Një lajm ekonomik si mundësi për reflektim

Aug 9, 2017 | 12:00
SHPËRNDAJE

zef-preciDR. ZEF PREÇI

e të ardhurave nga imigrantët, si dhe me papunësinë e lartë që zotëron në vend. Ndërkaq, siç dihet, bankat përfaqësojnë institucione të rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit. Edhe pse ato kryejnë një aktivitet ekonomik që mbështetet mbi të njëjtat parime me ato të një biznesi të zakonshëm, rregullimi i tyre shtetëror merr një rëndësi të veçantë, sidomos për garantimin e një konkurrence të ndershme midis tyre, për inkurajimin e marrjes së risqeve nga ana e bankave nëpërmjet zgjerimit të kreditimit të ekonomisë reale, si dhe për mbrojtjen e konsumatorëve, d.m.th. bizneseve dhe qytetarëve huamarrës.

Të dhënat e publikuara ditët e fundit nga Banka e Shqipërisë mbi dinamikën e fitimit të sistemit bankar gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2017, “duke u dyfishuar në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”(http://www.monitor.al/ bankat-arrijne-fitime-rekord-ne-6-muajt-epare-te-vitit/).

Nuk ka diskutim se ky zhvillim është “një lajm i mirë” për vetë bankat tregtare, por nuk mund të themi të njëjtën gjë edhe për ekonominë në tërësi dhe klientët e këtyre bankave. Siç dihet, ekonomia shqiptare vazhdon të jetë një ekonomi anemike, me rritje vjetore modeste dhe tejet e paaftë të thithë fuqinë punëtore të lirë apo fuqinë e kualifikuar punëtorë që “prodhohet” me shumicë nga sistemi arsimor vendas dhe ai i vendeve perëndimore, ku shkollohen një numër në rritje i të rinjve shqiptarë.

Fuqia e saj konkurruese është e dobët dhe aftësia për të absorbuar teknologji bashkëkohore, për të zgjeruar përdorimin e mekanizimit në bujqësi, për të rritur shkallën e përpunimit në vend të produkteve bujqësore e blegtorale etj., si baza mbi të cilën rritet fuqia konkurruese e kësaj ekonomie, kushtëzohen dukshëm nga investimet private dhe mbështetja bankare për këto drejtime të të bërit biznes në vend, që në thelb janë pak a shumë edhe drejtime të përshpejtimit të zhvillimit ekonomik e shoqëror të tij.

Në fakt, të dhënat e ofruara nga Banka e Shqipërisë mbi ecurinë dhe burimet e fitimit të sistemit bankar në periudhën e analizuar identifikojnë nga njëra anë rritjen e “të ardhurave neto nga veprimtaritë e tjera … duke u trefishuar në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”. Kjo do të thotë se, pavarësisht deklarimeve të besueshme mbi “shëndetin” monetar të sistemit bankar, ky sistem nuk po përmbush funksionin e vet kryesor: dhënien e kredive bankare bizneseve dhe qytetarëve, e për rrjedhojë edhe sigurimin e të ardhurave të veta kryesore nga interesat për huat e dhëna.

Për hir të së vërtetës, kjo situatë është konstante të paktën prej vitit 2012 a më parë, dhe dëshmon për dobësitë që shfaq rregullatori i sistemit për të nxitur alokimin e kredive, mungesën e suksesit në nxitjen e zgjerimit të kreditimit nëpërmjet uljes së normës bazë të interesit (që në fakt ka prekur kryesisht depozituesit e parave në banka), por edhe lënien tërësisht pa mbrojtjen e nevojshme të konsumatorit.

Ulja në vijimësi prej më shumë se 10 vitesh e normës së interesit për depozitat ka mbërritur në kufijtë e minimumit historik të këtij treguesi, ndonëse ka dhënë një ndikim fare minimal në zgjerimin e kreditimit. Të jemi të qartë, banka është biznes dhe gjendet në treg për të siguruar fitime sa më të mëdha, por nëse mungon konkurrenca në këtë treg (problemi kryesor i sistemit në vendet me korrupsion të lartë, institucione rregullatore të dobëta dhe ndikim të fuqishëm të oligarkisë mbi jetën ekonomike të vendit si yni), etja për fitime nuk mund të mos penalizojë padrejtësisht konsumatorin, si dhe të krijojë terren për veprimtarinë informale dhe kriminale, siç është tregu informal i kredisë apo, me shqip, ringjallja e “skemave piramidale” si treg alternativ.

E shenjat për praninë e këtij tregu të rrezikshëm në pasojat e njohura dhe të panjohura që e shoqërojnë atë janë dhënë kohët e fundit po nga vetë Banka e Shqipërisë… Të mos harrojmë edhe faktin se në vendin tonë qarkullojnë shuma të mëdha parash të lira (cash) të krijuara nga veprimtaria kriminale e kultivimit të kanabis sativë që, së bashku me paratë që tërhiqen nga depozitat bankare, kanë rilindur fenomenin e kreditimit jashtë bankave, pra kreditimi informal, gjë që shton më shumë rreziqet si për sistemin bankar, ashtu edhe për ekonominë e qeverisjen e vendit në tërësi.

Banka e Shqipërisë referon si burim të dytë për rritjen e fitimeve nga bankat tregtare “uljen e ndjeshme të shpenzimet për provigjionimet” që, siç dihet, janë fitimet që bankat lënë mënjanë për të mbuluar kreditë me probleme. D.m.th., rritja e fitimeve reflekton masat administrative të qeverisë në favor të bankave për “pastrimin e bilanceve” të tyre apo për uljen e peshës specifike të kredive të këqija” e për rrjedhojë bankat kanë rimarrë fondet që i kishin lënë si “garanci” për huat pa shpresë arkëtimi.

E gjithë kjo ndodh kur për të njëjtën periudhë kohe, kreditimi i ekonomisë reale është tkurrur së bashku me një zvogëlim të lehtë të stokut të depozitave bankare. Sipas mendimit tim, një faktor tjetër që meriton të analizohet është edhe diferenca midis normës së interesit për huat dhe asaj për depozitat bankare. Ulja e interesave për depozitat, në nivele të papara në të shkuarën e afërt dhe ulja shumë më pak e normës së interesit për kreditë bankare, kanë bërë që diferenca midis tyre (spread) të jetë nga më të lartat në rajonin tonë, duke e kthyer këtë faktor në një burim të rëndësishëm të rritjes së fitimeve nga ana e sistemit bankar.

Gjithashtu, mendoj se duhet debatuar me gjerë edhe mbi rreziqet e dobitë e procesit të investimit të fondeve të bankave jashtë vendit nga ana e bankave tregtare të cilat, siç dihet, pothuajse plotësisht janë banka me pronësi kapitalin e huaj. Ky investim dëmton rëndë mundësitë për një rritje ekonomike më të shpejtë të ekonomisë sonë kombëtare dhe nuk duhet të lihet jashtë fokusit të politikave qeveritare për të garantuar një rritje ekonomike më të lartë, por edhe subjekt i monitorimit nga ana e agjencive ligjzbatuese të vendit për shkak të rreziqeve që paraqet.

Një problem më vetë mendoj se është raporti midis dobisë dhe risqeve që lidhen me uljen e normës bazë të interesit. Kjo sepse tashmë ka një evidencë prej më shumë se një dekade që provon se mbartja e efekteve të kësaj uljeje vetëm te depozitat, pa përfshirjen e bankave tregtare në marrjen e risqeve që lidhen me zgjerimin e kreditimit të ekonomisë, në vend që të stimulojë rritjen e kësaj të fundit, varfëron poseduesit e depozitave bankare, sidomos qytetarët, dhe bashkë me të ul edhe koston e borxhit publik të qeverisë.

D.m.th. ndikon negativisht në ritmet e konsumit për atë pjesë të të ardhurave nga depozitat, të cilat edhe pse të dominuara nga një numër i madh depozituesish të vegjël, prej disa vitesh janë edhe subjekt i tatimit të rritur, gjë që dekurajon edhe depozitimin e kursimeve monetare apo parave përkohësisht të lira në bankat tregtare edhe në të ardhmen. Si përfundim, mendoj se vendi ynë ka nevojë për një bashkërendim më të mirë të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë me politikat fiskale të qeverisë në funksion të krijimit të një klime të dialogut konstruktiv dhe të besimit të ndërsjellë midis qeverisë dhe komunitetit të biznesit, por edhe me vete bankat tregtare; për nxitjen e konkurrencës midis tyre, për stimulimin në terma realë të kreditimit të ekonomisë kombëtare dhe jo thjesht për vendimmarrje lobistësh që varfërojnë më tej konsumatorin: biznes, qytetar huamarrës apo depozitues i parave në bankë qoftë ai.

Kjo do të thotë se në programin e qeverisë së re duhet përballuar me realizëm edhe nevoja për ndryshimin e strukturës së kredive në favor të sektorëve që kanë peshë më të madhe në zhvillimin ekonomik aktual dhe perspektiv të vendit. Vetëm kështu çdo palë e përfshirë, bankat e qeveria nga njëra anë dhe komuniteti i biznesit e qytetarët nga ana tjetër, do të ndërtojnë marrëdhënie korrekte që respektojnë parimet e funksionimit të ekonomisë së tregut të lirë, duke iu larguar sa më shpejt që të jetë e mundur gjendjes së sotme jo pak të deformuar të këtyre marrëdhënieve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura