Një model karriere për gjimnazistët

Sep 21, 2017 | 11:00
SHPËRNDAJE

ndue dedajNDUE DEDAJ

Gjimnazistët kanë nevojë për modele, jo për t’i imituar ato symbyllazi, siç ndodh shpesh me të rinjtë që imitojnë VIP-at e ekranit, spektaklit, pasarelave, showbiz-it, por për të projektuar karrierën e tyre sipas më të mirës që kanë arritur të tjerët në fushën e dijeve. E këso modelesh has qysh në gjimnazet e para e shkollat e tjera të viteve ’30 të shekullit të kaluar në Shkodër, Elbasan, Tiranë, Korçë, Vlorë etj., aq më shumë në gjimnazet e kolegjet e sotme dhe jashtë tyre.

Padyshim maturantja më ekselente, shpallur nga Ministria e Arsimit e Sportit dhe pasqyruar nga mediat, është Ekida Zefi, e gjimnazit “Naim Frashëri” të Durrësit, që rezultoi më e mira e vitit shkollor 2016-2017 në shkallë vendi. Tri nga provimet e maturës shtetërore, Anglisht, Matematikë dhe Fizikë e thelluar, i ka marrë 10, Letërsinë 9.8 dhe Biologjinë 9. Mesataren e tri viteve të gjimnazit e ka 9.96, kohë gjatë së cilës ajo ka marrë dhe 16 dëshmi si fituese e olimpiadave dhe konkurseve në nivel lokal e kombëtar. Kjo ishte kurora e pritshme e një nxënëseje, e cila që nga klasa e parë fillore, vetëm ka shkëlqyer.

Regjistrat e saj si gjimnaziste janë mbushur me dhjeta dhe prirja e saj është në lëndët shkencore. Kjo është pak a shumë skeda zyrtare e kësaj vajze të thjeshtë e të urtë, që flet pak, e cila u rendit e para në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë, ku është regjistruar për të vazhduar studimet e larta. E vërteta është se mund ta kishim kursyer këtë shkrim, po të ishte thjesht për promovimin e Ekidës, pasi ajo nuk e ka të nevojshme këtë gjë. Aq me tepër, që nuk kemi vetëm një maturante të klasit të parë, por dhe të tjerë 18-vjeçarë që kanë fituar “medaljen e artë” të shkollimit shqiptar.

E veçantë është biografia e shkruar dhe e pashkruar e kësaj vajze. Prindërit e saj, para afro 20 vitesh, kanë zbritur nga Mirdita në ish-Kënetën e Durrësit (Spitallë) nga fshati Shëngjergj i zonës së Kaçinarit. Ka kohë që kulla e tyre atje, rrëzë bjeshkës, ka mbetur thuajse shkret. Prindërit dhe gjyshërit e Ekidës janë punëtorë, njerëz të fisëm e bujarë, po që nuk kanë trashëguar diploma universitare etj.

Si për të gjithë malësorët, mundësia më e madhe e tyre në të kaluarën jo të largët, ishte galeria e minierës, ara e kooperativës, blegtoria etj. Pati disa ndryshime pozitive në anën social-kulturore, si shkollimi i fëmijëve, por që nuk çonte tek ekselenca e tyre. Edhe pse vetëm njëqind kilometra nga Tirana, në Shëngjergjin piktoresk e jo pak turistik, asnjëherë makina nuk ka hyrë në dimër, nga mungesa e një rruge për të qenë. Kurse Durrësi ka patur universitet që në shekullin XIV, siç shkruan historiani i njohur Jahja Drançolli.

Ky është ndryshimi i një shkolle të largët fshati (sot me dy nxënës), me një gjimnaz qyteti apo të zonës urbane, që i krijon shansin një nxënëseje të shfaqë gjithë zotësinë e vet në fushën e mësim-nxënies. Ishte kënaqësi të flisje me prindërit e Ekidës pas ngjarjes së bujshme me të bijën, shpalljes si e para maturante e vendit. “Studion shumë, është e dhënë pas librave shkencorë, e kemi ndihmuar me aq sa kemi patur mundësi, por ajo ia ka dalë vetë. Ndihemi mirë që në gjurmët e saj po ecën vajza tjetër”. A ka më thjesht se kaq, krejt ndryshe nga disa prindër kinse intelektualë, që rrahin gjoksin për fëmijët e tyre “gjeni”.

Pra, Ekida është model në radhë të parë për të motrën. Është e njohur kjo dukuri, ashtu si dhe e kundërta, kur motra e madhe, vetëm pak kohë më parë, kishte tërhequr në rrjetin e prostitucionit online motrën e vogël. Kur përmendim gjimnazet e dikurshme, që duhen marrë shembull, e kemi fjalën në radhë të parë për modelin e mësuesve të tyre, ku shërbenin si të tillë Ndue Paluca, Kol Margjini, Gjergji Canco, Arshi Pipa, Prengë Kaçinari, Skënder Luarasi, Vehbi Bala etj.

Këta mësues elitarë, që kishin studiuar në shkollat e larta perëndimore, si Austri, Itali, Francë etj., mbeten udhërrëfyes dhe për gjeneratën e sotme të arsimtarëve, ku ende nuk është kapërcyer modeli i mësuesit autoritarist të periudhës moniste, kur autoritetin nuk e vendoste lënda, të mësuarit me themel, por diktati pedagogjik. Është një sindromë që ka prekur dhe brezin e ri të mësuesve të pas 90-s, ndoshta ngaqë nuk kanë një model më të mirë se kolegët e tyre më të vjetër.

Ndryshe, nuk ka si shpjegohet që disa mësues, duke u shpjeguar edukimin e karrierës nxënësve të tyre, paraqesin si model për ta veten e tyre?! Dhe e bën këtë edhe ndonjë mësues që nuk ka libra pesë në shtëpi! Duket fjalë e madhe, por shkolla shqiptare nuk mund të integrohet në Europë me mësues rastësorë që luajnë “kala dibrançe” në klasë. Shkolla, sigurisht që nuk ka nevojë për ndonjë veting, por për një test moral të mësuesve, po! Ua kemi për borxh të rinjve t’ua dëftojmë shembujt e karrierës, jo vetëm ata bashkëkohës, se po nuk e bëmë këtë, ata do të dalin nga shkolla me formim të mangët.

Nuk do ta kuptojnë se ky vend vërtet qeverisej nga një shpurë njerëzish mediokër, nëntëdhjetë për qind e tyre pa arsim të lartë, që kishin vetëm “shkollën e Luftës” dhe atë të “klasës punëtore”, por kishte ndërkohë dhe dijetarë e konstruktorë digash si profesor Farudin Hoxha, që la pas një vepër të pavdekshme inxhinierike me projektet e tij të digave në kaskadën e Drinit. Për t’u kthyer te Ekida, ajo është një vajzë modeste, që nuk ndien kurrfarë mburrje, veti kjo e të rinjve më formim perëndimor, që e dinë rrugën e tyre dhe nuk lypin nga askush gjera të tepërta. Një arsye më shumë që t’ua këshillojmë gjimnazistëve modelin e saj.

Por kjo nuk do të thotë që Ekidën të mos e presë në takim ministrja e Arsimit apo ajo e Shëndetësisë, për ta dëgjuar e mbështetur. Nëse shteti nuk jep bursa të posaçme për këtë kategori, atëherë për kë i ka? Për më të mirin duhet të ketë status të veçantë shpërblimi. Shpërblehet financiarisht çdo sportist rekordmen, po pse të mos ndodhë kjo dhe me një “rekordmene” të auditorëve? A nuk është kjo një (super)garë? Çështja është që maturante/studente të dedikuara ndaj dijes si Ekida, të rriten duke besuar në vendin dhe shtetin e tyre, se ai u krijon mundësi nesër për punë në parametra bashkëkohorë.

Ajo, si mjeke e ardhshme, mund të shërbejë dhe në Mirditën e rrënjëve, por gjithë gjasat janë të jetë një doktoreshë e spikatur në spitalet e Tiranës e pedagoge universiteti, që do t’i prijë punës shkencore. Që të ndodhë kjo, dhe Ekidën e të tjerat si ajo, t’i kemi këtu dhe nesër, pasnesër e gjithmonë, thënë ndryshe që atyre t’ua krijojmë këtu “Gjermaninë”, duhet t’i mbështesim seriozisht sot e jo sa për një fotografi para kamerave.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura