Një javë pasi u dorëzua, Mihal Delijorgji kërkon ulje dënimi

Feb 23, 2013 | 12:15
SHPËRNDAJE
Mihal Delijorgji

TIRANE – Mihal Delijorgji, i dënuar me 6 vjet e 7 muaj burg me një vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit si një nga të pandehurit kryesorë të dosjes “Gërdeci”, kërkon ulje dënimi në Gjykatën e Tiranës. Ende pa kaluar një javë nga dita kur ai u vetëdorëzua për të kryer pjesën e pakryer të dënimit, gati 3 muaj, biznesmeni Delijorgji i është drejtuar Gjykatës së kryeqytetit me një kërkesë penale. Kërkesa e biznesmenit të hekurit është regjistruar tetë ditë pasi Apeli i dha formë të prerë dënimit të tij. Burime zyrtare të Gjykatës së Tiranës bënë të ditur se kërkesa penale ku si paditës është Mihal Delijorgji, është depozituar më 21 shkurt 2013. Ne regjistrin e kryesekretarisë së Gjykatës ajo është regjistruar me numrin 479. Në ekstraktin e kërkesës në faqen zyrtare elektronike të Gjykatës, objekti përshkruhet “ulje dënimi”. Pas mbërritjes në Gjykatë kërkesa i është nënshtruar shortit elektronik, i cili ka përzgjedhur gjyqtarin Ibrahim Hoxha si togën e zezë që do të merret me shqyrtimin e saj. Bëhet e ditur se ende nuk është përcaktuar data e seancës së parë të këtij gjyqi.
Gjykata e Tiranës, më 13 mars 2012 u dënua me 10 vjet burg për akuzën e “shkeljes së rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”. Pas shqyrtimit të dosjes në Shkallën e Dytë ai përfitoi uljen e një të tretës së këtij dënimi. “Në aplikim të nenit 406 të K. Pr. Penale, të pandehurve: shoqëria ‘Albademil’ shpk, Dritan Minxolli dhe Mihal Delijorgji, u ulet 1/3 e masës së dënimit”, thuhej në vendimin e Apelit të datës 13 shkurt 2013. Në zbatim të këtij vendimi të formës së prerë, përfundimisht Delijorgji u dënua me 6 vjet e 7 muaj burg. Për shkak se gjykimi i dosjes “Gërdeci” në Shkallën e Parë dhe të Dytë të Gjyqësorit, pjesën me të madhe të dënimit ai e kishte kryer gjatë kohës së paraburgimit, duke i mbetur pa kryer tre muaj burg. Fillimisht i pandehuri Delijorgji u gjykua në masën e sigurisë “arrest me burg”, por më vonë, për shkak të afateve, kjo masë u zëvendësua me masën “arrest shtëpie”. “Jemi të pakënaqur me vendimin dhe bashkë me avokatin, kemi vendosur të bëjmë rekurs në Gjykatën e Lartë sapo të posedojmë vendimin”, pohoi Delijorgji për gazetën, pas shpalljes së vendimit. Në zbatim të vendimit të Apelit, Delijorgji u vetëdorëzua në Drejtorinë e Policisë Tiranë të nesërmen e shpalljes së vendimit.  ar.ba

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura