Një ftesë, një propozim

Feb 28, 2021 | 8:34
SHPËRNDAJE

Edmond Tupja

Edmond-Tupja-1

Para shumë kohësh, në vitin 1978, dy autorë francezë, Pierre Accoce dhe Pierre Rentchnick, botuan – siç na mëson zoti Internet – një libër me titullin “Ces Malades qui nous gouvernent”, pra, në shqipe, “Këta të Sëmurë që na qeverisin”, duke rihapur kështu një debat klasik lidhur me sekretin mjekësor në rastin e njerëzve të pushtetshëm, si presidentët dhe kryeministrat, debat që do të hapej më vonë në Francë  kur u mor vesh që presidenti Mitterrand vuante nga kanceri i prostatës. Titulli i këtij libri dhe, sigurisht debati i sapopërmendur, m’u kujtuan të paktën njëzet vite më vonë, kur kryeministri ynë i asaj kohe, pra, Fatos Nano, iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale që doli me sukses dhe që më shtyu të botoja një shkrim, i cili kaloi thuajse pa e intriguar shumicën e lexuesve të atëhershëm.

Pyetja që shtroja në atë shkrim ishte: A mund të ndikojë gjendja shëndetësore tek shefat apo bosët e mëdhenj të politikë shqiptare në vendimmarrjet e tyre? Përgjigjen e kësaj pyetje e dha – siç na mëson sërish zoti Internet – David Owen-i në vitin 2008 pas një studimi mbi rolin e sëmundjeve te krerët e shtetit britanik dhe të SHBA-së gjatë njëqind viteve të fundit. Ky studim, pa pikë dyshimi apo ngurrimi tejet interesant edhe për personazhet e lartë të politikës shqiptare pas shembjes së diktaturës hoxhiste, vë theksin te fakti se duhet marrë patjetër në konsideratë një entitet i ri klinik, viktima të të cilit mund të bien disa liderë pikërisht për të vetmen arsye se janë pushtetarë.

Më vonë, në bashkëpunim me Jonathan Davidson-in, psikiatër në Qendrën mjekësore të Universitetit të Duke-ut në SHBA, ai botoi në “Brain”, revistë neurologjie, një artikull ku zhvillonte më tej e më thellë analizën e sëmundjes në fjalë, të cilën e quan – në anglishte – “hubris syndrome”, shprehje që nuk është fort e lehtë për t’u shqipëruar, por që francezët e shprehin me togfjalëshin “orgueil démesuré”, pra, në shqipe, të frymëzuar nga fjalori frëngjisht-shqip i Vedat Kokonës, do të thoshim “mendjemadhësi e tejskajshme”.

Sidoqoftë, na sqaron zoti Internet, fusha kuptimore që mbulon shprehja “hubris syndrome” është shumë më e gjerë se kaq: ajo bashkon narcisizmin me arrogancën, mendjemadhësinë e egotizmin, madje me manipulimin, gënjeshtrën e përbuzjen; ajo përmban edhe idenë se i molepsuri prej asaj është i paprekshëm, i pamposhtshëm dhe i plotfuqishëm! Rrjedhimisht e për pasojë të pashmangshme, sindroma e hubrisit është quajtur edhe “sëmundja e pushtetit”! Mjerisht, historia e shoqërisë njerëzore që në lashtësinë greko-romake, dëshmon se thuajse të gjithë pushtetarët e të tëra kohëve dhe vendeve, janë prekur, kush më shumë e kush më pak,  nga kjo sëmundje e llahtarshme, karakteristika kryesore e së cilës është se atë e vërejnë të gjithë me përjashtim të vetë të interesuarit dhe të ithtarëve të tij.

Në këtë kuadër, po guxoj t’i ftoj lexueset dhe lexuesit e mi, dashamirës apo mosbesues, besnikë të përhershëm apo të përkohshëm, t’i këqyrin presidentët dhe kryeministrat tanë të këtyre tridhjetë viteve tranzitore në dritën e të dhënave të mësipërme për të parë se cili syresh është prekur më rëndë nga sindroma e hubrisit, pra nga sëmundja e pushtetit, dhe ta kenë parasysh e vath në vesh sidomos më 25 prill në mënyrë që votën e tyre të mos ia japin partisë së ndonjë të sëmuri të pashërueshëm që po ua zbardh flokët e po ua nxin jetën veçanërisht këto vitet e fundit. Më saktësisht, u sugjeroj anëtarëve dhe simpatizantëve të partisë ende në pushtet tek ne që të lexojnë me vëmendje çka shkruan Freud-i për kompleksin e Edipit dhe për tri fazat e seksualitetit tek fëmija i mitur, të lexojnë gjithashtu çka shkruan Adler-in lidhur vullnetin e dikujt fort të kompleksuar, por jashtëzakonisht të etur për t’u imponuar të tjerëve pushtetin e vet, si edhe të lexojnë çka shkruan Enriquez-i për pushtetin që e shndërron njeriun në një qenie paranojake dhe perverse, e cila nis e beson se Historia e ka zgjedhur për ta kthyer në mit (me “i”, aspak me ndonjë germë tjetër) dhe se vetëm para kësaj ai mund të japë llogari për bëmat e veta!

Së fundi, po guxoj t’u bëj të ditur gjithë lexueseve e lexuesve të mi se kam ndërmend t’i propozoj Kuvendit të ri të Republikës së Shqipërisë së zgërlaqur nga këto tri dekada rraskapitëse, sidomos nga kjo dekada e fundit, që t’i shtojë Kushtetutës një nen, i cili më duket fort i domosdoshëm: Në bazë të këtij neni, pavarërisht se cilës parti i përkasin, tërë pushtetarët tanë – presidenti, kreu i Kuvendit, kryeministri, ministrat, gjykatësit e prokurorët e të gjitha niveleve etj., etj. –, duhet absolutisht t’u nënshtrohen një sërë analizash e ekzaminimesh mjekësore për të parë nëse kanë gjenetikisht, psikikisht, psikologjikisht dhe patologjikisht ndonjë prirje për t’u prekur nga sëmundja e pushtetit dhe se, për këtë qëllim, duhet krijuar një komision mjekësor ndërkombëtar i përbërë nga gjenetistë, psikanalistë, psikiatër e psikologë kompetentë e të pakorruptueshëm, që t’ua hetojnë pa mëshirë e pa kompromis të gjitha skutat e mendjes e të shpirtit!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura