Një mjek si Dhimitër Kraja dhe “harresa” e shtetit

Apr 2, 2020 | 19:29
SHPËRNDAJE

leonidha-mertiri-150x150

LEONIDHA MËRTIRI

Kur Ministrja e Shëndetësisë tha qysh në fillim të pandemisë së coronavirusit, se mjeku i njohur infeksionist, Prof.Dr Dhimitër Kraja apo Doktor Luli është kthyer në këto ditë të vështira në Spitalin Infektiv të QSUT-së, për ne dhe shumë njerëz që e njohin atë, lajmi ishte më se i zakonshëm. Sepse e dinim, ai do të ishte atje. Këtë njoftim nuk do ta donte dhe vetë  Doktor Luli, për të cilin kthimi një orë e më parë në vijën e parë të zjarrit, pavarësisht ditëve të pensionit,  ishte  më se normal dhe i duhuri.

Pikërisht tani, spitali ku punoi prej rreth gjysëm shekulli, ku dhe drejtoi në vite, si shef i tij, kishte më shumë se kurrë nevojë për të, për përvojën e tij të çmuar. Sepse sfidave, sikurse njihet, ky autoritet shkencor dhe tepër human u ka ndënjur vazhdimisht përballë, pa u qarë apo aq më keq, t’u dorëzohet atyre. Dhimitër Kraja e njeh mirë forcën e armiqve të tillë të egër dhe të padukshëm, si coronavirusi. I pamundur qëndrimi i tij larg kësaj beteje, larg kolegëve mjekë dhe stafit tjetër të palodhur kundër sëmundjeve infektive.

Ndër mjekët infeksionistë më në zë, tërë aftësitë e veta, vlerat e larta intelektuale, Doktor Luli i ka vënë në shërbim të mjekëisë, të njerëzve. Lakonik dhe gjithnjë bindës në argumentat e veta shkencore. Skrupuloz në profesion. Dhe çka të bën përshtypje, për këdo që e ka lidhur puna me të për shkak të profesionit, nuk mund të mos ketë vërejtur tek ai, Njeriun që nuk do të bjerë në sy, përherë modest, i saktë në shpjegimet për këtë apo atë pacient. Studentë të tij, të cilët kanë qënë me dhjetra dhe qindra, e shikojnë dhe flasin me admirim për profesorin e tyre. I kujdesshëm kurdoherë ndaj kolegëve, por dhe ndaj studentëve të mjekësisë, Dr.Lulit nuk i mungoi asnjëherë respekti për mendimin e tyre alternativ, përballë konkluzioneve të tij për këtë apo atë sëmundje dhe dukurive të saj. E tërë kjo, duke qënë i papajtueshëm me paaftësinë, ka qënë e pandarë nga ndjekja hap pas hapi e arritjeve bashkëkohore, mbajtur gjallë nga prushi i pasjonit për profesionin, që nuk u shua për asnjë çast gjatë rreth pesëdhjetë viteve. Ishte ndër kohë kjo dashuri, që e mbajti në të gjitha rrethanat edhe larg politizimit, ideologjizimit të problemeve të fushës së mjekësisë.

Kjo është vetëm njera anë. Mendoj se figura si ajo e Dhimitër Krajës, duhen parë jo vetëm si profesionistë, por dhe në aspekte të tjera, në plan shumëdimensional. Të marrim marrëdhëniet me të sëmurët dhe familjarët e tyre. Ata i vlerësojnë më mirë ato. Sepse nuk mjafton të jesh një mjek i aftë, por dhe human. I sëmuri, të afërmit të shikojnë drejt në sy dhe fjala e mjekut vërtetë të shëron, por edhe të vret kur nuk është ajo që të tjerët presin. Edhe në këtë aspekt, nuk kanë munguar situatat e vështira, ku vlerat njerëzore nuk janë ndarë as në këto momente me ato të profesionistit që reflekton energji pozitive.

Respekti, adhurimi i njerëzve për mjekë si Dr.Luli dhe për kolegë të tjerë të tij, që luftojnë gjatë këtyre ditëve pa iu druajtur armikut që kanë përballë,  është i natyrshëm. Por dhe me ndikimin e vetë: Kjo sikur të lehtëson sadopak edhe nga rëndesa e periudhës që jemi duke kaluar.

Situata aktuale, sikurse dhe ajo që kaluam me tërmetin, nxjerr dhe mësimet e nevojshme, të cilat nuk janë të panjohura apo të palançuara dhe krahas saj, për peshën e jashtëzakonshme që po mbajnë këta specialistë të zotë dhe njerëz me zemër të madhe, deri në sakrificë sublime. Ajo çka duhet të theksojmë: Janë po këta që shërbejnë në spitale të ndryshëm apo në institucione të tjera, po ata, ndaj të cilëve është nxituar t’i nxjerrin në pension, edhe kur kanë përbërë elitën tonë shkencore. Harresë? Kurrsesi. Ata meritojnë shumë dhe jo mospërfillje, injorim nga shteti. Mediokrit, pavarësisht vëndeve që zënë, krahëngrohtë nga “militantizmi” apo “miku”, sidomos kur kanë “diçka në dorë”, i bëhën barrikadë kësaj elite, madje të bëjnë dhe moral, për të mos i tundur kush nga foleja ku vegjetojnë dhe ku nuhatja e tyre për interesa meskine, përmes tenderave e gjetkë, është tepër e ndjeshme. Populli, shteti ka nevojë për profesionistët e vërtetë, për fjalën dhe veprimin e tyre. Të gjithë e ndjejmë këtë nevojë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura