Një jubile i simpatisë

Mar 21, 2015 | 12:19
SHPËRNDAJE

GJERGJ META

   Dhembshuria është për frikacakët dhe të dobëtit, shprehej para më shumë se një shekulli filozofi gjerman, Friedrich Nietzsche. Ndoshta kishte të drejtë edhe për faktin se për shumë kohë me dhembshuri kuptohej ndjenja e një më të forti ndaj një më të dobëti. E kjo e shtyn në fakt edhe Migjenin tonë, një lloj Nietzsche në poezi, të thotë që mjerimi nuk do mëshirë, por të drejtë. Papa Françesku, më datë 13 mars të këtij viti, pikërisht në dyvjetorin e zgjedhjes së tij si Papë, shpalli papritur një jubile të dhembshurisë. E përktheva fjalën latine “misericordia” me dhembshuri më shumë sesa me mëshirë, pasi në fakt ka të bëjë me dhembshurinë e zemrës. Një vit kushtuar dhembshurisë, mëshirës. Një vit kushtuar faljes që vjen nga dashuria e pamasë e Zotit, por edhe e faljes reciproke midis njerëzve. Jam i bindur se një jubile i tillë është i domosdoshëm jo vetëm për Kishën e jo vetëm për të krishterët. Do të mundohem ta shpjegoj mendimin tim duke sjellë në vëmendje një fjalë tjetër, që ka të bëjë drejtpërdrejt me dhembshurinë e që është fjala greke “sympatheia”, në shqip simpati. Në përdorimin e përditshëm, në fakt, fjala simpati e ka humbur kuptimin e saj zanafillor.
Kur i themi dikujt simpatik apo kam simpati për dikë, u referohemi disa karakteristikave të tij apo të saj që kanë të bëjnë me karakterin, pamjen, sjelljen, që na tërheqin e na pëlqejnë. Por, në të vërtetë, fjala simpati mban brenda vetes dy fjalë të tjera “syn” dhe “patheia”, që vjen nga “pathos”. Të kesh simpati për dikë do të thotë të pësosh, të vuash, të ndiesh bashkë me dikë tjetër, të kesh të njëjtat ndjenja të dikujt tjetër.
Ky është një nga virtytet më të munguara të kohës sonë që, thënë më shqip, do të thotë të hysh në një sintoni me tjetrin e të përjetosh bashkë me tjetrin. Rrjedhimisht, kjo mund të marrë një aspekt të gëzueshëm, d.m.th. të gëzosh bashkë me tjetrin, të ndiesh kënaqësi me të, por mund të marrë edhe një ngjyrim më pak të gëzueshëm, të trishtohesh bashkë me tjetrin, të ndiesh dhimbje bashkë me të. Por gjithsesi, je gjithmonë bashkë me tjetrin e tjetri me ty…
Simpatia është solidaritet, që më vendos me tjetrin jo në një raport epërsie apo sundimi, as inferioriteti apo nënshtrimi, por në një raport të barabartë. Atëherë ja përse fjala mëshirë, sipas një lloj përdorimi të tanishëm, shpesh mund të krijojë një padrejtësi, sepse niset nga pozitat e dikujt që ndien mëshirë për dikë tjetër, por gjendja e tjetrit nuk e prek atë. Të mëshirosh dikë nuk do të thotë vetëm të ndiesh keqardhje për tjetrin, por të hysh në fatin e tjetrit e të bëhesh pjesë e tij.
Një jubile i mëshirës apo dhembshurisë është pikërisht një jubile i simpatisë, që në kuptimin e krishterë do të thotë një jubile i faljes e në radhë të parë i faljes reciproke. Por a është e nevojshme kjo vetëm për të krishterët? Në një realitet të zhytur në konflikt dhe në probleme të thella ndihet, madje bëhet e domosdoshme kjo lloj simpatie. Dhe një jubile i tillë do të thotë që për pak çaste të ndalemi, t’i japim vetes një shans, të hedhim shikimin brenda vetes dhe jashtë nesh e të shohim cilat janë ato rrugë që më çojnë drejt tjetrit, me të cilin kam për detyrë të bashkëjetoj. Në realitetin biblik, falja është kryesisht një atribut hyjnor, por që kthehet edhe në atribut njerëzor në momentin që njeriu i përgjigjet thirrjes së tij zanafillore: bukurisë, mirësisë dhe vërtetësisë së qenies së tij.
Të falësh një njeri, një të ngjashëm me vetveten, nuk është e mundur nëse nuk lind një ndjenjë simpatie, d.m.th. të vësh veten në pozicionin e tjetrit, në vend të tjetrit. Nëse dikush nuk ndien se vetë ka nevojë të falet, se falja do t’i bënte mirë çdokujt në momentin që e merr atë, kurrë nuk do të jetë i aftë të falë një tjetër. Të kuptosh dikë nuk do të thotë vetëm të njohësh teorikisht se çfarë po përjeton dikush, por të hysh në realitetin e tij e të ndiesh bashkë me të.
Kjo është dhembshuri, mëshirë, simpati, empati, solidaritet. Kjo është drejtësi në kuptimin më të lartë të fjalës. Kjo është bazike në jetën komunitare, familjare, shoqërore. Më duket rasti që të gjithë bashkë të përfitojmë nga një vit i tillë si një rast, hapësirë shpirtërore dhe kohore në të cilën njerëzit, popujt, komunitetet, individët, shkëmbejnë me njëri-tjetrin ndjenja faljeje dhe kuptimi të ndërsjellë. Për një besimtar të krishterë një jubile mëshire do të thotë të gjejë rrugën drejt shtëpisë së Atit, e cila është shtëpia e identitetit, aty prej nga unë marr emrin dhe trajtat origjinale të qenies sime. Për një që nuk është besimtar apo ka një besim tjetër, mund të jetë rast i mirë rikuperimi i një dimensioni shoqëror të paqtë me të tjerët, me veten dhe me besimin që secili ka. Dhe e gjithë kjo për një planet më të mirë e një njeri më autentik.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura