Një mrekulli mjekësore që vazhdon

Nov 15, 2021 | 8:00
SHPËRNDAJE

NGA PROF. DR. ISUF KALOisuf kalo

Më 23 janar 1922, ora 11:00, ditë e hënë, në një spital të Torontos në Kanada dr. Valter Campbell po hezitonte. Më në fund vendosi. Guxoi të ndërmerrte një tentativë të fundit të dëshpëruar për shpëtimin e jetës së të sëmurit 14-vjeçar, Leonard Thomson. Djaloshi vuante nga diabeti dhe ishte në gjendje ekstremisht të rëndë, pranë vdekjes së sigurt. Dr. Campbell i injektoi atij një “lëng” mjekues krejt të ri, të paprovuar asnjëherë më parë te njerëzit. Por ishte treguar i aftë dy muaj më parë të ulte nivelin e sheqerit në gjak te një qen eksperimental me emrin Marjori. Bari i ri qe izoluar pak muaj më parë në vitin 1921 në laboratorin e profesorit Maclod në Toronto nga mjeku kanadez, Frederik Banting, i ndihmuar nga studenti i mjekësisë, Charl Best.

Ata e nxorën atë nga gjëndra e pankreasit të kafshëve ose më saktë prej një grumbulli qelizash të posaçme si ishuj, që e prodhonin atë, e që prandaj u emërua insulinë. Lëngu u pastrua e u përpunua kimikisht më tej në laborator nga Jems Colip, por ende nuk ishte përdorur te pacientët me diabet për mjekim. Dr. Campbell, pasi kreu injeksionin e parë, priti me ankth. Ai nuk e dinte që pas pak çastesh do të ndodhte magjia. Nuk e dinte që ai dhe djaloshi Thomson do hynin në historinë e lavdishme të mjekësisë duke hapur për të sëmurët me diabet një botë të re plot shpresë. Ata po bëheshin protagonistë të një epoke të re në historinë e përballjes së mjekësisë me diabetin, me këtë sëmundje të mbrapshtë, e cila u merrte në mënyrë të pamëshirshme jetën viktimave të tij, sidomos fëmijëve e të rinjve. Në sytë e çuditur të mjekut, lëngu i injektuar filloi ta “mposhte sheqerin”. Analiza e glicemisë në gjak, orë pas ore, tregoi shifra në rënie. Djali u shpëtoi mrekullisht thonjve të vdekjes. Leonard Thomsoni u bë pacienti i parë në botë, që falë insulinës iu shpëtua jeta nga vdekja e sigurt dhe do jetonte më pas deri në moshën 73 vjeç. Kurse, dr. Banting, dr. Colip, dr. Campbell, studenti i mjekësisë Best dhe bashkëpunëtorët e tjerë pionierë e arkitektë të kësaj sfide unikale, u ndjenë atë ditë njerëzit dhe mjekët më të lumtur në botë.

EPOKË E RE

Zbulimi e përdorimi i insulinës për mjekimin e diabetit e ndau historinë e kësaj sëmundjeje në mes. Ajo la pas epokën mijëravjeçare të dështimit e tragjedisë së pacientëve që vuanin atë sëmundje. Që atëherë kanë kaluar plot 100 vjet. Disa miliona njerëz në botë me diabet kanë mundur të jetojnë, të punojnë, të krijojnë familje dhe gëzojnë jetën falë këtij bari mrekullues. Elisabet Hughes, pacientja amerikane 12- vjeçare, e bija e ish-sekretarit të Shtetit dhe ishkryebashkiak i New Yorkut, Carl Hughes, ishte njëra nga ato. E dënuar të humbiste fatalisht jetën që në moshën fëminore nga kjo sëmundje, ajo mundi pas fillimit të mjekimit me insulinë, në të njëjtën vit me Leonard Thomsonin, të jetonte edhe 58 vjet të tjerë më pas. Para se të fillonte të mjekohej me barin e ri magjik, ajo ishte si një skelet kockë e lëkurë, që me zor mbahej gjallë falë dietës drakoniane të urisë, që praktikonte diabetologu më i famshëm i asaj kohe, Frederik Alen. Kura e tij qe për të sëmurët më torturuese se vetë sëmundja. Bari insulinë e ndryshoi kryekëput këtë dramë.

Insulina nuk e shëroi diabetin, por e bëri të përballueshëm dhe të mposhtëm atë. Kur Elisabeta u nda nga jeta në vitin 1981, ishte një grua e lumtur, e plotësuar, me arsim të lartë, me karrierë të pasur profesionale e shoqërore, e martuar me familje me fëmijë të saj dhe gjyshe e gëzuar me 7 nipër e mbesa. Ajo kishte bërë në trup deri ato ditë 42 mijë injeksione insulinë. Një rekord ky, që sot kalohet nga shumë pacientë të tjerë me diabet në botë. Por mesazhi që ajo dha, është se falë insulinës, sëmundja e diabetit nuk përbën më pengesë për suksesin, cilësinë dhe aspiratat e jetës njerëzore.

BESONI ËNDRRAT

Historia e zbulimit të insulinës dhe përdorimi i saj me sukses në mjekimin e diabetit përbën një nga sagat fashinante e më frymëzuese të mjekësisë në tërësi. Në të u përzien një mori faktorësh, pasionesh, lojëra dramatike të fatit, konflikte dhe mrekulli të papritura të tij. Një mori shkencëtarësh të tjerë qenë përpjekur ndër vite duke hedhur hapa për të. Pati vëzhgime dhe ide befasuese, këmbëngulje, dështime, solidaritet, ambicie, lakmi, xhelozi, intriga, rivalitete nacionaliste dhe personale, si dhe integritet, humanizëm, bujari e mirënjohje të karakterit njerëzor dhe profesional. Sepse rruga e zbulimeve të mëdha e tillë është: plot hendeqe, humnera e mjegullnaja, e njëkohësisht me të përpjeta, por edhe me dritë të papritur dhe me engjëj të çuditshëm që të çojnë lart në majën e dëshiruar. Kjo i ndodhi Bantingut.

Askush nuk e di misterin e datës 31 tetor 1920. Pse atë natë, në orën 2 të mëngjesit, kirurgu deri atëherë jo aq i suksesshëm, Frederik Banting, u zgjua befas nga gjumi në dhomën e vogël të shtëpisë së tij në qytezën London të Ontarios në Kanada? Përse kërkoi ta rilexonte me kuriozitet përvëlues një artikull mjekësor, që e pati shfletuar shkarazi para se të flinte. Në të përmendej mundësia e ndikimit të një lëngu të prodhuar nga disa grupe qelizash brenda gjëndrës së pankreasit ndaj nivelit të sheqerit në gjak. E zgjoi ndonjë zhurmë? Ndonjë ëndërr? Apo ideja fatlume i erdhi papritur? Gjysmë i ngritur në shtrat, ai rilexoi ngultas artikullin. Pastaj nxitimthi shënoi në bllokun që ishte në komodinë: “Diabet; lidhim kanalin e gjëndrës së pankreasit të një qeni. E mbajmë gjallë qenin gjashtë javë sa gjëndra të thahet e të mbeten vetëm qelizat që prodhojnë lëngun, që besohet se ndikon mbi sheqerin e trupit. Nxjerrim lëngun dhe provojmë efektin te qeni”.

Kaq. Të shkruara në anglisht, gjithsej 25 fjalë. Fleta ku u shkrua, ruhet në po atë shtëpi të shndërruar në muze, një farë “Meke e diabetologjisë”. Atë kam pasur edhe unë fatin ta vizitoj plot emocion. Ajo ka hyrë në histori si zanafilla e një prej zbulimeve më të mëdha të mjekësisë. Pas asaj nate, Bantingu, si somnambul i magjepsur, nuk do t’i ndahej dot më idesë të lindur në gjumë. “Të gjitha ëndrrat mund të bëhen realitet – pati thënë Walt Disney – nëse i besojmë ato dhe u shkojmë pas me vendosmëri”. “Bantingu arriti t’i realizonte ato që shkroi në fletën e bllokut. Ai zbuloi e prodhoi insulinën, çelësin magjik të shumëkërkuar të mjekimit të diabetit. Plot 100 vite më parë më 14 nëntor 1921, ai dorëzoi për botim rezultatet e zbulimit të ri. Atë ditë përkonte edhe ditëlindja e tij e 30-të. Federata Botërore e Diabetit do ta shpallte më pas 14 nëntorin e çdo viti Ditën Botërore të Diabetit. Më tepër se talenti apo dituria ishin këmbëngulja, besimi dhe përkushtimi që do të determinonin suksesin mrekullues të tij.

“E PËRKËDHELURA” E ÇMIMIT NOBEL

Fill pas zbulimit, insulina u bë menjëherë lulja ku u sulën për të gjetur nektar shkencor një mori kërkuesish të fushave të mjekësisë, biologjisë dhe kimisë. Zbulimet e lidhura me të e bënë atë kampionen e paarritshme në fitimin e çmimit “Nobel”. Çmimi i parë i tillë iu dha dr. Frederik Bantingut dhe prof. John Macleod, i cili i pati ofruar atij në Universitetin e Torontos laboratorin, 10 qen eksperimentalë, si dhe mbështetjen shkencore për këtë zbulim. Por ata të dy për solidaritet e ndanë atë vullnetarisht, i pari me studentin Best dhe i dyti me dr. Jems Colip. Në vitin 1951, një tjetër Frederik me mbiemër Sanger do merrte çmimin “Nobel” për zbulimin e strukturës molekulare të insulinës. Ajo u bë proteina e parë e që hapte misteret e aminoacideve brenda saj. Ai u pasua nga nobelistja e vitit 1969, Dorothe Hochkin, që me metodën kristalografike do zbulonte konfiguracionin hapësinor insulinik. Në vitin 1974, Kristian de Duve do nderohej me çmimin “Nobel” për efektet e insulinës në nivel qelizor, kurse 3 vite më vonë, në 1977-n, Rosaline Jallou do merrte Nobelin përsëri për insulinën: dozimin e saj në gjak me metoda radio-imunologjike, çka i hapi më pas rrugën dozimit të gjithë hormoneve të tjera.

Një numër pa fund studimesh dhe iniciativash do ta bënin insulinën objekt të perfeksionimit kimik e strukturor. Do t’i maksimalizonin efekteshmërinë, si dhe do ndërmerrnin industrializimin e komercializimin e shpejtë dhe mbarëbotëror të saj. Insulina ndryshoi rrënjësisht diabetin. Dhe po aq diabeti e ndryshoi dhe po e përmirëson pandërprerë atë.

Hapësira të papara

Në historinë e industrisë dhe biznesit farmaceutik, rasti i insulinës përbën pa dyshim një nga megasukseset më ekscepsionale. Ishte së pari kompania farmaceutike amerikane “Eli Lilly”, e cila që në vitin 1921 nxitoi të përfshihej në prodhimin industrial të këtij bari të ri jetëshpëtues. Në fund të vitit 1922, ajo arriti të mbulonte të gjitha nevojat për të në kontinentin amerikan. Ndërkohë, një protagonist tjetër, nobelisti i vitit 1920 në mjekësi, danezi August Krogh, do ta çonte i pari zbulimin e madh të ofruar bujarisht nga miku i tij, prof. Macleod, nga Kanadaja në Danimarkë. Gruaja e tij, Maria, ishte me diabet. Ai themeloi kompaninë daneze Nordisk, më pas Novo Nordisk dhe në mars 1923 insulina filloi të përdorej edhe në Kopenhagë.

Në sinergji e konkurrim me njëra-tjetrën, kompanitë Eli Lilly dhe Novo Nordisk u vunë në garë për perfeksionimin e pandërprerë të preparateve insulinike. Një numër kompanish, si Sanofi e Hochst etj., i shoqëruan shpejt ato në këtë rrugë. Deri në vitin 1960, prodhimi i insulinës kryhej vetëm duke u ekstraktuar prej pankreasit të viçit dhe të derrit, mjaft të ngjashme me atë njerëzore. Thertoret u shndërruan paradoksalisht në “male me pankreasë shtazorë” si burim jete për të sëmurët me diabet. Por nevojat e prodhimit u rriten me shpejtësi, çka çoi në zbulimin e llojeve të shumta të insulinës me variacione të shpejtësisë e kohëzgjatjes së veprimit, me kombinime dhe pastërti sa më të lartë të saj. Në vitin 1960 u krijua insulina e parë sintetike me të njëjtën përbërje si ajo njerëzore, kurse në vitin 1977 Herbert Bayer, duke përdorur bakterin E. Coli, mundi ta krijojë në laborator insulinën njerëzore me anë të inxhinierisë biogjenetike. Një perspektivë e re e paparë u hap kështu për prodhimin e pashtershëm të saj.

Në vitin 1982, insulina e tillë u fut gjerësisht në përdorimin klinik të mjekimit të diabetit. Insulina e vitit 1921 e kishte të pamundur tani të njihte veten. Ajo pati kushtuar gjithsej 14 mijë dollarë për t’u zbuluar dhe, në tërësi, 24 mijë dollarë fitim nga Nobeli për të katër shkencëtarët, ndërsa tani sjell vetëm për dy kompanitë e mësipërme rreth 6-8 miliardë dollarë të ardhura në vit.

Një progres marramendës ndodhi paralelisht në mjetet e teknikës së injeksionit të saj, së pari me perfeksionimin e shiringave majëholla, pastaj me pena si stilograf, që mundësuan injektimin thuajse të padhembshëm, si edhe “pompat e insulinës” për injektimin e saj të ngjashëm me atë fiziologjik. Insulina flet edhe shqip Ajo ka shumë vite që ka ardhur dhe po përdoret te ne. Mijëra të sëmurë tanë me diabet ia dedikojnë jetën dhe mirëqenien e tyre asaj. Prandaj, në këtë 100-vjetor, urime të panumërta prej tyre edhe prej ne, mjekëve, u shkojnë zbuluesve, prodhuesve dhe heronjve të parë të saj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura