Një letër për Ferial Alibalin

May 22, 2011 | 14:40
SHPËRNDAJE

Drita Pelinku: “Rolet që ju këputën në mes…”

Ferial Alibali është një emër i shquar në historikun e Teatrit Kombëtar. Në fondin e artë të tij ndodhen rolet e saj që shquhen për individualitetin e tyre të theksuar: shumë racionale, me botë të pasur emocionale, me një plastikë të shkëlqyer. Janë të shumta rolet e saj, por po përmend vetëm pak prej tyre: “Mirandolina e Goldonit”, Masha tek ”Orët e Kremlinit”, në rolin e Zogës tek “Cuca e Maleve”, ”1 nuse për Stasin” e të tjera, e të tjera. Pra, janë jo vetëm të shumtë, por edhe të veçantë në trajtimin e tyre. Përmendim një shembull: plaka Nicë (tek “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”), ndonëse Feriali ishte e re në moshë, dallohej për organizitet dhe, sidomos për planin e 2-të aktoresk, ku fshihej përmbajtja e botës së brendshme, emocionit që donte të shpërthente. Krejtësisht ndryshe tek “Morali i zonjës Dulska”, ku dueti Alibali-Mima nuk mund të harrohet kurrë nga askush që e ka parë. Plastikë e shkëlqyer, shpërthime apo kërcime që shprehin qartë “farën” e rolit të saj (lozonjar), natyrshmërinë, diksionin e pastër, sytë shprehës si dhe qëllimet e qarta të mesazheve që donte të përcillte. Kështu i qëndiste rolet Feriali, me talentin që i kishte falur natyra e me dashurinë e punën e madhe që bënte, por që… problemet e kohës ia këputën në mes… Vetëm një gjë nuk mundën të shkatërronin ato “probleme”: ato nuk ishin të afta të shlyenin nga memoria e shikuesve, mbresat për aktoren e mrekullueshme dhe kolegen e dashur të të gjithë kolektivit të Teatrit Kombëtar. Ajo sot jeton në zemrat e të gjithëve ne!

Ferial Alibali, në një nga rolet e saj

Tashmë, aktoret që i shohim thuajse vetëm në filmat bardh e zi (me përjashtime të rralla) ato të dikurshmet, pra munden që mes tyre të shkëmbejnë vetëm biseda telefonike. Veçse ato nuk i lënë asnjëherë! Çdo mbrëmje kujdesen të pyesin njëra-tjetrën se si ka shkuar dita e secilës. A është ngrysur mirë edhe një ditë… Ka qenë një nga këto telefonata që ka shpërndarë lajmin e vdekjes së aktores Ferial Alibali, të dielën e shkuar. E dini, dhimbja në moshën e tyre mund të jetë e tillë që të pengojë qoftë edhe vizitën e fundit te mikesha e dashur. Megjithatë, edhe pse nuk mundi të shkojë (për të gjitha arsyet e saj) ta përshëndesë për herë të fundit, aktorja Drita Pelinku i ka shkruar një letër që do ta ndajë me të gjithë. Në këtë përshëndetje është bashkuar një tjetër aktore, kolege e mikeshë e Ferialit. Marika Kallamata ka thuajse nga një bejte për të gjitha mikeshat e saj. Nuk bënte përjashtim as Alibali. Madje, vargjet që i ishin kushtuar, Feriali kishte arritur në kohë t’i lexonte edhe vetë. Përpara se të gjitha këto vargje të Kallamatës të mblidhen tok e të shohin dritën e botimit, një copëz po jua sjellim më poshtë, por më parë po ju ritregojmë (për ata që diku më parë mund ta kenë lexuar), se kush ishte Ferial Alibali. Cilat janë disa nga rolet e saj, që ende edhe sot kanë mbetur në kujtesën e filmdashësve të kohës? Alibali numëron mbi 50 role në teatër dhe shumë të tjerë të spikatur, madje në kinematografi. Përvoja këto që e bënë një aktore të njohur të kinematografisë e Teatrit Shqiptar. Ato që mund t’iu ndërmendim e që menjëherë mund t’iu ngacmonin kujtesën, janë në rolin e Mashës, Zogës, Drandes, Hajries etj. Ferial Alibali lindi në qytetin e Lushnjës, në vitin 1933. Aktivitetin artistik ajo e nisi në vitin 1952, fillimisht në Teatrin profesionist të Korçës, për të kapërcyer më pas në terrenin më profesional të vendit. Në vitin 1953 fillojnë interpretimet e para të Alibalit në Teatrin Kombëtar. Por karriera e saj nuk ishte e destinuar për të vijuar gjatë. “Njollat” me të cilin mund të visheshe aso kohe, ndërprisnin automatikisht çdo rrjedhë jete, e cilitdo lloji qoftë ajo. Nga ky fat i përhapur gjerësisht në vitet ’75 u prek edhe aktorja, karriera e së cilës nuk zgjati më shumë se 20 vite. Dënimi që mori bashkëshorti i saj nga ish-regjimi komunist nuk mund të kalonte pa e prekur për t’ia lënë pasionin e profesionin e saj një film që mund të shihej vetëm nga ekrani… Këtë brengë të sajën, mikeshat ia përmendin edhe sot, për të rikujtuar edhe njëherë talentin e mikeshës së tyre. Vetëm në vitet e fundit, Ferial Alibali është dekoruar nga Presidenti i Republikës me disa urdhra dhe medalje.

 

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura