Një “Kuti me xixëllonja” në kujtim të Atjon Zhitit

Dec 21, 2015 | 14:41
SHPËRNDAJE

Kutia me xixëllonja është një kuti e mbushur plot me kujtime. Çdo njëra prej tyre ndrin për t’u dhënë shpresë atyre, për të cilët ajo është më e nevojshme se kurrë.

Pikërisht kështu, “Kutia me xixëllonja” titullohet ekspozita e hapur dy ditë më parë në universitetin “Polis”, si një homazh për Atjon Zhitin, djalin e Visar dhe Eda Zhitit, që u nda nga jeta në një aksident tragjik.

Atjon Zhiti
Atjon Zhiti
Kjo ekspozitë, e kuruar nga studiuesi Gëzim Qendro, është një përzgjedhje nga vizatimet e fëmijërisë dhe të adoleshencës së Atjonit. Është një botë e gjallë, plot ngjyra që dëshmon botën e pasur shpirtërore të një fëmije që ishte gjithçka për prindërit e vet, e më pas të një të riu që ka filluar t’i hedhë vetë hapat e tij në jetë.

Nga një diell që buzëqesh e një peshk fluturues, te format abstrakte që lindnin në mendjen e të riut. Pas ndarjes së tij nga jeta, ky është rikthimi i tij i dytë, përballja e dytë me publikun, që ashtu si prindërit, edhe ai do të ketë pas ëndërruar ta bënte sa ishte në këtë jetë.

Vizatim i Atjon Zhitit, në ekspozitën “Kutia me xixëllonja”
Vizatim i Atjon Zhitit, në
ekspozitën “Kutia me xixëllonja”
“Kutia me xixëllonja” vjen pas botimit të një përmbledhjeje të mendimeve dhe shqetësimeve të një të riu, që i kishte të gjitha premisat për t’u bërë një penë e sigurt në letrat shqipe. Tashmë kjo ekspozitë vjen si një kujtim i bukur dhe i dhimbshëm, por edhe si një mesazh për të gjithë moshatarët e tij, që ta duan dhe vlerësojnë jetën.

“Një kuti me xixëllonja. E lënë nxitimthi në ikje e sipër atë praggjëme që pikëlloi shumëkënd. E mbetur diku, gjysmë e përmbysur mbi barin e kopshtit të magjepsur të fantazisë së tij. Dhuratë për këdo. Nga Atjoni”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura