Një iniciativë morale mbi krimet seksuale

Dec 7, 2021 | 8:02
SHPËRNDAJE

NGA BRENTON KOTORRIbrentonkotorri

Falë debatit të parmbrëmshëm që ushqen me audiencë studio televizive shqiptare, humbi në tymnajë një iniciativë me vlerë sociale dhe morale për shoqërinë tonë. Një muaj më parë, Lëvizja Socialiste për Integrim prezantoi në Kuvend një projektligj “Për Regjistrin Kombëtar të të dënuarve për krime seksuale”. Sigurisht, me krime të tilla Shqipëria është ndeshur gjithmonë, sikurse çdo shoqëri ku devijanca të tilla sociale janë prezente, mirëpo së fundmi në kronika të lajmeve gjithnjë e më shumë raportohen akte të tilla kriminale.

E vërteta është se studimet psiko-sociale, të pakta në Shqipëri, pasqyrojnë një popullsi me individë të frustruar mendërisht. Ky frustrim, trysnim, ezaurim mendor, vjen për shkak të një jetese të vrazhdë me rrënjë te varfërimi sistemik. Sidoqoftë, asnjë justifikim, asnjë rrethanë dhe asnjë simptomë nuk mund ta tjetërsojë krimin dhe asnjë arsyetim nuk mund ta shëlbojë kriminelin.

Sipas një studimi shqetësues të Komisionit Europian, 10% e europianëve mendojnë se abuzimi seksual mund të justifikohet në varësi të rrethanave (kur një femër provokon, ose josh etj.). Ndërkohë, një grup studiuesish amerikanë me në krye Kathleen Kendall-Tackett, kanë vëzhguar se abuzimi seksual te fëmijët lë pas trauma psikologjike gjatë gjithë jetës si: frikërat e shumta, PTSD, çrregullime në sjellje, çrregullime seksuale dhe deri në tendenca vetëvrasëse. Krime të tilla me pasoja të dukshme dhe të padukshme, duhet të marrin vëmendjen e plotë të institucioneve publike dhe të shoqërisë.

Nuk duhet të habitemi plotësisht se frustrimi seksual (jo vetëm) i individëve të dobët rritet sa më shumë rriten: emisionet e tipit “Big brother”, “Përputhen” etj., që inkurajojnë idenë e marrëdhënieve kalimtare ‘in perpetum’; sa më shumë kohë helm që u jepen fëmijëve me “Instagram” dhe “Tik-Tok”; sa më shumë banaliteti normalizohet në kulturë dhe sa më shumë indiferencë shoqëria dhe institucionet tregojnë ndaj divorceve, dhunës në familje, dhe axhendave që rrezikojnë familjen e shëndoshë.

Marrëdhëniet seksuale konsiderohen të shenjta dhe ekskluzive nga secila prej feve të mëdha. Në epokën tradicionale, për ata që kryenin marrëdhënie seksuale jashtëmartesore dhe joekskluzive kishte dhe ka dënime të forta dhe të posaçme, dhe kapitale për përdhunuesit dhe abuzuesit me të mitur. Në shoqëritë moderne, megjithëse shenjtëria humbi lidhjen me shkrimet e shenjta, si mbetje e epokës tradicionale, mbijetoi turpi publik dhe nevoja për ekskluzivitet dhe sërish, përmes ligjeve abuzuesit dënoheshin.

Në epokën postmoderne, në të cilën jetojmë, marrëdhëniet seksuale konsiderohen thjesht një instrument i kënaqjes së instinkteve, jo-të-shenjta dhe jo-ekskluzive dhe secili mund t’i ndërmarrë lirisht me këdo. Prej kësaj fryme rrjedh edhe axhenda gay apo rritja e pedofilisë dhe zoofilisë apo ndryshe e të gjitha devijancave sociale.

Miratimi i projektligjit të propozuar nga LSI, megjithëse në aparencë ngjason me iniciativa feminist, është në thelb një propozim konservator. Nëse ky projektligj do të miratohej dhe zbatohej, do të mbronte dinjitetin njerëzor, vlerat e familjes tradicionale, pafajësinë fëmijëve dhe shenjtërinë e aktit seksual ekskluziv. Nëse shoqëria synon të ruajë moralin duhet t’i dënojë dhe më pas t’i shquajë dhe turpërojë publikisht të gjithë kriminelët seksualë. Sigurisht, për çdo mëkat, sado i rëndë, shkrimet e shenjta njohin dhe institucionin e pendesës me kusht që pendesa te Zoti të jetë e sinqertë dhe që dëmi i kryer të zhdëmtohet.

E dyta, në raste të tilla është e pamundur të realizohet, ama edhe pendesa duhet të pranohet nga institucionet publike dhe shoqëria, vetëm pasi të ketë përfunduar periudha e dënimit të personit. Një nga nenet me vlerë kryesore në këtë projektligj është ai 35, i cili nxit personat që vërejnë te vetja prirje të tilla devijante, që t’u nënshtrohen trajnimeve dhe rehabilitimit në institucione sociale.

Një praktikë e ngjashme me atë që për shembull ofron dhe nxit institucioni i kishës në SHBA kundrejt personave me prirje gay, në mënyrë që të trajtohen dhe rehabilitohen në kohë. Qasja konservatore do të kërkonte që këta persona të mos fshihen kurrë nga regjistri publik i krimeve seksuale, ama edhe shënimi i emrit deri në përfundim të dënimit, është një fillim i mirë. Është një fillim i mirë, edhe për të mbajtur në këmbë bindjen se incesti, pedofilia, homoseksualiteti, përdhunimi dhe devijanca të tjera kësisoj, të mos pranohen nga një shoqëri e moralshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura