ELVIS HILA/ Shëtitje, lojëra dhe argëtim më njëri-tjetrin. Kjo është mënyra si e kalojnë ditën refugjatët afganë të strehuar në zonën turistike të Shëngjinit.

Afganët duke u argëtuar në Shëngjin
Afganët duke u argëtuar në Shëngjin

Pas 1 muaji qëndrim në Shqipëri, ata thonë se janë të kënaqur me mikpritjen dhe kushtet që janë ofruar në vendin tonë, por të ardhmen e shohin në Shtet e Bashkuara të Amerikës. Juni Husamin shprehet se mbështetja e njerëzve dhe qeverisë shqiptare është maksimale.

“Unë jam Juni Husamin nga Afganistani. Po bëjmë një muaj që kemi ardhur dhe jemi strehuar këtu në Shëngjin. Jemi ambientuar shumë shpejt dhe po e kalojmë shumë mire. Ditën e kalojmë duke u argëtuar me njëri-tjetrin dhe duke shëtitur në këtë vend të mrekullueshëm. Nga qëndrimi ynë këtu, ne kemi venë re një nivel të lartë mbështetjeje si nga njerëzit, gjithashtu edhe nga qeveria shqiptare.  Kemi kaluar një situatë të vështire në Afganistan, por këtu e shohim veten shumë të sigurt”, thotë Husamin. Ai tregon se ka nisur procedurat për t’u pajisur me vizë amerikane dhe ka shumë shpresë se nuk do të krijohen vonesa.

“Erdhëm këtu përkohësisht, sepse destinacioni ynë dhe qëllimi është Amerika. Atje e shohim të ardhmen, pasi kështu na është premtuar. Është në proces e sipër marrja e vizës për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ne shpresojmë dhe besojmë që do ta marrim vizën shumë shpejt”, shton Husamin. Një tjetër shtetas afgan i strehuar në Shëngjin thotë se ndihet i sigurt dhe mirë në këtë vend, por qëllimi i tij dhe familjes është që të shkojë dhe të krijojë jetën e re në Amerikë.

“Unë jam Jamiz dhe këtu në Shqipëri më pëlqen shumë si vend, ashtu edhe njerëzit. Ata janë shumë të sjellshëm. Pavarësisht kësaj, ne po punojmë me dokumentet që të marrim vizën, pasi qëllimi është që të shkojmë dhe krijojmë jetesën në SHBA. Kështu na është premtuar dhe shpresojmë që të ndodhë shpejt diçka e tillë”, shprehet Jamiz. Prej 1 muaji Shëngjini është kthyer qytet i shtetasve afganë. Tashmë ata nuk kanë asnjë dallim me banorët vendas, teksa i takon në çdo zonë të qytetit turistik. Thonë se janë të sigurt dhe nuk kanë aspak frikë të lëvizin.

“Unë jam Jasui nga Afganistani. Kemi rreth 1 muaj që jemi këtu dhe jam shumë e kënaqur nga populli shqiptar. Banorët këtu janë shumë të sjellshëm dhe të hapur për shoqëri. Pavarësisht vështirësive në komunikim, jemi ambientuar dhe po kalojmë shumë mirë. Shqiptarët na kanë ndihmuar që kur kemi ardhur këtu dhe na kanë bërë të ndihemi shumë të sigurt, sikur të ishim në vendin dhe shtëpinë tonë. Jam shumë falënderuese ndaj shqiptarëve dhe qeverisë shqiptare. Nuk e di edhe sa do të na duhet të presim këtu, por patjetër që edhe unë po pres vizën amerikane, që të shkoj atje sa më parë bashkë me familjen”, thotë Jasui.

“AFGANËT JANË TË SJELLSHËM”

Prania e afganëve nuk i ka shqetësuar aspak banorët e Shëngjinit. Ata thonë se refugjatët janë shumë të sjellshëm dhe po i mbështesin maksimalisht. “Ata kanë ardhur nga halli këtu dhe nuk na shqetësojnë aspak. Janë shumë të sjellshëm dhe po mundohemi që t’i mbajmë sa më afër. Pavarësisht se kemi vështirësi në komunikim, janë përshtatur dhe ambientuar më së miri këtu në Shëngjin. Siç i shihni, lëvizin lirisht dhe shëtisin e argëtohen në çdo zonë të qytetit. Dëshiroj dhe shpresoj që të bëhet më e mira për ta”, thotë Zef Zeka, banor i Shëngjinit. Për mbështetjen dhe integrimin e refugjateve afganë është angazhuar edhe Bashkia e Lezhës. Kryebashkiaku Pjerin Ndreu ka zhvilluar një takim me një përfaqësi të tyre dhe në bashkëpunim me organizatat të ndryshme është angazhuar për t’iu ardhur në ndihmë për nevojat që mund të kenë.

“Zhvilluam një takim me ta dhe shkëmbyem bashkë ide për integrimin në fushat përkatëse sipas formimit të tyre, si dhe ndamë problematika që i shqetësojnë dhe u dakordësuam për komunikim të vazhdueshëm. I falënderoj për integritetin dhe pozitivitetin në nivel të lartë që kanë treguar deri tani, me një qasje dhe sjellje shembullore. Menjëherë kam marrë kontakte OJF-të për të unifikuar marrëdhënien me refugjatët dhe për t’u ardhur në ndihmë bashkërisht. Jemi dakordësuar unanimisht që koordinimin për ndihmat do ta bëjë Bashkia dhe të gjitha OJF-të do të investohen sipas mundësive që kanë”, thotë Ndreu.

Prej fillimit të muajit shtator në Shëngjin janë strehuar 400 refugjatë afganë. Ata janë vendosur në ambientet e një resorti i cili ndodhet në vijën e parë të bregdetit në qendër të Shëngjinit. Ndërkohë, vendi ku janë strehuar shtetasit afganë në Shëngjin mbahet nën monitorim të vazhdueshëm nga Policia për të garantuar sigurinë e tyre, ndërsa aty qëndron në gatishmëri përgjatë 24 orëve edhe një personel mjekësor për t’iu ardhur në ndihmë për çdo problem që mund të kenë.

Afganët në Shëngjin
Afganët në Shëngjin
Afganët në Shëngjin
Afganët në Shëngjin

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura