Një grua dhe një dashuri që orienton kombin

Jan 19, 2018 | 14:30
SHPËRNDAJE

JOSIF PAPAGJONI

Para se të fillojmë, le të themi se romani si gjini letrare është rrëfim i një historie. Një ngjarje ose shumë syresh, s’ka rëndësi. Nga të gjitha këto, romani “Sarah” i Alfred Pezës ndjek, sipas meje, modelin klasik të rrëfimit me ndoca ngacmime, që lidhen me bashkëshoqë- rimet politike, filozofike dhe meditative rreth ndodhisë që rrëfehet. Ai i është shmangur, në të shumtën, rrafsheve psikologjike, enkas ose jo nuk e di, por natyra e rrëfimit është më fort e hapur se sa e mbyllur, diçka që shihet (vizioni) se sa hamendësohet, nënkuptohet, përsiatet (psikikja).

Kjo që po themi nuk lidhet assesi me vlerën ose jo të romanit, por me formën e tij, tipologjinë. Nga kjo pikëpamje, ky roman ndjek një strukturë me pak nyja, nuk ndërlikohet në shumë njësorë narrativë, as pëlqen që të zhbirilojë më shumë në fshehtësitë e personazheve se sa të përshkruajë veprimet e tij, ose të rrëmojë thellë në humbellat e mendjes për të kuptuar motivet, përjetimet dhe traumat e tyre, të cilat ose mbuloheshin nën tisin e ndrojtjes, ose shpërfaqeshin vrullshëm në sjellje e akte të hapura, ose plekseshin e tërboheshin në veprime shpesh të ndërkryera dhe të habitshme, gati pa shpjegim, të tjetërfarta, atje ku instinktet ulërijnë e dalin për frerësh.

414141454

Gjithëpo aq unë nuk u “habita” nga mënyra e ndërtimit të tij ku të bëhej parësore furia destruktive e komplekseve dhe krizat e brendshme të njeriut, dyzimet dhe sjelljet e pashpjegueshme së jashtmi, paradokset dhe absurdi, rrëmuja e mirëmenduar dhe pështjellimi, mbivendosja e planeve të rrëfimit në vetë e vetje të ndryshme, sikurse dhe “pastishi”, projektimi i ngjarjes si pasojë psikike që zbulohet me vonesë, alternimet dhe montazhet, pa nënvleftësuar asnjëherë suspansën etj.. Të gjitha këto, sipas meje, suprimohen ose lihen në hije përballë një detyrimi më të madh e më të drejtpërdrejtë: rrëfimin e një historie që ka mbetur peng i historisë dhe letërsia e huan me zgjuarsi dhe delikatesë, për të kumtuar diçka përtej fakteve të ftohta e të thata që vijnë nga kronika e kohës.

Gjëja e parë që të grish teksa e lexon romanin “Sarah” është ndodhia. Ajo intrigon fort, ti e lexon me ëndje, sepse çka pritet që të ngjasë të thith; ka brenda gjithë kureshtjen e lexuesit, posaçërisht të lexuesit shqiptar. Ne prekim një histori në dukje “rozë”, diç nga parfumi i skupeve dhe kronikave të “dashurive të fshehta e të ndaluara”, diç edhe nga thashethemnaja apo ajo që e quajmë “legjendat urbane”.

Por në fakt rrëfimi gjakon drejt një tjetër historie, jo thjesht të shtetit dhe shtetarit, në rastin tonë sjelljes së mbretit Ahmet Zogu ndaj Sarah Blloshmit, por të qytetërimit shqiptar të viteve ’20-’30, prirjes së tij drejt Perëndimit dhe rolit të veçantë të disa personazheve në njëmendësimin e këtij synimi si Ahmet Zogu, Faik Konica dhe Sarah Blloshmi. Kjo është merita e autorit, shtegu që ai na ofron, çka e lartëson romanin dhe i jep mendimit të tij dimension. Dhe nga e thjeshta udha e mendjes sonë shkon drejt të ndërlikuarës, komplekses, madje filozofisë politike. Dhe kjo ngjet në sinkroni historike duke respektuar kohën kur subjekti derdhet, sikundër, ca më fort, duke mbivendosur konotacione të kohës së fundme. Kjo e fundit sjell shijen e një “kokteili” që përzien erosin, politikën, antropologjinë, estetikën dhe misterin. Epo dihet se letërsia s’ka nevojë për erën e arkivit, pergamenat, por për lulen e kohës kur shkruhet, gjë të cilën e vendos pritësi i saj, lexuesi, i cili palimsestin “historik” e shndërron në domethënie dhe denotacion semantik për lexuesit e tij.

Ky është një ligj i hekurt dhe Alfred Peza nuk e ka tepruar me animin e tij ndaj shijes dhe pëlqimit të pritësit të sotëm kundruall të shkuarës, qofshin edhe “thagma” që duam t’i molloisin nëpër kafe a oxhakët e zjarrit netëve të dimrit. Përtej kësaj historie në ligjërimin romanor vjen, po aq, edhe Shqipëria në qasjet politike, me ndoca intriga të pushtetit dhe përtej pushtetit, por pa e tepruar…

Lexuesi ka mësuar tashmë nga shërbimi mediatik që i është bërë romanit, se bëhet fjalë për një dashuri që thyen rregulla (të vjetra) dhe vendos rregulla (të reja); për një grua, e cila shndërrohet në shenjën e mundshme ose jo të progresit dhe qytetërimit të shoqërisë shqiptare të porsadalë nga humbellat otomane, sjellja e të cilës shndërrohet në paradigmën civile, të pëlqyeshme apo të refuzuar nga meset sociale, të një shoqërie që kërkon nordin e vet historik të humbur zezonës osmane, nga ca të lumnuar e nga ndoca të tjerë të anatemuar.

Një grua me emrin Sarah Blloshmi, mbesa e babait të kombit Ismail Qemalit, paska kërcyer “evropiançe” në një festë që pat organizuar ambasada amerikane, në Tiranën e shpallur kryeqytet të shtetit të ri shqiptar. Gjesti i saj, sharmi erotik dhe estetik prej femre të bukur e moderne, sfida në një Shqipëri të mbuluar nga perçja, dimitë, shallvaret, karakollet antropologjike të deformuara prej Lindjes islame thellësisht patriarkale, ishte përtej një guximi, përtej të menduarës masive e normale si pacipësi, përtej vetë kohës së kredhur ende në gjumin otoman me klithmat politike “Dum Babën!”, nga poturexhiu Haxhi Qamili e gjer te pretendenti me smoking i shtetit, Turhan Hoxha, që ëndërron një Shqipëri të re gjithsesi lindore alla Ataturk.

Ishte një grisje e perdes së rëndë të shoqërisë postotomane. Pikërisht ky gjest i pazakontë, që kishte brenda rebelimin e femrës për hapësirë dinjiteti dhe emancipimi, shndërrohet në premisë për një konceptim të ri të vetë shoqërisë, për pranimin e qytetërimit evropian, rrjedhimisht për orientimin e mendë- sisë dhe veprimit social kah ky qytetërim i refuzuar, i penguar dhe i papranuar deri tash si kinse degradim, humbje e traditave dhe e vlerave të familjes shqiptare, për nxjerrjen e gruas në “ankandin e lakmisë” mashkullore etj.. Alfred Peza, sipas meje, ka kryer një operacion inteligjent kundruall faktit historik.

Ai e ka ridimensionuar atë dhe i ka dhënë peshën e një ngjarjeje kombëtare. A ka vepruar drejt? Letërsia është art, jo histori. Ajo luan me historinë, e shndërron në “bijë” të saj, në një farë robine për t’i shërbyer mendimit që rreket të shfaq. Letërsia interpreton dhe, jo rrallë herë, të voglën dhe të parëndësishmen, e bën të madhe dhe të rëndë- sishme; rastësoren, të domosdoshme; guaskën dhe “skandalozen”, thelb dhe imanencë. Në këtë sens as ia vlen të merremi me vërtetësinë ose jo të historisë së Sarah Blloshmit, të vrasjes së burrit të saj, zyrtarit të njohur të mbretërisë Selahudin Blloshmit nga një shoqe e saj, Anxhi Berisha, që mendohet se e “dashuron” ajo vetë këtë të fundit, ose dreqi e di se në ç’rrjet merimange agjenturore është futur. Ca më tej, s’kemi pse lodhemi të rrëmojmë të vërtetat e dashurisë Sarës me mbretin Zog.

Letërsia historinë e kthen në sintezë, sumum dhe kumt filozofik. “Vargonjtë” që ajo pranon nga historia janë tjetërlloj: ato e çojnë në galop fantazinë e shkrimtarit, nuk ia bëjnë brinjët gjak me mamuzët e “fakteve të padiskutueshme e kokëforta”. Në këtë sens, unë besoj se të gjitha shtrojat në marrëdhënien Zogu-Sarah janë pjesë e “hileve” të shkrimtarit për rritjen e kureshtjes së lexuesit, ndërsa krijimi i suspansës përmes linjës hetimore të vrasjes së Selahudinit, mund ta kuptimësosh si çështje të strukturës dhe “invariantit” në ecurinë e rrëfimit, vetëm kaq.

Më tutje kalohet në të tjera rrjedhime, që janë më të thella, më serioze, më të begata nga pikëpamja mesazhore, prandaj dhe e bëjnë librin një më- tues drejt vlerës letrare dhe dëshirës për të thënë diçka ndryshe, diçka që përthellohet poshtë “shkumës” së një ndodhie interesante në vetvete, qoftë edhe historikisht, duke u kredhur në përsiatje e meditime që ia hapin mushkëritë rrëfimit dhe sjellin gjësende që kemi dëshirë të gjithë t’i cekim e t’i shijojmë.

Dhe kjo ngjet pikërisht kur pika lidhëse e romanit, ajo çka ka ngjarë në kryeherë si ekspoze – vallëzimi i Sarah Blloshmit në ambasadën amerikane – bëhet argumenti themeltar i bisedës midis Fuad beut (dmth Faik Konicës) dhe Ahmet Zogut: nga do të shkojë Shqipëria e porsadalë nga tuneli otoman: nga Lindja apo nga Perëndimi?! Qëndrimi ndaj gruas, në një Shqipëri të lënë në errësirën e Lindjes obskurantiste, aq të mjerë dhe tejet mashkullore, tejet të prapambetur, shndërrohet në gur prove për orientimin e vetë politikave shtetërore të fillimviteve ’20. Respekti për femrën, e drejta dhe liria që ajo duhet të gëzojë ishte dallimi i madh që Perëndimi i ofronte shtetit të ri shqiptar, pra dhe prijësit të tij Ahmet Zogut. Ky i fundit kishte kartën e “nordit” të Shqipërisë: ose Lindje, ose Perëndim. Prirja e tij personale, sikundër thirrja që vinte nga historia e shqiptarëve para pushtimit osman, e shndërroi këtë mbret të ri përpos si një shtetar dhe prijës, edhe në emisar të progresit dhe qytetërimit. Lindje apo Perëndim – një ankth, dilemë dhe vuajtje e përhershme e shqiptarëve, e kthyer në ideologji gjatë komunizmit, por me çengela dhe karrema të shijshëm edhe pas viteve ’90. Prandaj vepra krijon impaktin e vet pozitiv edhe për bashkëkohësit duke qenë e mirëpritur si mendësi.

“Duhet ndarë përfundimisht mendja, Ahmet bej, – i thotë Fuad Beu (dmth Konica). – Nga do e udhëheqësh këtë vend: Drejt Lindjes, apo drejt Perëndimit? Pas kësaj gjërat janë më të thjeshta”. Zogu lëkundet, ndoshta edhe provokon: “Të qëndrojmë në mes fillimisht, them unë. Pastaj, duke parë e duke bërë. Duke qëndruar neutralë do të na lënë më në fund rehat në punën tonë.” Por Fuad beu (Konica) ia pret shkurt: “As mish, as peshk domethënë?! As andej e as këndej. As Lindje, as Perëndim. As pozitiv, as negativ. Zero. Nul. Pa identitet. Pa rrënjë e pa të ardhme. Fiks, ashtu siç lusin të gjithë armiqtë tanë. Të vetëm do të na shqyejnë ujqërit e historisë, Ahmet bej. Vendoseni pikën në majën e horizontit të së ardhmes dhe mos u ndalni më përpara asgjëje, derisa të arrini atje.

Zoti i jep peshat më të rënda, atyre që mbajnë më shumë.” Dhe Ahmet Zogu u bë përfundimisht njëmendësuesi i projektit europian të Rilindjes Kombëtare, i artikuluar në shqetësimin e Faik Konicës. Autori ka derdhur jo pak simpati për figurën e Zogut, dhe sikundër thashë, unë nuk kam ndonjë dëshirë të diskutoj këtu në përkitjet historike të atyre çka na rrëfehet nga romani, pasi letërsia nuk është histori, ajo e shfrytëzon historinë në voli të saj, e rikuptimëson, madje “luan” me të, e modelon gjegjësisht mesazhit që përcjell.

Në këtë optikë A. Peza ia ka mbërritur bukur mirë kumtit të vet, sa letrar aq dhe politik: Sarah Blloshmi ishte modeli i femrës së lartësuar shqiptare, shenja fatlume e emancipimit të gruas duke marrë përsipër shumëçka nga verbëria dhe urrejtja e pjesës së mykur të shoqërisë, sikundër, nga ana tjetër, mbreti Zog na shfaqet në tërë mprehtësinë, zotësinë, mirësinë, frymën perëndimore dhe, më së shumti, në besnikërinë e një ndjenje të thellë personale dashurie ndaj Sarës, çka e shndërron vetiu atë nga një sundimtar e shtetar i rreptë në njeri, nga dikush që llogarit ambicien e epërme në shahun politik, në një burrë që vuan pamundësinë e dashurisë së tij të thellë, të vetme e të sinqertë.

Vallëzimi me Sarën në ballot mbretërore është dy krerësh: dashuria e tij për të, por më shumë shndërrimi i vallëzimit në shenjë dhe simbol të nevojës për qytetërim dhe evropianizim të shoqërisë, pra një gjest politik. Dhe, besoj, skena e fundit e takimit të rastë- sishëm në Londër midis Zogut dhe Sarës në vitin 1946 është jo vetëm domethënëse, por edhe e shoqëruar nga një emocion i ngrohtë, me një fund të beftë, që na bën ta rishqyrtojmë nga e para gjithë ç’kemi lexuar më parë; një befasi e mbajtur fshehur me kujdes, si për ta rrëzuar ngjarjen nga dimensioni politik e shoqëror i kohës, në një pjerrinë të beftë xhelozie e dashurie, që kërkon një tjetër roman, tashmë jo midis Sarës dhe Zogut, por midis Sarës dhe Anxhi Berishës, mëtonjëses femërore, të fshehtë e të përvëluar, në një histori rivaliteti dhe egoje pa fre. Unë nuk e di se ç’mund të ndodhte mes tyre pasi autori krijon një flu të qëllimtë; a është Anxhi një xheloze për dashurinë e Sarës me Zogun, teksa të dyja flenë bashkë si “motra” në shtratin bashkëshortor?

A është një mëtuese erotike e Zogut. Apo është pjesë e fijeve të një rrjete agjenturore sllave, për ta detyruar ta lëviznin “Damën” politike të shtetit të ri shqiptar atje ku ata donin. Edhe kaq është tepër, përndryshe duhet paguar ndaj klisheve letrare për të legjitimuar këtu ose atje pjesë të krimeve të pasionit, ose mendjet diabolike, ose fshehtësitë agjenturore etj.. S’po i futem kësaj historie! Më mjaftoi që Sarah më ngjalli dashurinë, respektin dhe përmalljen ndaj femrës dhe njeriut që mbante në grusht një tufë drite dhe e lëshoi atë në qiellin e murrmë të Tiranës, Shqipërisë dhe historisë…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura