Një festival filmi pranë detit, nis edicioni i pestë i “Dea open air”

Aug 31, 2018 | 13:19
SHPËRNDAJE

Saranda nuk pret vetëm pushues, por edhe miq të kinematografisë. Për të pestin vit, në qytetin jugor bregdetar do të zhvillohet Festivali Ndërkombëtar i Filmit “Dea open air”.

Drejtori i Festivalit, Edmond Topi
Drejtori i Festivalit, Edmond Topi

Festivali nis në datën 2 shtator e do të zgjasë deri në datën 8 shtator, duke ofruar një program të pasur, jo vetëm përmes filmash që rrokin një tematikë të larmishme dhe që do të shfaqen në kategoritë garuese ose jo, por edhe në takime, seminare për kineastët e rinj dhe guidat turistike në bukuritë që ofron zona përreth: bregu i Ksamilit, Butrinti antik, por edhe Gjirokastra, trashëgimi kulturore botërore, nën mbrojtjen e UNESCO-s.

Shfaqjet Open Air do të organizohen në një nga vendet më të tërheqëse dhe të populluara të Sarandës, në Kinema Limani dhe Kinema Bougainville. Sipas organizatorëve, në Kinema Limani është planifikuar të organizohet ceremonia zyrtare e hapjes së festivalit, por edhe dy programet kryesore të festivalit: programi i filmit me metrazh të gjatë dhe programi i filmit të shkurtër. Në Kinema Bougainville do të organizohet edhe këtë vit programi “Miqtë e Kinemasë”, me shfaqje speciale filmash jashtë konkurrimit si edhe ceremonia e ndarjes së çmimeve të festivalit.

GARA

Sipas organizatorëve, numri i aplikantëve në festival, bashkë me moshën e aktivitetit, ka ardhur në rritje nga viti në vit. Numri i aplikuesve ka qenë i madh dhe vijnë jo vetëm nga vendet europiane, por edhe më gjerë, çka i jep pjesëmarrjes një gjeografi ndërkontinentale. Filmat e paraqitur dhe autorët pjesëmarrës në konkurrim i janë nënshtruar fillimisht seleksionimit paraprak të komisioneve ndërkombëtare, të mbyllur në fund të muajit mars.

Kanë qenë 258 syresh që kanë kaluar këtë fazë, që nga Afganistani, Argjentina, Armenia, Australia, Brazili, Britania e Madhe, Danimarka, Emiratet e Bashkuara Arabe, Estonia, Federata Ruse, Finlanda, Franca, Gjeorgjia, Gjermania, India, Irani, Izraeli, Jordania, Kanadaja, Kili, Kina, Korea e Jugut, Korea e Veriut, Portugalia, Spanja, Venezuela e shumë vende të tjera. Por, seleksionimin do ta kalonte vetëm një numër i kufizuar. Përfundimisht, në garë për Çmimet DEA komisionet përzgjedhëse kanë menduar të përfshijnë sivjet 6 filma të gjatë për konkurrimin kryesor, si dhe 31 filma në seksionin e filmit të shkurtër.

Gara për filmin e shkurtër është konceptuar në dy nënkategori: në konkurrimin ndërkombëtar dhe në konkurrimin studentor. “Kategorizimi reflekton si natyrën e krijimtarisë, ashtu edhe profilin e autorëve të tyre. Programi special ‘Miqtë e Kinemasë’ do të ofrojë edhe 6 filma të tjerë me metrazh të plotë, ku këtë vit përfshihen tituj të përzgjedhur filmash, të prodhuar nga autorë vendës”, bëjnë me ideje organizatorët përmes një komunikate për shtyp.

“Edhe ky edicion do t’u japë kineastëve skenën dhe publikut mundësinë për t’u zhytur në kinemanë e bukur dhe frymëzuese. Edhe këtë vit, festivali do të ofrojë mundësinë e zbulimit të 43 veprave tërheqëse – vepra madhore që trajtojnë tema të mëdha, si problemet e gjinisë, racës, statusit shoqëror apo të drejtave të njeriut, po edhe vepra të ndjeshme, që fokusojnë çështje intime, probleme të jetës sonë private apo rolin shoqëror të artit dhe kinemasë”, shprehet drejtori i festivalit, Edmond Topi.

JURIA

Në fund të edicionit, festivali do të shpërblejë më të mirët dhe këtë do ta bëjnë disa juri, ndarë sipas kategorive në garë. Juritë përbëhen nga personalitete të kulturës, kinemasë dhe medias në rajon dhe më gjerë. Juria e filmit me metrazh të gjatë, e përbërë nga: Clemens Erbach (regjisor – Gjermani), Isabelle Welter ( producente – Austri), Rusomir Bogdanovski (skenarist dhe pedagog i skenarit – Maqedoni), Genc Përmeti (skenarist dhe producent – Shqipëri), Luan Kryeziu (regjisor dhe skenarist – Kosovë) do të ndjekë programin e filmit me metrazh të gjatë si edhe do të akordojë çmimet DEA për:

Aktorin/Aktoren më të mirë në rol kryesor; Fotografinë/Kamerën më të mirë; Skenarin më të mirë, Regjinë më të mirë dhe Filmin më të mirë në konkurrimin e filmit të gjatë. Kjo juri ndan çdo vit edhe Çmimin Special të destinuar për kontribute të spikatura të artistëve të rinj, me karrierë premtuese në kinematografi. Juria e filmit të shkurtër, e përbërë nga: Dominik Streib (pedagog – Gjermani);

Kimete Berisha (zyrtare e lartë e kinematografisë – Kosovë) dhe Eliodor Markja (regjisor montazhi) do të ndjekë programin e filmit me metrazh të shkurtër si edhe do të akordojë çmimet DEA për: Montazhin më të mirë, Regjinë më të mirë, Filmin e shkurtër më të mirë si edhe dy çmime, që ndahen nga partnerët mediatikë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit “DEA OPEN AIR” : DEA për Angazhim qytetar (Çmimi i TV Klan) dhe DEA për Idenë më të spikatur (Çmimi i RTV 21 – Kosovë) Juria e medias, e përbërë nga: Ylli Sula (drejtor i “Çelësi Media Grup” – Shqipëri), Kamuran Goranci (drejtues i Divizionit të Arteve në MKRSKosovë) dhe Eda Merepeza – (gazetare dhe përkthyese). Edicionin e pestë të DEA International Film Festival e mbështet Ministria e Kulturës, Qendra Kombëtare e Kinematografisë dhe Bashkia Sarandë.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura