Një makinë me targa jeshile…

Oct 18, 2017 | 13:14
SHPËRNDAJE

Frano Kulli

FRANO KULLI

Një makinë me targa jeshile “CD” (trupi diplomatik) kishte ndalur  përpara një tregtoreje të vogël, ngjitur me poliklinikën e qytetit. Përpara saj, një tjetër makinë fuoristradë, që shoqëronte të parën. Në mes të rrugës edhe një polic, që kundronte makinat e ndalura dhe njëherësh ndihmonte bllokimin e njërës korsi të rrugës së bllokuar… Jemi në një rrugë kryesore të Lezhës (është dita e enjte, ora rreth 11-ës), ndërsa shitorja n’anë është e “Rapsodisë” së Fredit, që shet produkte ushqimore të shumëllojshme bio.

Po, me të vërtetë bio, të prodhuara në fushat e kodrinat përreth Zadrimës e në fermat e kafshëve të ngritura me mundim. Dhe bash për këto qenkan ndaluar edhe makina CD, bashkë me shpurën shoqëruese të Zonjës Vlahutin, Ambasadores së Bashkimit Europian… Unë i kërkoj ndjesë Zonjës së nderuar, që rasti po e sjell e po i përmend bukën. Nuk e di nëse e ka dëgjuar gjatë viteve të misionit të saj këtu në Shqipërinë tonë, se buka nuk i përmendet mikut…

Po ndodhia përreth saj, me makinën e ndalur dhe me një tjetër makinë shoqëruese me bodyguard dhe me policin në udhëkryq, që me urdhër duhet të bllokojë rrugën për të tjera makina të kalimtarëve, është ngacmuese shumë. Është një neveri, me të cilën ne shqiptarët jemi regjur në të vërtetë; këtë na e bëjnë zyrtarët tanë të kategorive të shumëllojshme, përditë e për orë. Edhe për një qokë me popullin e tij bashkëqeverisës (!)të niset diku Kryeministri, nëse rasti ndodh që ti je bujtës a ke punën tënde aty afër me qokën e Kryeministrit, ty të bllokohet rruga, të ndalet lëvizja; ti nuk mund të hysh me makinë në punën a shtëpinë tënde, për aq kohë sa të zgjasë qoka.

Edhe me këmbë, po të jesh, rojet e tij të shohin vëngër… Madje, edhe njëfarë zyrtari i s’di se çfarë rangu, siç mund të jetë shefi i federatës së futbollit(!), bie fjala, ka tagra që të krijojë “gjendje shtetrrethimi” me superkontrolle në rastin e një ndeshjeje shumë të dashur, siç mund të jetë ajo me Kombëtaren e Italisë, në një qytet simbol, përpos të tjerave, edhe i futbollit si Shkodra… E gjitha kjo, në emër të sigurisë. E shumëkush mund të numërojë raste të pafundme si këto. Po për Zonjën e nderuar Ambasadore të Europës, seç ka një tjetër peshë kjo gjë.

Se shqiptarët në shumicë, Europën e kanë akoma ëndrrën e tyre. Romano Prodi, që ka qenë shefi i Komisionit Europian për nja pesë vjet, në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Bolonjës, kur jepte mësim aty, shkonte me biçikletë. Zonja e nderuar Ambasadore, në vendin e saj nuk besoj se mund ta ndalonte me dy makina dhe me roje të bllokonte rrugën, për… të psonisur në një tregtore. Jo, jo, as nuk mund ta shkonte ndërmend. Kurse këtu, në vendin tonë… këtu edhe asaj i duket si gjë normale. Përderisa të gjithë të tjerët e atij rangu ka parë që kështu bëjnë; sikur të vepronin ndryshe, do të ishte çudia vetë…

E pastaj, Barometri i Ballkanit na jep atë shifrën e trishtë, sipas së cilës gjysma e gjysmës së shqiptarëve të mbetur këtu duan të ikin. Sigurisht, shkaqet e ikjes janë të shumta e të rënda. Njerëzia duan të ikin se këtu s’ka punë për ta, punë normale me të cilën të lidhin jetën, ekonomia e familjeve këtu është trokë, që shumë prej tyre nuk u siguron as minimumin jetik. Pas shkollimit këtu mund të gjesh punë, më së shumti në “sektorin” e agrokanabisit. Këtu shteti nuk është i së drejtës. Shteti këtu taton të vegjlit e shtyp të pamundurit, shteti këtu është i oligarkëve.

Ky është opinion në shumicë. I pari i prijsave të tij është një shpotitës e tallës i paskrupullt, gjithnjë e me gjithkënd, që gjithsa shfaq e merr nga pushteti, përndryshe do të ishte i denjë veç si spektator për komedinë që përpiqet të luajë. Jeta po bëhet e vrazhdë e pa kurrfarë sharmi. Këtu është venitur shpresa, këtu po humb shija e jetës… Sigurisht që fajin për këtë nuk na e kanë zyrtarët e huaj, shkaktarët janë vetë prijsat tanë, që i shtyjnë kaq masivisht drejt ikjes shqiptarët.

Është edhe kjo neveria e kalçifikuar për zyrtarucët tanë që sillen kështu çnjerzishëm sa s’ka, që përditë e më shumë ngjason si dy pika uji me dhunën e frikshme të së shkuarës së Bllokut, një arsye më shumë që ta nxin jetën. E të bën të ikësh nga sytë këmbët. Për sa kohë s’e kemi “një grusht të fuqishëm, malit që s’bëzan, mu në zemër me ja ngjeshë…”, ambasadorët veç të na e dijnë hallin…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura