Një kalim me dhjetë ndalesa për kolanën e UET PRESS, për kujtesën mbi komunizmin

Sep 21, 2019 | 22:00
SHPËRNDAJE

henri ciliHenri Çili/ Ajo çfarë më ka frymëzuar në krijimin e kësaj kolane, ka qenë libri simbol i dëshmive mbi komunizmin, “Rrno për me tregue” i At Zef Pllumit, ndërsa modeli që kam dashur që këto vepra të shkruhen, e disa prej tyre e kanë arritur, është libri i historianit amerikan, Bernd Fisher, “Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri”, botuar në vitin e largët 1995 te botimet “Çabej”.

Në adoleshencën time më ka impaktuar në një mënyrë të tillë, si një mënyrë e re për të shkruar historinë. Në mbyllje të këtij projekti, kolanës së kujtesës mbi komunizmin shqiptar dua t’i bëj 10 ndalesa të stilit telegrafik. Kjo kolanë ka nisur 10 vjet më parë nga një bisedë me Blendi Fevziun, i cili kishte intervistuar disa personazhe, një pjesë e të cilëve nuk ishin më dhe kishin dhënë për të intervista jete. Kështu nisi kjo kolanë, në shtator të vitit 2009, duke botuar këto 31 intervista jete në librin “Jeta ime”. Kjo kolanë përmbyllet me një libër dinjitoz, debati për të cilin është ende në qarkullim, libri “Blloku” i profesorit e mikut tim të ri, Isuf Kalo, i cili e ka plotësuar e mbyllur këtë projektin.

Kolana që mbyllet sot na vë para detyrimit për një “in memoriam” për dy nga autorët e kësaj kolane, për mikun tonë Amik Kasahuro, i cili u nda nga jeta para disa vitesh, dhe së dyti për mikun tonë gjeneral, Rrahman Parllakun, i cili u nda nga jeta para disa ditësh. Takimi i fundit me të ishte jo më larg se në prill të këtij viti, i pranishëm në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës me rastin e 100- vjetorit, ku prezantoi vetë dhe librin e tij me kujtime. Tipari i kësaj kolane është pluraliteti. Kjo kolanë nuk ka njohur censurë, nuk ka njohur përjashtim, përveçse vlerë.

Tipari i kësaj kolane është profesionalizmi, përpjekja për ta botuar nga A në ZH mbi kritere profesionale dhe dua të veçoj këtu botimin e 101 dokumenteve nga arkivat komuniste mbi shkrimtarin Ismail Kadare, një libër që shkaktoi një debat të madh, përgatitur me përkushtim nga kolegu Dashnor Kaloçi. Për këtë kolanë, sigurisht që në stilin tonë UET-ist, çdo libër ka pasur një “public relations” të madh, madje dhe e kemi tepruar ndoshta, por kemi menduar që më mirë të flitet për këto libra në mënyrë që ato të lexohen.

Kjo kolanë është shkencore, pasi ajo ka përpunimin shkencor, recenca, ose aparatin shkencor të një ekipi shumë profesional të pedagogëve tanë të humaniteteve, profesorëve të historisë, të shkencave politike apo shkencave sociale. Lidhur më këtë kolanë, do isha i padrejtë nëse nuk do të përmendja dy miqtë e mi që nuk janë sot këtu, Spartak Ngjelën dhe Preç Zogajn, me të cilët ndaj një miqësi e komunikim kulturor të gjatë, në lidhje me librat e tyre që janë pjesë dinjitoze e kësaj kolane, madje në disa seri. Kontakti dhe puna me 22 autorët e kësaj kolane, njerëz me shumë ego e fuqi, më ka pasuruar intelektualisht, nga A-ZH kam pasur privilegjin të punoj me Amik Kasoruhon, Artan R. Hoxhën, Blendi Fevziun, Dashnor Kaloçin, Eni Vasilin, Eugjen Merlikën, Fabian Katin, Fatos Tarifën, Isuf Kalon, Kurt Kolën, Luljeta Prognin, Maks Velon, Mustafa Nanon, Nevila Nikën,Preç Zogajn, Rafaela Martetën, Rrahman Parllakun, Servet Pëllumbin, Spartak Ngjelën, Visar Zhitin, Ylli Bufin, Daut Gumenin.

Së fundmi, ka një libër të 26-të që i mungon kësaj kolane: Është libri i Vera Bekteshit, romani i saj autobiografik, “Vila me tri porta”, për të cilin kam insistuar të jetë një autobiografi, por edhe si roman është jashtëzakonisht i bukur e ndoshta është vepra më fine e kësaj kolane. Dhe së fundmi, duke qenë se tranzicioni po përfundon e reforma në drejtësi po vjen, është koha të fillojmë KOLANËN PËR TRANZICIONIN dhe ky është projekti i ardhshëm që ne do të ndjekim në 10 vitet e ardhshme.

* Kryetar i Bordit të Administrimit

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura