Vetëm një gol në 600 minuta! Pak, shumë pak, aq më tepër nëse quhesh Lionel Mesi dhe sapo ke fituar të shtatin ‘Top të Artë’ të karrierës”. Në këtë mënyrë shtypi transalpin ka bombarduar sërish me akuza yllin e PSG-së, i cili mbeti thatë ashtu sikurse e gjithë skuadra, të enjten në ndeshjen e kampionatit kundër Nisës.
“Një ndeshje zhgënjyese, madje ‘e turpshme’ për atë që përfaqëson ‘Topin e Artë’”, shkruante me germa të mëdha e përditshmja “Le Parisien”. Kjo e fundit ka shkuar edhe përtej, duke i dhënë notën 3, e njëjta që figuronte edhe mes vlerësimeve të medias tjetër prestigjioze, “L’Equipe”.
“Le Parisien” gjithashtu nuk ndalet, përkundrazi dukej të ishte ajo më e ashpra, duke hedhur akuza të forta jo vetëm ndaj futbollistit argjentinas, por edhe ndaj lojës që PSG-ja sivjet po shpreh në fushë, pavarësisht se ende pa nisur sezoni u mburrën më kot edhe me afrimin e yjeve madhështorë të tjerë si Xhanluixhi Donaruma, Serxho Ramos, Xheorxhino Vajnaldum e Ashraf Hakimi, lojtarë që për një arsye apo për një tjetër jo vetëm që nuk po rrisin rendimentin e skuadrës, por edhe vetë duken të shuar në Paris.
“Mesi ofroi një paraqitje të shëmtuar, totalisht e kundërta që duhet të dhurojë një ‘Top i Artë’. Roli si ‘9 fals’ nuk bën absolutisht për të, por të paktën edhe kur del përpara portës, të tentojë të dërgojë sferën në kuadrat (kjo pasi në aksionin më të pastër të PSG-së, Mesi goditi një penallti në lëvizje 10 metra mbi traversë).
Leo duket i izoluar edhe kur luan në korsinë anësore, siç bënte te Barcelona, por mbi të gjitha ka humbur shpërthimin. Është shumë i lexueshëm, i ngadaltë dhe loja e ritmi i tij nuk mahnisin aspak. Jo më kot 1 gol në 600 minuta lojë në kampionat janë treguesi i qartë negativ”, mbyllte shkrimin “Le Parisien”.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al