Një histori si paralajmërim

Apr 16, 2015 | 12:14
SHPËRNDAJE

 SAMI HAXHAJA

    Zhvillimi në rritje i popullsisë botërore, urbanizimi, globalizimi, biodiversiteti i ndryshimeve globale dhe klimaterike kanë shkaktuar tjetërsim rrënjësor të proceseve dhe fenomeneve në rruzullin tokësor. Pyetja thelbësore qëndron në faktin se sa do të zgjasë dhe në çfarë sferash do të vazhdojë të dëmtojë njeriu kaq  shumë funksionimin normal të sistemit të ndjeshëm të tokës; Sistem nëpërmjet të cilit sigurohet jeta mbi tokë dhe ushqimi i mjaftueshëm për njeriun, përmes ajrit të pastër, ujit të pijshëm, tokës pjellore, shumëllojshmërisë së bimëve, kafshëve e shpendëve.
Pasoja të papritura e të padëshiruara të shkaktuara nga gabimet apo interesat personalë të njerëzve të veçantë mund të sqarohen nëpërmjet historisë së një ishulli të vogël Nauru, që ndodhet në pjesën perëndimore të Oqeanit Paqësor. Një histori paralajmëruese kjo, që vlen në veçanti për vendin tonë.
Gjatë qindravjeçarëve ky ishull ishte vend pushimi për shpendët “ zogjtë shtegtarë “ fregatat që udhëtojnë mijëra kilometra mbi oqean me ndalesa nga një ishull te tjetri. Nauru ishte një vend i preferuar nga turistët, për shkak të klimës shumë të mirë, bregdetit të pastër dhe ekzistencës së një rëre që rrallë e gjen në ndonjë vend tjetër të botës. Ishulli kishte tokë shumë pjellore, ku kultivoheshin pemë e fruta si palmat kokos, qershia, fiku e frute të tjera të shumëllojta. Falë natyrës favorizuese, prodhimi çdo vit qe shumë i lartë e cilësor. Po ashtu, ishulli ishte shumë i pasur në minerale dhe popullsia e vogël e këtij ishulli jetonte mirë, duke pasur si simbol ardhjen e fregatave të zogjve. Në vitin 1968, Nauru u shpall shtet i pavarur, që edhe sot konsiderohet ndër republikat më të vogla në botë.
Rreth vitit 1990 filloi në mënyrë masive shfrytëzimi i drurit dhe i mineraleve, në veçanti i fosfatit, që ishte i një cilësie shumë të lartë. Njëkohësisht nisi me vrull ndërtimi i banesave të reja e rrugëve, duke zënë kështu një sipërfaqe të madhe të tokës pjellore me ndërtime. Vit pas viti u rritën importet e ushqimeve, materialeve të ndërtimit, makinave, pajisjeve e orendive shtëpiake, pasi banorët vendës me të ardhurat e tyre rritën standardin e jetesës. Por, nga ana tjetër, bimësia u reduktua në një rrip të hollë, u shfarosën pemët dhe vendi u kthye si një peizazh malor pa pemë. Zogjtë e shumëllojtë thuajse janë zhdukur. Si pasojë e ndryshimit të klimës, vendi ka përjetuar tri vite me radhë thatësirë të paparë. Pas disa “gabimeve financiare„ u ulën dhe të ardhurat vjetore. Popullsia vendase ka mbetur e shokuar për çfarë po ndodh aty, pasi nga pasuria përrallore kanë mbetur vetëm ndërtesat e rrugët, të cilat nuk po sjellin një të ardhme të mirë. Gjatë këtij shekulli ky ishull mund të bëhet një ndër viktimat e para të ngrohjes globale.
Historia tragjike e ishullit Nauru është pasojë e gabimeve njerëzore, ndaj një leksion paralajmërues për të gjithë ne.
Duke bërë një analogji me Naurun e për të parandaluar fenomenet e mëtejshme negative, mendoj se është me vend një analizë e disa problematikave që kanë dalë në dukje në vendin tonë gjatë dekadave të fundit.
Për sqarim, faktorët njerëzorë të cilët ndikojnë te klima, si rregull ndodhin ose nëpërmjet biosferës, ose nëpërmjet komponentëve të veçantë të sistemit të klimës. Bimësia e gjelbër përmes thithjes të dioksidit të karbonit dhe nxjerrjes së oksigjenit gjatë procesit të fotosintezës luan një rol kryesor si për përbërjen e atmosferës, ashtu dhe për klimën.
Në vendin tonë ka ndodhur një reduktim drastik i biosferës, kjo përmes zënies së sipërfaqeve të mëdha të gjelbra për ndërtimin e pallateve, shtëpive, si dhe të rrugëve, apo lënia e mijëra hektarëve tokë pjellore të pashfrytëzuar. Janë pakësuar dukshëm pemët e parqet nëpër qytete e qendra të mëdha banimi. Pyjet në mjaft zona të vendit po shfrytëzohen pa kriter dhe nuk bëhet fjalë për mbjelljen e pyjeve të reja. Në fushat më pjellore të vendit, në Myzeqe e në Zadrimë, nuk kultivohen më drithërat e bukës, të lulediellit, panxhari etj. Të gjitha këto importohen. Si pasojë e shkeljeve dhe punimeve të pakontrolluara ndërtimore janë dëmtuar kanalet ujitëse, sistemet e kullimit, argjinaturat e lumenjve, është ulur kapaciteti dhe gatishmëria e hidrovorëve, po shfrytëzohen pa kriter e mbi kapacitetin e tyre inertet nga shtretërit e lumenjve, duke reduktuar dukshëm prurjen e sendimenteve në brigjet e detit, këto me efekt parandalues për futjen e ujit të detit në tokë. Minierat e nëntoka po shfrytëzohen pa kritere të studiuara, si pasojë shkeljet e gabimet në këta sektorë sjellin problematika të mëdha deri në ngjarje katastrofike. Nëpër qytete mungon infrastruktura, ka ndërprerje të furnizimit me ujë të pijshëm dhe me energji elektrike, pasi është ulur mjaft siguria e furnizimit. Kjo gjë bëhet burim për ndotjen e theksuar të mjedisit etj. etj. Në territorin e vendit tonë ka ndryshuar negativisht efekti Albedo, një parametër i rëndësishëm i sistemit të klimës.
Pasojat e shkeljeve dhe ndërhyrjeve të shumta në funksionimin e klimës në vendin tonë janë disa herë më të larta se në rastin e kryerjes së vetëm një shkeljeje dhe këto pasoja shfaqen përmes reaksioneve të forta të natyrës, sidomos në ato rajone ku kryhen shkelje kundër ligjeve të natyrës. Si pasojë kanë filluar të shfaqen reaksionet e natyrës si përmbytjet, rrëshqitja e dherave, zgjerimi i kënetave etj., të cilat po rrezikojnë njerëzit dhe pronat e tyre dhe kanë sjellë e po i sjellin humbje të mëdha ekonomisë sonë.
Çfarë duhet të bëjmë?
Kryesorja është puna parandaluese, e cila nuk ka funksionuar deri më sot. Të flasësh apo, më e keqja, të lexosh ato që mendojnë të tjerët, është ana më e thjeshtë, por jo frutdhënëse. Më e rëndësishmja është zbatimi në mënyrë profesionalo” shkencore i masave për parandalimin në kohë të shkeljeve e fenomeneve negative.
Po çfarë të parandalosh kur nuk di të parandalosh?!
Për të ndryshuar këtë gjendje jonormale të krijuar, është e domosdoshme një administratë me drejtues me eksperiencë, me dije të thella praktiko”teorike, e përkushtuar, e përgjegjshme për punën që kryen; Duhen njerëz të punës e të studimit për zgjerimin e njohurive me përparimet e shkencës e të teknikës, përndryshe fenomenet me pasoja negative e problematikat mund të zgjerohen edhe më tepër në një të ardhme të afërt.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura