Një ftesë drejt Vlorës, 33 artistë në një ekspozitë

Aug 24, 2020 | 11:49
SHPËRNDAJE

JORGO TALO* 9c68f1c3-885d-423d-90d9-67cb3fd3555e

Në datën 27 korrik, në Vlorë u hap ekspozita figurative “Shih detin”. Që në fillim, dua të theksoj se në këto ditë të nxehta të diellit përvëlues, pandemisë dhe kufizimeve të saj, ndalesh te “Promenade Gallery”, në Lungo Mare, shikon veprat e ekspozuara dhe duke kaluar nga njëra te tjetra emocionohesh, përjeton situata të ndryshme të bukura, freskohesh me aromë deti, fëshfërimën e shkumës, kripën, tallazin, stuhinë dhe tragjedinë që deti i ka të vetat se janë pronë e tij.09a4a89d-d021-4fda-b2e8-2757cf4d58f0

Deti është hapësira e pamat, kozmosi ujor i gjithëpushtetshëm, madhështor, asnjëherë monoton, joshës, i pabesë herëherë, por kurdoherë personazh frymëzues për artistët dhe veçanërisht për ata figurativë në veçanti. Kuratori i ekspozitës, Artan Shabani, ka bërë bashkë 33 artistë të ndryshëm të traditës, mjeshtër të pikturës, por edhe të tjerë, artistë të rinj.

Ekspozita ka 37 vepra, të cilat kanë lajtmotiv detin, ka artin pamor, muzikor dhe letrar. Larmia e gjinive figurative, teknikave e bëjnë ekspozitën tërheqëse, të larmishme dhe të pasur.IMG_0215

Kjo, falë edhe procesit kuratorial të bukur me shumë gusto, ndriçimit të ambientit shumë të natyrshëm dhe çlodhës. Është kjo arsyeja që ekspozita u mirëprit, ngjalli interes dhe është shumë e vizitueshme çdo ditë.

Penelatat e mëdha, drita e plotë, koloriti i ngjeshur, potent, hapësira karakterizojnë tablonë “Nëna me fëmijën në plazh” të mjeshtrit të pikturës shqiptare, Guri Madhi, një nënë në plazh ekspozon fëmijën nën rrezet e diellit, por edhe e mbron atë. Duke kaluar nga një vepër te tjetra pa e kuptuar, natyrshëm të shoqërojnë tingujt e bukur të një pjese pianistike. Është një risi që kompozitori Aulon Naçi merr pjesë në ekspozitën figurative me kompozimin “Mare Meum”, një frymëzim brilant, një botë muzikore shumëngjyrëshe plot det. Paletë koloristike intensive, ngjyra vibruese të thella, të pastra karakterizojnë peizazhin shumë të veçantë “Varka në breg”, nga Vasil Talo.

Këtij artisti të dashuruar e që vendos një dialog specifik me detin, me këtë univers përjetimi emocional, psikik dhe intelektual, krijon kështu një atmosferë dhe gjendje të veçantë piktorike dhe plastike, si rezultat i përdorimit virtuoz të spatulës. Koralet janë një nga magjitë e detit, botës nënujore të tij. Tërheqëse, të admiruara prej kujtdo për bukurinë, ngjyrat, format e shumëllojta dhe të jashtëzakonshme, të gjithë këtë pasuri e shikon te cikli “Koralet” nga Dhimitër Theodhori.

“Kjo është bota ëndërrimtare e pasur plot ngjyra e piktorit dhe cikli ekspozohet për herë të parë”, shprehet kuratori i ekspozitës. Një zgjidhje shumë të bukur kompozicionale me një lëvizje energjike, të vrullshme dhe force fizike ka torsi në skulpturë “Peshkatari duke tërhequr rrjetat”, nga Arjan Kalari.

Perëndim, një atmosferë e ngrohtë koloristike, me një shumëllojshmëri nuancash violë e ndërton peizazhin “Uji i Ftohtë” mjeshtri Skënder Kamberi. Kodrat e njëpasnjëshme që zbresin e shtrihen në det, karakteristikë e kësaj zone, së bashku me një det dritash dhe refleksesh të ngrohta ia shtojnë edhe më shumë magjinë peizazhit.

“Aksionet rinore” e mjeshtrit Ksenofon Dilo, një zgjidhje e bukur për një vepër monumentale, të sjell në mendje punën e madhe nga rinia në brezaret e jugut, atmosferë pune e mbushur me portokaj, ullinj dhe det.

Me fare pak prekje, peizazhi “Mbrëmje në Majorka” nga Artan Shabani ka një zgjidhje grafike koloristike, e cila krijon një gjendje të bukur të mbrëmjes mesdhetare, ndërsa te “Deti”, qielli dhe deti bëhen një, duke u përfshirë nga vorbulla e erës. Një peizazh me format të vogël, por me një penel virtuoz.

Marrëdhënia e bukur e ngjyrave brenda gamës koloristike të peizazhit “Kështjella e Rozetos” nga Luan Boriçi, zgjohet nga disa drita shkëmbinjsh dhe aksentë varkash të ankoruara në breg. Peizazhi karakteristik tek Uji i Ftohë, tuneli me simbolet rreth tij, anijen cisternë dhe tregurëshin është mjedisi që Robert Përmeti përdor për të ndërtuar me shumë bukuri dhe elegancë kompozimin me temë rinore “Maturantët”.

Ditë e re, kolorit i freskët mëngjesor, një grup të rinjsh aksionistë në një bashkëbisedim të ngrohtë mes tyre dhe një ushtaraku të marinës për jetën dhe ëndrrat rinore.

“Në pritje” titullohet peizazhi nga Edmond Diamandi me dimension të madh, ku një det i trazuar, jeshile e thellë plot dallgë, varka e drunjtë e madhe, e vjetër dhe e anuar sikur çlodhet në rërë, për të filluar nesër një ditë të re. Megjithëse një det i trazuar me dallgëzim të lehtë, peizazhi nga Agron Jakupi “Cisterna e Sazanit” është i ngrohtë me atmosferë, me një materializim të bukur në tërësi të anijes, ujit dhe shkëmbit.

Për mua dhe ata që e njohin, kjo anije ishte mbartësja e jetës, sepse çonte ujë të pijshëm në ishullin e Sazanit. Temën e emigracionit, vuajtjes, tragjedisë dhe dramës njerëzore ka vizatimi “Hope”, nga Roland Runa. Shumë njerëz si një bllok i madh rrinë shtrënguar me njëritjetrin mbi një anije, që e mbart këtë tragjedi drejt shpresës diku në bregun përballë.

Portreti-skulpturë “Marinari” nga Nelo Lukaçi është i modeluar bukur me një plastikë të ngjeshur, është djaloshi i fortë fizikisht që i bën ballë detit të egër, Tramundanës.

Peizazhi “Shkëmbinjtë” nga Erald Dine është një kënd i zakonshëm i rivierës, mozaikun e gurëve e bën me vlerë mënyra e pikturimit ku ndihet qetësia, transparenca, valët dhe myshku i detit. Tekstili “Ishulli” nga Hajdar Danjolli ka një profil vajze, një kompozim dhe stilizim i mrekullueshëm i elementëve, një pranverë me një harmoni koloristike të përsosur.

“Butrinti” nga Shyqyri Sako është një peizazh miks temperësh dhe penë, ku ndihet deti dhe Shiroka karakteristike, ka një marrëdhënie koloristike grafike që shoqëron lëvizjen e pemëve, bimësisë përreth kalasë antike, e cila ruan qetësinë. Sikur hedhin valle duken ngjyrat te peizazhi “Perëndim” nga Dritan Çela, duke krijuar një situatë të bukur dhe të ngrohtë mbrëmjeje.

Fatos Zyberaj te “Peshku” kompozon një peshk diagonalisht në një sfond të errët, por dritëhija dhe pikturimi të sugjerojnë ujin e detit dhe lëvizjen. “Nuova Terra” titullohet poezia e Krenar Zejnos, i cili merr pjesë në ekspozitë me përjetimet e detit të tij poetik. Ekspozita ka shumë vepra dhe në një shkrim nuk mund t’iu referohesh të gjithave.

I rëndësishëm është fakti se kjo ekspozitë në tërësinë e saj shpreh marrëdhënien e artistëve me detin, përjetimet e tyre në dimensionin social, shpirtëror, estetik, historik të materializuar në art pamor, muzikor apo letrar. Kjo ekspozitë, në vazhdimësinë e punës është pa dyshim një sukses, një aktivitet i arrirë i “Promenade Gallery”.

Del nga mjedisi i galerisë me një shije të bukur freskie, deti dhe kripe me tingujt e bukur të “Mare Meum”, të cilat pas pak ia lënë vendin fëshfërimës së valëve të detit në Skelë. *Piktor

IMG_0218 753eddf5-fbbc-456b-8060-15cee8c43a19 204c1a42-66d5-4424-8a25-0a86f99b772b (1)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura