Një futbollist i Kombëtares U-21, objektivi i ri i Partizanit

Jun 26, 2016 | 11:00
SHPËRNDAJE

Partizani po kryen përgatitjet e fundit për përfaqësimin në Ligën e Europës, por paralelisht drejtuesit e klubit janë përfshirë edhe në merkato, e cila do të jetë më shumë për paraqitjen e ekipit në sezonin e ri futbollistik. Afrimi i lojtarëve të rinj, kryesisht i atyre që kanë luajtur edhe me ekipet kombëtare të moshave, mbetet prioritet i të kuqve të kryeqytetit.

fdsfdsfs-13

Mesfushori me tipare sulmuese i Kombëtares Shpresa të Shqipërisë, Valon Ahmedi, është synimi i radhës i Partizanit në këtë merkato vere. Burime pranë të kuqve bëjnë me dije se 21-vjeçari pëlqehet edhe nga trajneri i ri, Adolfo Sormani, i cili ka bashkëpunuar me Ahmedin te skuadra e Sudtirolit. Flitet se palët kanë nisur bisedimet dhe në ditët në vijim pritet të mësohet më shumë rreth mundësisë së transferimit të lojtarit në radhët e “demave të kuq”.

Valon Ahmedi ka lindur në Ohër të Maqedonisë dhe hapat e parë në karrierën e tij futbollistike i hodhi te skuadra e Sudtirolit. Më pas 21- vjeçari kaloi në Slloveni te Celje, ku edhe shkëlqeu. Falë kësaj paraqitjeje, në janar të 2016-s, Ahmedi kaloi te klubi më i suksesshëm slloven, Maribori, ku nënshkroi një kontratë trevjeçare. Por te Maribori Ahmedi nuk gjeti hapësirën e duhur, kështu që ai po kërkon një aventurë të re për të qenë më aktiv.

Kalimi i Ahmedit te Partizani varet nga Maribori, i cili do të përcaktojë rrugën se si mund të realizohet ky transferim. Me afrimin e Valon Ahmedit mund të thuhet se Partizani e zgjidh çështjen e organizimit të lojës, pasi lojtari ka treguar se është një ndërlidhës i mirë i mesfushës me sulmin. Ahmedi ka luajtur 5 ndeshje me Kombëtaren e Shqipërisë U-19, si dhe ka dy prezenca me ekipin Shpresa.

Ilir Cara

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura