Një histori në vend të komentit

Oct 15, 2021 | 9:45
SHPËRNDAJE

PËLLUMB NAKO

PËLLUMB NAKO

Komentet me tematikë interesante, sado mjeshtërore të jenë, sado të ndërtuara bukur nga pena profesioniste, ndodh rëndom të mos jenë në gjendje të flasin aq shumë sa një ngjarje e vërtetë, e cila nxjerr blof jo vetëm demagogjinë e kudoshfaqur, por edhe hipokrizinë sesi funksionon shoqëria jonë, institucionet, në raport me ligjin, me parimet e shfaqura mediatikisht.

Lira dhe Viola janë dy oficere të Policisë. Të dyja nuk e njihnin njëra-tjetrën para se të takoheshin për të marrë pjesë se bashku në një konferencë ndërkombëtare, e cila kishte për tematikë mënyrën sesi duhet promovuar femra në administratë, në kuadrin e parimit të barazisë gjinore. Madje, në Polici ekziston edhe një strukturë e veçantë, pikërisht për të ndjekur dinamikën e zbatimit konkret të parimeve të mësipërme në këtë institucion. Atashuar me strukturën, ndodhen edhe specialiste të huaja që asistojnë Policinë shqiptare si dhe një mori organizatash joqeveritare me të njëjtin objekt aktiviteti.

Lira është oficere e Policisë Gjyqësore në një komisariat Policie në Tiranë, kurse Viola specialiste në një drejtori Policie në jug të vendit. Të dyja mjaft të zonjat në ushtrimin e detyrave të tyre dhe përveç të tjerave, po të dyja flasin mjaft rrjedhshëm gjuhë të huaj. Tipar tjetër cilësor i këtyre oficereve është fakti se të gjithë, në ambientin ku punojnë, e dinë mirë që lexojnë shumë dhe janë në gjendje të hartojnë raporte cilësore analitike dhe përgjithësuese për eprorët e tyre. Aq sa shpesh janë ato që hartojnë raportet edhe në emër të shefave respektivë. E gjitha kjo, sepse Policia e vendit tonë vuan tmerrësisht nga një lloj analfabetizmi funksional ku oficerë jo të paktë, edhe me grada të larta, nuk janë në gjendje të kryejnë veprimin më minimal intelektual, atë të transmetimit të mendimit nga truri në letër, nëpërmjet aktit të të shkruarit.

Si Lira, dhe si Viola, nuk kanë vetëm cilësitë e sipërpërmendura. Secila prej tyre ka një eksperiencë të gjatë në punën që ushtron dhe ndihen më se të sigurta në profesionin që ushtrojnë. Ndërkohë, në mënyrë paradoksale asnjëra prej tyre nuk ka mundur të ecë përpara në gradat policore, gjë që do të thotë ngritje në detyra me karakter manaxherial. Lira është paraqitur dy herë para komisionit të gradimit dhe të dyja herët nuk ka mundur të fitojë. Kurse Viola ka gjetur tjetër rrugë për të eliminuar këtë lloj eksperience dështimi. Vitet e fundit ajo nuk është paraqitur fare për rritje në gradë.

Në jetën e tyre private, të dyja oficeret e devotshme nuk janë më me fat. Lira ka dështuar në një dashuri të njohur publikisht, kurse Viola është grua e re me dy fëmijë dhe bashkëshortin e ka në emigracion. Ndërkohë, si për koincidencë fatesh, të dyja janë të pashme dhe mbi të gjitha u pëlqen ta ekspozojnë feminilitetin e tyre, gjë që në ambiente maçosh maskilistë keqinterpretohet për të ndërmarrë hapa të gabuar karshi tyre. Në fakt, i vetmi progres rrufe i shoqërisë shqiptare është kalimi nga mendësia konservatore lindore, në maçizëm latin të mashkullit në raport me femrën.

Para disa kohëve, ato u thirrën të dyja në një takim nga specialistja e huaj që asiston zyrën e promovimit të barazisë gjinore në Polici. Ajo u komunikoi që kishte biseduar me drejtorin e Policisë që të dyja të shkonin në Budapest ku do të zhvillohej një takim i rëndësishëm ndërkombëtar lidhur me dhunën në familje. Shpenzimet do t’i mbulonte një organizatë ndërkombëtare. Specialistja e huaj kishte mundur të merrte informacion si për Violën dhe Lirën dhe e dinte mjaft mirë aftësinë e tyre për të diskutuar në gjuhë të huaj. Po ashtu, ajo ishte më se e qartë për punën shembullore që zhvillonte Lira në hetimet e saj për dhunën në familje. Më pas, të dyja u thirrën edhe nga Drejtori i Përgjithshëm, i cili i porositi nga ana e tij që të shkëlqenin në konferencë sepse aty do të prezantonin jo vetëm Policinë e vendit, por dhe vetë Shqipërinë.

Të lumtura dhe po aq të çuditura për këtë mundësi, të dyja koleget u nisën dhe morën pjesë në Konferencë. Ishin përgatitur mjaft mirë për të folur, megjithëse kishin mjaft emocione. E para që shkëlqeu ishte Viola. Me një anglishte të rrjedhshme, ajo vuri në dukje qartë arritjet e Policisë shqiptare lidhur me barazinë gjinore duke e ilustruar me legjislacionin e ri të adoptuar si dhe me statistika të rekrutimeve dhe promovimeve femra në polici. Lira, nga ana e saj, mallëngjeu mjaft pjesëmarrës me rastet e dhunës në familje dhe zgjidhjen e tyre nga ana e Policisë dhe e organizatave joqeveritare. Ndërkohë, mjaft delegate nga vende joanglishtfolëse diskutonin pa ngritur kokën, duke lexuar tekste të parapërgatitura me anglishte të çalë.

Suksesi i dy të rejave entuziazmoi edhe përfaqësuesin e Ministrisë së Jashtme që ishte i pranishëm. Ai shprehu idenë se me figura të tilla si dy të rejat, e ardhmja europiane e vendit, integrimi i tij, është i sigurt.

Pas konferencës, me të drejtën e Zotit, të çliruara nga emocionet, të dyja oficeret gjetën kohën të pinin një kafe dhe pyesnin njëra-tjetrën për punën që bënin. E para foli Lira. Ajo u ankua për një padrejtësi që i rëndonte në shpirt, por që ishte e detyruar të duronte dhe te ecte para. Dy herë që ishte rrëzuar në komisionin e gradave, shkaktar kishte qenë kryetari, një oficer i lartë, intrigant i përkëdhelur që nuk kishte punuar kurrë në terren. Me mbështetje politike, ai notonte gjithmonë në ujëra të qeta me funksione të zgjedhura. E dinte që Lira kishte dështuar në dashurinë e saj, që vishej bukur e mbahej mirë, ndaj dhe mendonte se kishte plotësisht të drejtë t’i kërkonte asaj të shkonin bashkë. Refuzimit kategorik të Lirës, iu përgjigj me presione. Kur ajo nuk u step, as pas presioneve, dy herë gjeti rastin ta rregullonte e të ishte në krye të komisionit të gradimeve kur konkurronte Lira dhe të dyja herët e rrëzoi. Megjithatë, ajo nuk pranoi.

Edhe Viola nga ana e saj i hapi zemrën koleges. Edhe ajo përjeton një dhunë të përditshme banale me fjalë përçmuese, denigruese nga eprori i saj i lartë. Ai nuk e pyeti kurrë nëse kishte ndonjë hall, por vetëm i bërtet me ulërima e përqeshje për disa minuta vonesë në mëngjes. Asnjë falënderim edhe kur harton raportet, për të cilët nuk i drejtohet direkt Violës, por shefit të saj imediat. Ky drejtues nuk është aq i pacipë si kryetari i komisionit të gradave, por fillimisht edhe ai gjeti mënyrën e tij për t’i transmetuar dëshirën Violës. Kur hasi në qëndrim refuzues të saj, puna e kësaj të fundit u kthye në një ferr të përditshëm. Por, për hir të fëmijëve, i duhet të durojë. Ndaj nuk konkurroi për gradë. Më mirë ta kishte larg sesa të merrte gradën dhe të punonte afër me të. Sigurisht, nëse do ta merrte gradën.

Shqipëria është vendi tipik ku në mungesë të institucioneve të besueshme, e vërteta individuale është e vështirë të kthehet në të vërtetë publike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura