Memorie.al/I lindur më 14 shkurt 1912 në Çamëri dhe ardhur në Shqipëri në moshën 8-vjeçare. Pjesëmarrës në luftë, si zëvendëskomandant i çetës “Çamëria”. Arrestohet më 28 korrik 1960, me akuzën si agjent i zbulimit të huaj për një kohë të gjatë. Në maj 1961 i përmendet emri në gjyqin e Teme Sejkos dhe të 38 personave të tjerë, por nuk u shfaq si person në gjyq. Nga ky moment, nuk dihet më asgjë për fatin e tij.
U përhapën fjalë sikur ishte gjallë, sikur ishte çmendur, që e kishin pushkatuar, që kishte përplasur kokën në murin e qelisë dhe kishte vdekur. Organet zyrtare të shtetit as e pohonin, as e mohonin vdekjen e tij, duke e lënë çështjen pezull të mbuluar me mister dhe duke krijuar idenë e rreme te familjarët se Taho Sejkoja ishte gjallë. Vetëm në vitet e demokracisë familja u njoh me një vendim të Gjykatës së Lartë, të asaj kohe për dënimin me pushkatim të Taho Sejkos, por s’kishte asnjë process-verbal pushkatimi.
Njoftimi më i fundit rreth fatit të tij, ka qenë nga një ish-punonjës i Hetuesisë, i cili pohoi se: Taho Sejko, është torturuar për një kohë të gjatë e në fund i kanë nxjerrë edhe sytë. Midis këtyre të dhënave kaq kontradiktore e të tmerrshme, familja ende nuk e di si është e vërteta e fatit të Taho Sejkos.
Dëshmon i biri, Hektor Sejko As i gjallë, as i vdekur – një jetë e mbetur në terr! Çfarë ka ndodhur me këtë burrë, me këtë njeri? Cili është faji i këtij? Gjyshja ime 80 e ca vjeçe, nga tre djem që pati, mbeti pa asnjërin. Dy i arrestuan në të njëjtën datë dhe i eliminuan. Tjetrin e bënë të mbytej në pus…!
Zoti Hektor, nuk patët asnjë informacion tjetër zyrtar?
Përveç këtyre bisedave që vinin në forma nga më të ndryshmet, s’kishim asnjë lloj informacioni. Pak para se të vdiste nëna, marrim vesh diçka tjetër. Dhëndri im punonte në Rrenc, me nipin e Mark Dodanit, që ishte i Sigurimit të Shtetit. Nipi i Mark Dodanit, i thotë dhëndrit tim: “Tonin, ka ardhur daja mbrëmë dhe unë të përmenda ty, që ke marrë vajzën e filanit. Daja më tha që filani, Tahoja, ka ardhur prej Greqisë, e kam shoqëruar unë vetë, e kam çuar në Tiranë dhe ka takuar ata të mëdhenjtë fare”.
Kush ishin këta të mëdhenjtë, Enveri e kompani?
Po ashtu i bie, se kush tjetër? Për kë tjetër e kish fjalën?! Komplet rrena të sajuara! Të tëra këto që po të them ty janë rrena, se u vërtetuan më mbrapa. Përse është mbajtur kjo situatë kështu, unë nuk e di. Arsyen e kësaj pune s’kam si ta di. S’del e shkruar askund, prandaj s’e di. Dhe dëshmitarët nuk janë, s’ekzistojnë më.
Kanë vdekur…?!
Edhe ata që kanë qenë, s’kanë folur. Atëherë, në dhjetorin e vitit 1990, unë i bëra telegram Ramiz Alisë me kërkesë për këtë problem. Më ktheu përgjigje të shkoja në Ministrinë e Brendshme. Atje më priti një oficer dhe i thashë: “Kërkoj të di të vërtetën për babain tim, Taho Sejko”. “Pse, more, nuk e di ti të vërtetën”? – ma ktheu oficeri. “Kaq idiot të dukem që e di dhe vij të kërkoj. Po ta dija, s’vija të kërkoja”? Edhe i’a shpjegova shkurtimisht të gjitha këto.
Tri ditë mbasi kishte vdekur nëna ime, erdhi një person e na tha: “Tahoja ishte në varrim, i fshehur pas një peme. Ka qenë i fshehur pas një peme”. Donte të na bindte, se Tahoja jeton!
Duket që është metodë pune: Krijo legjendën që është gjallë dhe kështu mbulo krimin.
Po, po, legjenda se ai gjoja jeton. Historia vazhdon. Varrimi ishte në dy e gjysmë, por sa shkuam ne gjer në varret në Shtoj, dimër ishte, dhjetor, u err fare. U err, u err… edhe ky erdhi e na rrejti si për shtatë palë qejfe: “Ka qenë i fshehur pas një peme”!
Kishte kaluar çerek shekulli nga arrestimi i babait tuaj, apo jo?
Fiks, 24 vjet. Këta vijonin të na mashtronin…! Ne vazhdonim e jetonim me një ëndërr. Nëna ime vdiq me shpresën dhe besimin e saj të madh e të jashtëzakonshëm, se ky njeri jeton. Se ku është, hajde e gjeje, por ky jeton!
Nuk kishit asnjë deklaratë zyrtare?
Në mënyrë absolute jo! Në mënyrë absolute jo! Përveç këtyre fjalëve që shkonin e vinin, jo kështu e ashtu, se cila ka qenë arsyeja, as sot nuk jam në gjendje ta di. Nisur nga fjalët e Feçor Shehut, ‘për ta vrarë e vrasim, frikë s’kemi; njerëzit vdesin edhe jashtë, edhe brenda, e thonë ka vdekur; po të ishte çmendur, s’është as për ne, as për ty…’! Të tria këto versione, na i hodhi poshtë Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme, që më vonë u bë ministër i Brendshëm i Sigurimit të Shtetit Shqiptar. Na u krijua një situatë që çfarë të themi. Përfundimisht, janarin e vitit 1991, kam marrë këtë dëshmi penaliteti, sipas së cilës morëm vesh që Taho Sejkoja është pushkatuar.
Është pushkatuar!
Ja, lexoje, se unë e kam pak të vështirë ta shoh.
Me vendimin numër 3, të datës 24 shkurt 1962.
Po. Më 1962.
Vendim i Gjykatës së Lartë, për tradhti ndaj atdheut, për dhënie informatash zbulimit të huaj, për agjitacion dhe propagandë, sipas neneve 64, 67, 76 të Kodit të Procedurës, me vdekje me pushkatim. Konfiskimin e…!
Pasurisë së pjesës së tij! Na i kanë marrë të tëra! S’kanë lënë gjë pa na marrë!
Po kjo? E drejta elektorale…?!
Për 5 vjet. Pasi pushkatohet, s’ka të drejtë të votojë për 5 vjet!
Po ai është i vdekur more! …I hiqet grada ushtarake. Ekzekutuar më datë 13.3.1962. Paska vdekur që në ’62-shin?! Tiranë, më 29 janar 1991. Pra, sa ka ardhur demokracia, informacioni i parë i demokracisë, që nuk u’a kishin dhënë kurrë më parë.
Ne s’kemi lënë vend pa e kërkuar, more burrë. Në ’62-shin e kanë pushkatuar këta, në ’62-shin thonë këta. Të vërtetën është shumë vështirë ta gjesh sot. Nuk ka proces-verbal pushkatimi, nuk e di unë çfarë ka ndodhur me të…!
A u tregua ndokush i gatshëm për ta ndriçuar situatën në lidhje me arrestimin, pushkatimin dhe zhdukjen?
Në qershor të vitit 1992, unë kam ardhur në Tiranë, si nënoficer i Gardës së Republikës. Detyra që i vura vetes, ishte të nxirrja të vërtetën për problemin e babait tim. Pjetër Arbnori, në vitin ’94, më ka ndihmuar të shkoj te kryetari i Gjykatës së Kasacionit, për të marrë dosjen e Taho Sejkos.
Kush ishte kryetar i Gjykatës së Kasacionit?
Zef Brozi. Ai më dha leje në ’96-n për të shfrytëzuar materialet e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivit Qendror të Shtetit, në lidhje me Mehmet Sejkon, Taho Sejkon, Teme Sejkon, Rexhep Plakun dhe Alush Takën. Kjo është mbështetja që më ka dhënë Pjetër Arbnori, me ndërmjetësinë e Kolec Topallit.