“Një homazh për xhaxhain që vdiq në burg”- Timo Flloko dhe Rajmonda Bulku rrëfejnë prapaskenat te filmi “Vdekja e kalit”: Na akuzuan se s’dinim të putheshim

Sep 22, 2021 | 12:46
SHPËRNDAJE

Filmi i bujshëm në fillimvitet ’90 “Vdekja e kalit” është restauruar dhe është shfaqur në Premierë për publikun

film

Përveç publikut të pranishëm, emocionet e filmit u ndjenë dhe te protagonistët, të cilët shprehën për “News24” kënaqësinë e restaurimit të tij. Filmi mban firmën e regjisorit Saimir Kumbaro, skenar të Nexhati Tafës dhe është realizuar më 1992 me interpretimin brilant të aktorëve: Timo Flloko, Rajmonda Bulku, Niko Kanxheri, Tunka Kurti, Fitim Makashi etj. Restaurimi i filmit “Vdekja e kalit” u mundësua falë programit “A Season of classic Films”, nismë e Shoqatës së Kinematekave Europiane ku Arkivi Qendror i Shtetit është anëtar prej 2019-ës, dhe me mbështetjen financiare të programit “Creative Europe Media”.

Filmi u restaurua falë punës së ekspertit Izraelit të restaurimit, Shai Drori dhe kineastit australian, Stiven Kastrisios. Aktori Timo Flloko shprehet për “News 24” se ajo çfarë mund të korrigjohej është bërë në maksimum, duke treguar dhe një problem me filmin. “Ishte një premierë befasuese në fakt. Ajo çfarë mund të korrigjohej është bërë në maksimum. Drejtoresha e arkivit të filmit Elezi, ka bërë një punë të lavdërueshme, me gjithë kompanitë që është lidhur dhe e ka shpëtuar ‘Vdekjen e kalit’ nga ‘vdekja’ e tij. Kolona zanore është përmirësuar shumë dhe i jep ritëm filmit në përgjithësi.

Në tërësi, kolonat zanore nëpër filmat tanë kanë qenë të mangëta. Rregullimi i saj plus muzika që është shumë e mirë i kanë dhënë filmit jetë më shumë. Nga ana e figurës nuk mund të bëhej më shumë sepse ka pasur probleme, një shirit në mes dhe ata janë përpjekur të bëjnë ç’është e mundur që filmi të jetë parametrat teknikë”, tha Flloko.

FESTIVALI I KANËS

Tiomo Flloko rrëfen se filmi mund të ishte prezantuar dhe në Festivalin e filmit në Kanë, por pikërisht këto probleme teknike e kanë pamundësuar. “Filmi kur e pa një grup në Francë që ishte dhe Ismail Kadare mes tyre, vetë Kadareja foli me producentin ekzekutiv të Kanës për ta çuar filmin, sepse e pëlqeu, u pëlqeu të gjithë atyre siç u pëlqye sonte filmi, sepse në fakt filmi është emocional. Producenti i filmit foli gjatë më Ismailin në telefon dhe i tha se është e pamundur të shfaqet për shkak të parametrave teknikë, sepse nga pikëpamja e tematikës që trajton, problemeve është me interes për festivalin, por festivali ka disa kushte që nuk mund të dalim prej tyre.

Pas 30 vitesh të sjellë në kujtimet e së shkuarës, ishte fundi i një kohe, fillimi i një kohe të re, filmi jep një mesazh human, një mesazh për lirinë, ka karakter simbiotik, si film trajton personalitetin njerëzor në shumë dimensione dhe një nga kryesoret është ajo që është më e rëndësishmja, liria. Liria e personalitetit njerëzor, liria e individit në një shoqëri diktatoriale. Filmi është kundër çdo lloj diktature, jo vetëm diktaturës komuniste. Është një film antikomunist, ngjarje që ndodhin në të janë troshitëse, vrasëse, tronditëse”, shprehet aktori i madh shqiptar.

XHAXHAI

Aktori i njohur tregoi edhe lidhjen emocionale me rolin e tij në këtë film, duke treguar se xhaxhai i tij ka vdekur në burg dhe se ky film ishte dhe një homazh për të. “Unë kur e mora personazhin, pata dhe një emotiv personal. Kisha në familjen tonë…më ndodhi një dramë e tillë, xhaxhai im u burgos. Ai kishte marrë për grua një serbe si origjinë, ishte profesor i shquar dhe brezat e mbanin mend, emri i tij ishte Kostandin Flloko. Ai u arrestua në vitin 1979 dhe vdiq në burg në 1984. Unë nuk kam bërë asgjë për xhaxhain tim, nuk i shkova asnjëherë në burg, sepse ashtu ishte koha. Frika ishte njëra anë sigurisht, çdokush kishte një stepje në këtë sens. Diheshin, nuk ka nevojë për komente në ato kohë se ç’ishin pasojat.

Doja ta luaja këtë rol, ishte një homazh për xhaxhain tim dhe për të gjithë ata njerëz që vuajtën torturat e diktaturës”, tha Flloko. Ai tha se sigurisht, nuk vuanin vetëm ata që u burgosën, se tek e fundit, erdhi një moment që ata morën një vendim dhe sigurisht njerëz të fortë e përballuan burgun dhe të gjitha ato tmerre, por e gjithë Shqipëria ishte një burg. “Askush nuk qe i lirë në kuptimin themelor të fjalës. Sigurisht nuk ka liri të pakufizuar, por ka një liri të privuar. Në 30 vite të kombit, në histori 30 vite nuk janë shumë. Ka gjëra që nuk ecin, por ama që të burgoset njeriu për idetë, për mendimet e tij të shkojë në burg, si historia e filmit, se ngriti zërin për një padrejtësi dhe duhet ta pësonte dhe i zoti i kalit dhe kali vetë.

Po me kalin ç’patën, që e vranë sepse ai kalë ishte një kalë i veçantë, por meqë ai kishte damkën e të qenit kalë i një puçisti… Unë them që jemi të lirë në substancë, lirinë nuk ta merr dot kush. Unë mund të mos jem dakord me një gjë, me një tjetër, mund ta shpreh, mund të mos jem dakord me pushtetin në një moment të caktuar, me një parti në një moment të caktuar, domethënë kur vjen në pushtet, sigurisht nuk ka asgjë perfekte te ne, absolutisht jo, probleme ka, korrupsion ka, probleme që janë serioze dhe që ne si shoqëri duhet të mbajmë ato qëndrimet tona. Në procesin e zhvillimit dhe të ecurisë së jetës sonë këto dalin.

Ky lloj aktualiteti është gjithmonë në luftë dhe në përmirësim”, deklaroi ai. “Drama e njeriut, individit në një shoqëri diktatoriale është një dramë universale. Pse drama e ‘Doktor Zhivagos’ është e përjetshme, e përhershme përderisa ekzistojnë diktaturat. Ajo nuk ka kohë, edhe ‘Vdekja e Kalit’ është një ‘Doktor Zhivago’ i vogël, në miniaturë, por në thelb janë njëlloj. Sigurisht egërsinë e diktaturës komuniste nuk e kanë pasur këto diktaturat e tjera në kuptimin krahasues në një sens. Ka pasur dhe diktatura të djathta, ka qenë e rreptë e kriminale, etj., por për idetë, për fjalët nuk ka qenë dhe aq siç ka qenë diktatura komuniste tek ne, në versionin shqiptar”, tha aktori i njohur. Sa i përket prodhimit të filmave shqiptarë, ai tha se sot është më e vështirë për shkak të buxhetit. “Nuk glorifikoj absolutisht atë kohë.

Atëherë prodhoheshin filma, 14 filma në vit dhe midis tyre kishte 2-3 ishin filma të denjë. Të tjerët bëheshin për planin. Ka pasur filma të mirë, seriozë. Në 350 filma që ka xhiruar Kinostudioja nuk janë për t’u hedhur dhe për t’u nënvlerësuar se midis tyre ka filma vërtetë seriozë e të mirë. Sigurisht pas viteve ’90 ka pasur, duke filluar që me ‘Vdekjen e kalit’, ‘Bunker’, ‘Parullat’, ka pasur filma që qëndrojnë në sensin artistik dhe në tërësi. Por nuk ka atë zhvillim sasior, numerik të dikurshëm dhe arsyeja është se nuk ka buxhete. Filmi sot kushton. Dikur bëheshin me fatura gjërat.

Një film si “Ballë për ballë” kërkonte investime të mëdha dhe po tua tregosh të huajve thonë s’ka mundësi ta ketë bërë Shqipëria këtë film, me nëndetëse, me avionë. Po atëherë vihej një film, sigurisht filmi shërbente jo vetëm për argëtim e për të kënaqur spektatorët, por edhe për arsye ideologjike, propagandistike së pari”, tha Flloko. I pyetur nëse do i pëlqente një episod i dytë i “Vdekja e kalit”, ai tha se edhe mund të vazhdojë, kjo varet nga idetë dhe mendimet që mund t’u lindin krijuesve. “Po pse jo?! Filmi e ka kryer funksionin e vet dhe misionin e vet dhe kinemaja botërore kur ka një film sukses, përpiqet të bëjë serinë e dytë.

Ka qenë një film amerikan që luante De Niro që quhej ‘Analise this’ dhe seria e dytë ‘Analise that’. Filmi i parë ka qenë shumë interesant, ndërsa i dyti ishte një dështim. Kurrë nuk mund ta dish. Suksesi nuk mund të projektohet, të kesh siguri se ke sukses në art. Suksesi arrihet me mund dhe me shumë gjëra të tjera që duhet ta plotësojnë atë që vjen. Suksesi është i parashikueshëm, mund të mbërrijë, e ndjen artisti. Unë ndryshe nuk do ta kisha marrë rolin. Përgjithësisht përzgjedhja e rolit nga aktori është e lidhur me ndjesinë. A ka apo s’ka material për të bërë një rol të mirë”, u shpreh aktori.

RAJMODA BULKU

Protagoniste në këtë film, Rajmonda Bulku, tregon momentet dhe vështirësitë e kohës kur filmi është xhiruar, por dhe mentalitetin e kohës kur filmi u shfaq. “Ishte një premierë e parë për mua nga ana artistike emocionale. Nëse në premierën e parë ishim në një kompleks gjërash qoftë edhe për idenë e të puthurës, apo një skene krevati.. nuk e dinim ç’do na thoshin njerëzit që në të vërtetë nuk thanë asgjë dhe e mirëpritën, por unë mund të kem qenë e ngurtë në sallë, ndërsa sot emocioni filloi që në sekondën e parë dhe mbaroi deri në fund, dhe në fund i thashë vetes ‘jam e lumtur që jam pjesë e këtij filmi dhe që ky film është në arshivën e kinemasë tonë, sepse i duhet historisë së këtij popullit, i duhet brezave”, tha aktorja Rajmonda Bulku.

Çfarë ndryshimi ka ky film i restauruar në vetvete?

Për fat të keq, e kemi xhiruar në grahmat e fundit të Kinostudios, nëse do donim të bënim një dubël tjetër, ku me pa të drejtë na akuzonin që “brezi juaj s’di as të puthet”, ata kanë harruar që ne nuk kishim film për të bërë dubël të dytë. E kemi bërë vetëm me një dubël, nuk kishte më film Kinostudio. Dhe niveli i filmit, ishte ç’kishte mbetur. Është një film i bërë vetëm nga dashuria jonë, i grupit të filmit, i Timos, i Bardhyl Martinjanit që ka qenë operatori i filmit atë nuk e harroj. Saimiri që e çoi filmin deri në fund dhe që ka bërë edhe një montazh të shkëlqyer. Është një film që ka emocion në çdo episod.

Nëse do e kishit xhiruar sot, çfarë do kishit bërë ndryshe?

Asgjë. Përveç aty ku ka një dubël, mund të kisha bërë dy, sepse në film janë më se normale që të bësh dy apo tre edhe më shumë.

Si do e vlerësonit ju kohën e sotme, sa i përket xhirimit të një filmi?

Po e përjashtoj veten time që jam në këtë film dhe po e shoh si film artistik. Është një skenar i jashtëzakonshëm, ka karaktere aktorësh të mrekullueshëm, dhe ka një emocion që unë them se vetëm Saimiri di ta sjellë në kinema.

Si është të xhirosh një film sot?

Teknikisht sot mund të jetë një mrekulli. Ne s’gjenim film për të bërë një dubël të dytë, jo të kishim kushte të tjera. Artistikisht nuk di çfarë të them, mbase nuk duhet të paragjykoj, por nëse një film të sjell emocion artistik e ka realizuar veten e vet. Në fund, filmi jep një mesazh të fortë: “pafytyrësia e njeriut arrin në nivele alarmante”, a ekziston kjo edhe në ditët e sotme? Absolutisht! Ka momente që është kaq e fuqishme dhe kaq e fortë sa është e dhimbshme për ta menduar.

SAIMIR KUMBARO

Regjisori Saimir Kumbaro rrëfeu dje emocionet e tij për filmin. 30 vite më parë, mbahej radhë e madhe për të ndjekur premierën e tij, njerëzit shtynin njëri tjetrin e gati sa nuk thyen xhamat e kinemasë. “Vdekja e Kalit” ishte një revolucion i vërtetë në kinematografinë shqiptare të atyre viteve. Është filmi i parë i realizuar në vendin tonë pas rënies së diktaturës 46-vjeçare, filmi i parë që tha të vërteta të hidhura dhe theu tabu. “Askush nuk e kishte mendjen te filmi në atë kohë, Organet e pushtetit ishin PPSH-ja, dhe nuk i binte në mend njeriu për xhirimet.

Unë i kërkoja 400 kuaj dhe ma plotësonin kërkesën, sepse nuk e kishin idenë se unë po bëja një film kundër sistemit komunist. Ishte një sfidë për mua, për të gjithë grupin, në një farë mënyrë unë e preva në besë atë sistem dhe për këtë nuk jam bërë pishman fare, sepse tregova të vërtetën. Nëse ka një gjë aktuale ky film është fakti se ata që e drodhën, dhe këtu është e gjithë goditja që kam bërë unë, veshën xhaketat mbrapsht, xhaketat që astarin e kishin blu dhe copën të kuqe. Kjo kategori njerëzish fituan, ata që ditën ta dredhin.

Ishte shumë e vështirë në atë kohë të bëje film. Nuk kishte as buxhet, as sponsorë, asgjë. Kishte vetëm pasion, dashuri për kinemanë, sepse edhe çarçafët e krevatit Timo Flloko i solli nga shtëpia e tij. Ishim në kushte anormale”, shprehet regjisori i filmit, Saimir Kumbaro. Ai flet dhe për cilësinë e restaurimit të filmit. “Është restauruar goxha mirë, në krahasim me çfarë ka qenë. Nuk di si të falënderoj për këtë punë që ka bërë arkivi i filmit, ka arritur ta pastrojë filmin. Filmi kishte një zhurmë. Në tërësinë e vet, është mirë. Gjëra të vogla ka, sepse ashtu është xhiruar filmi. Është xhiruar vetëm me rrogat tona”, rrëfen Kumbaro.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura