Një javë larg ultimatumit/ Kush nuk vaksinohet, tampon çdo javë. Zëvendësministrja Rakacolli: Nxënësit mbi 12 vjeç me maska në shkollë

Sep 23, 2021 | 9:37
SHPËRNDAJE

BESARTA BASHA/ Pak ditë nga fillimi i vitit të ri shkollor nën diktatin e pandemisë dhe përfundimit të ultimatumit për t’u vaksinuar për arsimtarët dhe studentët, Komiteti i Ekspertëve ka ripërsëritur apelin për injektimin e vaksinës.

silva bino

Për të pabindurit, deri dje është përmendur testimi periodik, pa saktësuar intervalin kohor midis testeve, si kusht për të ruajtur vendin e punës. Tanimë, është konkretizuar. Çdo javë, mësuesit, pedagogët a studentët duhet të paraqesin në sekretarinë e shkollës a fakultetit tamponin që konfirmon se ata nuk janë të prekur nga infeksioni SARS-COV-2. E njëjta gjë vlen edhe për studentët. “Vaksinimi ka rëndësi shumë të madhe. Shkollat janë të përgatitura për të zbatuar protokollet, por njerëzit duhet të bashkëpunojnë. Mbajtja e maskës është e detyruar për nxënësit mbi 12 vjeç. I rëndësishëm është vaksinimi i personelit arsimor. Ai duhet të jetë i vaksinuar deri kur të fillojë mësimi.

Mësuesit që nuk janë të vaksinuar duhet të tregojnë test negativ çdo javë. Vijon vaksinimi i hapur për studentët dhe personeli shëndetësor”, deklaroi zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, nga mbledhja e tryezës së ekspertëve, duke shtuar se e njëjta gjë vlen edhe për studentët apo pedagogët. Komiteti përcakton rregullat për shmangien e infektimeve, por pa ndërhyrë në mënyrën se si ofrohet mësimi, qoftë në shkolla apo fakultete. Janë këto të fundit që përcaktojnë metodologjinë apo politikat e tyre, bazuar në situatën pandemike.

Këtë të hënë nis viti i ri shkollor komfor respektimit të masave anti-COVID. nxënësit e arsimit bazë, nga klasa e parë në të pestën e kanë të rekomanduar, por jo të detyrueshme mbajtjen e maskës. Ndërsa ata të arsimit të mesëm të ulët, duhet medoemos. Përjashtim, sipas nr.2 të Ministrisë, bëhet vetëm për nxënësit që nuk e mbajnë dot për shkak të problemeve shëndetësore.

“Kemi hartuar një protokoll, ka qenë një bashkëpunim prej një muaji me Ministrinë e Arsimit. Problemi është te zbatimi. Nxënësit mbi 12 vjeç, e kanë maskën me detyrim”, tha Rakacolli. Deri tani, 66% e stafit rezulton të jenë vaksinuar, shumica e të cilëve i kanë marrë të dyja dozat. Sipas shefes së Epidemiologjisë në ISHP, mbulesën më të mirë vaksinale e kanë mësuesit e gjimnazit, krahasuar me pjesën tjetër të të punësuarve në arsim.

Por, ndryshe nga mësuesit që duhet të paraqiten në 27 shtator në drejtori me certifikatë me vete, pedagogët dhe studentët kanë afat deri në 11 tetor. Disa ditë më parë, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, nga pika e vaksinimit në Fakultetin Ekonomik iu kujtoi të rinjve se e kanë të hapur mundësinë e vaksinimit edhe në tetor. Mjafto të ndajnë mendjen.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura