Nga Reshat Kripa
Pjesa e dytë
-“Njerëzit që kurrë nuk e kanë njohur diktaturën dhe tiraninë, e kanë të lehtë të jepen pas retorikës për lirinë, duke harruar fare realitetin e thjeshtë e të tmerrshëm, të shtypjes së njëmendtë atje ku ekziston përnjëmend”.-
Memorie.al / Robert Krasta e kishte bërë zakon që në çdo përvjetor të prindërve, të shkonte në varreza dhe të vendoste një tufë me lule, mbi varrin e tyre. Vështronte fotografinë e stamposur në porcelan dhe fillonte bisedën me ta. Këtë zakon, kishte kohë që e kishte bërë. Biseda sikur i qetësonte shpirtin. U tregonte për gjithçka kishte ndodhur në familje. Ndonjëherë, kur gjente vështirësi në ndonjë gjë, u kërkonte ndihmë atyre dhe i dukej sikur ata i përgjigjeshin. Ndoshta kjo, mund të ishte ndonjë hamendje e tij, megjithatë ai e besonte.
– Agron, nuk të shoh mirë sot, – i tha Lumtua, kur u shtrinë në shtrat, – Çfarë të mundon? Fytyra e jote nuk është si herët e tjera. Folmë. Mos më fshih asgjë.
– Lumto, ty nuk të fsheh gjë. Do të të shpjegoj gjithçka.
Jetën time, ose më mirë jetën tonë, e ka mbuluar një mjegull e errët. Një hije e zezë po sillet rrotull nesh. Ajo po përpiqet të na shpërfytyrojë. Si të veproj? Dua mendimin tënd.
– E çfarë hije mund të mbulojë një kryeinxhinier si ti, apo një drejtoreshë si unë? A nuk jemi familje dëshmori? Përse u vra babai yt? A nuk u vra për këto ditë që ne gëzojmë sot?
– Po, e dashur, po. Por nuk qenka çdo gjë ashtu si mendon ti.
– Për besë, mos më mundo më tepër, më thuaj çfarë ka ndodhur?
– Takova kryetarin e Degës. Më kërkoi të bashkëpunoja për survejimin e Stefanit dhe Gjergjit. Me pak fjalë të shndërrohem në një spiun ordiner.
– Të survejosh Stefanin dhe Gjergjin? Po çfarë kanë me ta?
Ata janë njerëz të shkëlqyer. Ti më ke thënë se, edhe me detyrën janë shumë të rregullt.
– Sipas kryetarit, qenkan me përbërje të keqe politike dhe paskan filluar të pëshpërisin poshtë e lart, kundër pushtetit popullor.
– Po ti që je shokë i ngushtë me ta, a ke dëgjuar ndonjë pëshpërimë të tillë?
– Asnjëherë.
– Po atëherë, kur nuk kanë biseduar me ty që të kanë shokë të ngushtë, me cilin do të guxonin të bisedonin?
– Nuk e di. Kam një turbullirë në kokë. Të them të drejtën nuk e kuptoj këtë politikën që po ndjek vendi ynë. Të gjithë shikohen si armiq. Po mbushen njëzet e nëntë vjet nga mbarimi i Luftës dhe akoma flitet për patriotë dhe armiq. Me të gjithë shtetet e botës jemi prishur, a thua se vetëm ne paskemi patur të drejtë. Më duket vetja si, një manekin që e komandojnë të tjerët. Ndërsa unë dua të jem i pavarur. Dua të kem mendimin tim dhe ta shpreh atë lirshëm, pa patur frikë se mos më dëgjon kush.